Në një intervistë të gjatë dhënë për “Gazzetta dello Sport”, Demetrio Albertini foli për lëvizjet e fundit te Milanit, të cilat çuan në lamtumirën e Sandro Tonalit dhe ardhjen e Ruben Loftus Cheek te kuqezinjtë.
“Lamtumira e Tonalit më shumë se efekti më bën të mendoj për një reflektim. Kampionati ynë është bërë vitrinë për talentet e rinj, këtë thotë ligji i tregut të transferimeve. Do të filloja duke eliminuar termin “flamur” nga fjalori ynë… Me lamtumirën e Tonalit, Milani humbi një lojtar të madh, por jo një flamur. Megjithatë, është gjithashtu e vërtetë që 70 milionë euro janë shumë", tregoi Albertini.
Ish-lojtari i Milanit dhe Italisë njihet si drejtuesi i Shoqatës së Futbollistëve, duke folur edhe për çmimet e lojtarëve në treg.
"Çmimin real të një lojtari e bëjnë ata që kanë burimet financiare dhe një klub si Milani i sotëm përballet me dy rrugë: ose merr lojtarë të tjerë që vlejnë 60-70 milionë euro për të zëvendësuar Tonalin, ose riinveston te të rinjtë që krijojnë më shumë vlera. Kuqezinjtë kanë zgjedhur opsionin e dytë. Sikurse aftësitë teknike, Tonali garantoi frymën e përkatësisë, që bën diferencën në një ekip të madh. Megjithatë, mund të fitosh edhe duke u dorëzuar, ajo që ka rëndësi është krijimi i ndjenjës", tha ish-futbollisti.
Më pas Albertini foli edhe për Napolin, duke marrë shembullin e presidentit De Laurentiis.
"Shikoni Napolin e sezonit të kaluar. De Laurentiis shiti lojtarët simbolikë si Insigne, Koulibaly dhe Mertens, por fitoi titullin pas 33 vitesh, falë intuitës së madhe dhe shpirtit të krijuar nga Spalletti. Loftus-Cheek? Nëse përshtatet shpejt, për Piolin është një zgjidhje e shkëlqyer”, tha mes të tjerash Albertini.