PRISHTINE - “Nuk bënë të ndahet Mitrovica në dy komuna, është një Mitrovicë”, ka thënë Albin Kurti, kreu i Lëvizjes "Vetëvendosje". Ai paralajmëroi se  po u bë kjo marrëveshje me 2 prill, atëherë ky tubim protestues vazhdon me demostratë gjithë popullore në Prishtinë.

"Fjala asociacion në gjuhën shqipe përkthehet me fjalet fushatë e jo bashkësi. Ajo po përgatitet që të ndahet e jo të bashkohet kështu", ka deklaruar Kurti.

Sipas tij, në Kosovë ne nuk kemi më vetëm kufij të jashtëm, por edhe të brendshëm.

"Mungesa e vigjilences së KFOR-it në qershor 99 ka rezultuar me uren e ndarjes së Mitrovicës", tha ai.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, para protestuesve tha sot se pjesa më e dëmshme e decentralizimit etnik është asociacioni i komunave. “Nuk bënë të ndahet Mitrovica në dy komuna, është një Mitrovicë”, tha ai.

Shpend Ahmeti, nga Vetëvendosja, ka deklaruar se, Mitrovica është qyteti më i vafrër në Evropë. Në vend që të flasim qysh me kriju vende të reja të punës, Hashim Thaçi shkon në Bruksel që ta varfërojë edhe më shumë Kosovën.

Parullat e protestuesve ishin: “Jo Kosovë dhe veri, bashkim me Shqipëri”, “Jo negociata Vetëvendosje”.

Derisa sheshi u mbush me protestues, helikopterët e KFOR-it e monitoruan situatën nga ajri.

Sheshi buçiste nga këngët patriotike, ndërsa mbi urën e lumit Ibër qëndronin forca të shumta policore të Njësisë Speciale të Kosovës.

Ndërkohë, Vetëvendosja kish angazhuar dhjetëra aktivistë për mbarëvajtjen e protestës, të identifikuar me nga një shirit të kuq të lidhur në krah.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, protesta u organizua me qëllimin që të kundërshtohet nënshkrimi i një marrëveshje të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë me 2 prill në Bruksel.

(Marrë nga Indeksonline)

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)