“Struktura e re e shoqërisë do të ketë 1868 punonjës dhe ky numër punonjësish parashikohet të arrihet nga Albpetrol sh.a. brenda tremujorit të parë të vitit 2014, pasi edhe procedura përkatëse kërkon zbatimin e disa afateve kohore. Riorganizimi i Shoqërisë është rakorduar aktualisht edhe me drejtuesit e Qendrave të Albpetrol sh.a. dhe specialistët e Burimeve Njerëzore të qendrave përkatëse”, thuhet një njoftimin e bërë publik nga Albpetrol.
ALBPETROL, SHPËRBLIME PËR PUNONJËSIT
Këshilli Mbikëqyrës i Shoqërisë Albpetrol sh.a, në bashkëpunim me Ministrinë e Energjetikës dhe Industrisë, ka vendosur mënyrën e trajtimit të punonjësve që do të dalin të papunë e si pasojë e ristrukturimit si më poshtë:
Shpërblim me një vit pagë për ndërprerje të marrëdhënieve të punës.
Këtë shpërblim e përfitojnë punonjësit aktualë të shoqërisë, të cilët janë në marrëdhënie punë me shoqërinë jo më pak se dy vjet pa ndërprerje deri në datën e hyrjes në fuqi të VKM nr 106 datë 01.02.2012.
Shpërblim për vjetërsi pune.
Ky shpërblim është të paktën sa paga e një 15-ditëshi mbi çdo vit pune të plotë që llogaritet në bazë të pagës që ekziston në përfundim të marrëdhënieve të punës. Kur paga është e ndryshueshme, shpërblimi llogaritet mbi mesataren e pagës të vitit paraardhës dhe indeksohet. Shpërblimin për vjetërsi e përfitojnë punonjësit aktualë të Shoqërisë që janë në marrëdhënie pune me këtë shoqëri jo më pak se 3 (tre)vjet pa ndërprerje deri në datën e hyrjes në fuqi të VKM nr 106 datë 01.02.2012.
NEGOCIATAT, LARGOHEN NGA PUNA 874 PUNONJËS
Pas negociatave të kryera me vetë punonjësit janë miratuar listat për punonjësit që përfitojnë trajtim sipas VKM-së. Nga këto, 874 punonjës kanë përfituar menjëherë trajtimet përkatëse.
Shkurtimi me 134 punonjës të tjerë, sipas strukturës së re, do të realizohet brenda 3 mujorit të parë të vitit 2014. Për të gjithë punonjësit pagesa do të kryhet maksimalisht në 4 këste.
Për sa i takon vjetërsisë në punë, data nga e cila do të fillojë përllogaritja e viteve të punës është data e themelimit të shoqërisë Albpetrol sh.a, 08.04.1999.
EMËRIMET E REJA, ME TESTIME
Është bërë e ditur se, shoqëria Albpetrol sh.a do të nisë testimin e të gjithë punonjësve të emëruar gjatë tre viteve të fundit. Qëllimi i këtij testimi është identifikimi i punonjësve që nuk kanë kualifikimin e duhur për të kryer proceset e punës në vendin ku janë emëruar. Rezultatet e testimit do të bëhen publike në përfundim të tij.
Albpetrol dështoi të shitej rreth një vit më parë, kur pas një tenderi të hapur, kompania Vetro Energy, në pronësi të biznesmenit Rezart Taçi nuk arriti të paguante as garancinë prej 10% të shumës totale prej 850 milionë euro të ofruar.
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)