Albin, mjaft me delirin ‘patriotik’, shfrytëzoni avantazhin ndaj Vuçiç

Albin, mjaft me delirin ‘patriotik’, shfrytëzoni avantazhin ndaj Vuçiç

Albin Kurti

Terrori i ushtruar në veri të Kosovës nga ana e terroristëve me uniformë serbë, të cilët vranë policin Afrim Bunjaku, po diskutohet gjërësisht jo vetëm në Prishtinë dhe Tiranë por në të gjithë kancelaritë e botës.

Shqipëria po e po, por dhe SHBA, vendet anëtare të BE dhe Britania e Madhe e dënuan me forcë këtë akt duke i vënë emrin e vërtetë ‘terrorist’, por dhe duke vënë ‘gishtin’ pikërisht në “plagë”, se kjo është një ngjarje e përgatitur shumë kohë më parë për të sjellë trazira në Veri të Kosovës dhe për ta vënë në pozitë të vështirë shtetin më të ri shqiptar në Europë.

Qendrat më të mëdha të kancelarie botërore, Uashingtoni, Brukseli, Londra por dhe Berlini, Roma e Tirana zyrtare po e po, kanë dalë përtej akuzave të forta ndaj grupit terrorist serb të armatosur deri në dhëmbë me armët më të sofistikuara të kohës, për të cilët është kërkuar në mënyrë të prerë që të dalin para drejtësisë dhe të japin llogari për krimin e bërë e dëmin e shkaktuar ndaj Kosovës.

Kancelaritë më të mëdha të botës, aleatët tanë të mëdhenj, kanë akuzuar direkt Serbinë dhe presidentin Aleksandër Vuçiç, se qëndrojnë pas këtyre akteve terroriste. I kanë dhënë ultimatum të prerë Serbisë që të zbardhë lidhjet me këto trupa militare që ushtruan terror në Kosovë dhe ishin përgatitur madje për ngjarje akoma më të rënda.

Ndërkohë që për të garantuar më tepër sigurinë dhe për të mbajtur Kosovën nën kontrollin e shtetit ligjor, janë shtuar trupat e NATO-s në përbërje të KFOR në Veri të Kosovës, ku pas konfirmimit të “Tigrave” britanikë, mësohet se do zbarkojnë dhe trupat amerikane dhe ata aleate, për të shtuar akoma më shumë forcën mbrojtëse të sigurisë së Aleancës në Kosovë. Kuptohet në përbërje të këtyre trupave të KFOR janë dhe komandot shqiptare, të certifikuara si ndër më të aftat dhe më të përgatiturat në radhët e vendeve anëtare të NATO-s.

Pra, aleatët tanë të mëdhenj kanë vënë në një cep pas ‘murit’ Vuçiçin, që i njohur për dinakërinë e tij e ‘piruetat’ për të ecur mbi ‘tel’ mes Perëndimit dhe Rusisë, ndërmori dhe ai hapat për t’u mbojtur, përmes ndalimit dhe më pas lënien e lirë të drejtuesit të operacionit terrorist në veri të Kosovës, të sanksionuarit Millan Radoiçiç. Por nga ana tjetër dhe duke mohuar furnizimin nga ana e serbëve të këtij grupi terrorist me armë moderne dhe mjete logjistike, dhe ia lënë ‘kopilin në derë’ kreut të serbëve të Bosnjës, Dodik, nën pretendimin se armët janë dhënë nga Bosnja. Justifikime këto që s’janë besuar nga aleatët tanë, teksa i kanë kërkuar marrjen e përgjegjësive.

Askush nuk e beson se Radoiçiç ka vepruar pa dijeninë apo pa urdhërin e Vuçiç dhe këtë e kanë shprehur ditë pas dite kancelaritë botërore që nga Uashingtoni, Brukseli, Londra e deri te Berlini dhe vendet e tjera anëtare të strukturave euroatlantike. Por dhe Tirana zyrtare.

Pra, përtej dhimbjes së shkaktuar në radhët e policisë e familjarëve me vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku, situata e krijuar kur të gjithë janë kundër Serbisë ka krijuar një avantazh të fortë të Kosovës në raport me Beogradin, në tryezën e pritshme që pritet të mbahet mes dy vendeve në marrëdhënie konfliktuale. Pra me nënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit, të revizionuar ose jo që nga struktura e Marrëveshjes e deri tek interlokutorët.

Ajo që na intereson ne si shqiptarë në fund të herës është normalizimi i marrëdhënieve mbi baza të drejta dhe me favor për Kosovën, në mënyrë që të mos ketë një tmerr pa fund dhe të rrimë me zemër të ngrirë se çfarë do të na servirë e nesërmja, dhe nëse do të ketë apo jo ndonjë viktimë të radhës, pasi përplasja dhe konflikti po shkarkohen në territorin e Kosovës, në veri të saj më saktë dhe jo në tokën serbe. Ndaj jemi të interesuar që të zgjidhet sa më parë.

Ajo që na intereson po ne shqiptarëve është që lidershipi i Kosovës dhe më saktë kryeministri Albin Kurti ta shfrytëzojë sa të mundet këtë avantazh të papritur që iu krijua Kosovës ndaj Serbisë dhe Vuçiçit, pra këtë ‘dhuratë’ në momentin më të vështirë për klasën politike të Kosovës, që është sanksionuar nga BE po për shkak të Kurtit. Pra ku avantazh të shfrytëzohet në favor të Kosovës.

E thënë në mënyrë më të thjeshtë, Kurti tashmë duhet të kërkojë të ulet në tryezën e bisedimeve për të nëshkruar marrëveshjen e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, do ta nënshkruajë atë të ‘bekuar’ marrëveshje të zgjatet sa të zgjatet nga të dyja palët, me të drejta të barabarta, kuptohet përballë një Vuçiçi të frustuar e të vënë në ‘cepin e ringut politik’ nga ana e aleatëve të mëdhenj.

Kurti duhet të kërkojë me insistim ose të hiqen sanksionet që BE ka vënë ndaj Kosovës, duke treguar me gisht Serbinë si shkaktaren e terrorizmit në Veri, ose të kërkojë sanksionimin nga ana e Brukselit edhe të Beogradit, si mbështetëse e këtij terrorizmi, përmes armatosjes së terroristëve por dhe për lëvizjen e trupave ushtarake serbe në kufirin verior të Kosovës si mbështetje ushtarake për të izoluar dhe më pas tjetërsuar veriun e Kosovës.

Albin Kurti duhet të vendosë sa më parë kontaktet me liderët botërore dhe aleatë për të dhënë një zgjidhje përfundimtare kësaj çështjeje, pasi tashmë Vuçiç gjendet në pozitë të vështirë dhe jo më si i ‘përkëdhelur’ i Perëndimit, që kishte si qëllim ‘joshjen’ që të mos kalojë në anën e Rusisë së Putinit. Hapi i parë është marrë nga ana e presidentes Vjosa Osmani e cila deklaroi hartimin e një statuti për Asocacionin bashkë me SHBA, por heshtja e Kurtit dhe deklaratat e Gërvallës që e quan të mbyllur Asocacionin, ministrja e Jashtme nuk flet pa leje kurrë, na bën të dyshojmë.

Normalisht, Kurti duhet menjëherë të arrijë të rivendosë kontaktet me shtetin amë, qeverinë legjitime shqiptare dhe kryeministrin Edi Rama, qoftë për arësye vëllazërore qoftë dhe për interesin e vetë Kosovës, pasi Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, është vend kandidat për në BE, ka mbajtur Presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB dhe mbi të gjitha është dhe shtet i konsoliduar dhe ia do të mirën pa rezerva dhe interes Kosovës. Pra si për vëllain e vet.

Po çfarë po bën Albin Kurti për të shfrytëzuar avantazhin që i erdhi si nga ‘qielli’ përballë Vuçiç dhe për të përfituar maksimalen për Kosovën, në raport me Serbinë në këtë rast, në tryezën e ardhshme të bisedimeve për normalizim që do të nisin, sado të tentohet të zgjaten në kohë, në fund të herës do të ulen në tryezë?

Po shohim se vetë Kurti, ministrja e Jashtme Gërvalla, ministri i Brendshëm Sveçla dhe tërë blloku qeverisës në pushtet, janë përfshirë në një delir ‘patriotizmi’ dhe force, sa nuk lënë orë të lirë pa dalë në media për të ekspozuar armët e kapura të terroristëve, për të ekspozuar skenare të llahtarshme për shuarjen e shtetit të Kosovës, si dhe deklaruar forcën e shtetit të Kosovës për të mbrojtur vetë kufijtë dhe sigurinë në këtë vend. Eshtë e drejtë të tregohen ‘muskujt’ në këtë rast, por jo pafund, pasi nga sforcimi i tepërt dhe tendosja përtej ‘takatit’ mund të dëmtohet vetë shteti. Dhe vijimin e ekspozimit të arsenalit të armëve të kapura mund ta bënte policia, e bën më profesionalisht, jo të merret Albini që nuk di as si mbushet dhe as i zbrazet arma.

Pasi po vërejmë se Kurti dhe të tijtë gati gati po e quajnë aktin e fundit të shtatorit si çlirimin e vërtetë të vendit. Ndoshta kjo është një përpjekje për të kompensuar dhe mangësitë që kanë gjithë ky bllok politik në pushtet në raport me pavarësinë e Kosovës, pasi nuk kanë shkrepur një armë gjatë përballjes me makinerinë ushtarake serbe që po ushtronte genocid në Kosovë e ku UÇK mori flamurin liderit për çlirimin e vendit, duke sakrifikuar gjithçka vullnetarisht dhe pa pagesë.

Kurti dhe shumë mbështetës të tij kanë qënë dhe kundër madje vende vende, e për më tepër që ish komandantët i çuan në burgun e Hagës për krime lufte, ndërkohë që ish luftëtarëve të UÇK u hoqën dhe copën e bukës, me atë vendim të ndërmarrë në Parlament, në bashkëpunim dhe me kryeterroristin Radoiçiç. Biseda e Mimoza Kusari Lilës me liderët serbë ku u kërkohej atyre vota për degradimin e ish luftëtarëve të UÇK nuk është harruar dhe as nuk duhet të harrohet.

Fundja për çfarë mburret ministri i Brendshëm Sveçla teksa ekspozon ditë për ditë armët e sekuestruara të terroristëve serbë në Veri të Kosovës, kur këto armë kishin muaj që kishin hyrë në Kosovë nën ‘hundën’ e Sveçlës. Ku ishte policia, forcat e sigurisë, kush i ndaloi që t’i bllokonin me kohë dhe vakt, përpara se të bëhej gjëma e të vritej një rreshter policie. Si lëviznin të lirë këta njerëz nëpër Kosovë duke futur armë, duke rekrutuar njerëz për të kryer terror, dhe duke terrorizuar vetë banorët e këtyre zonave.

KFOR nuk e ndali Sveçlën të jepte urdhër për ndalimin e furnizimit me armë të terroristëve të Veri, mjaftonte ta lajmëronte, sipas kornizës kushtetuese dhe pastaj lejen e kishte gati për të ndërhyrë. Pasi KFOR merret vetëm me sigurinë e kufijve, sikurse e tha sot dhe përfaqësuesi i kësaj trupe ushtarake, me zbatimin e ligjit brenda kufijve merren organet ligjzbatuese të Kosovës.

Pra minimumi ministri i Brendshëm Sveçla duhej të kishte dhënë dorëheqjen, dhe maksimumi duhej të ishte shkarkuar në vend nga kryeministri Kurti, për paaftësi, neglizhencë dhe mungesë dinjiteti. Jo të dalë dhe të mburret tani pasi një jetë është humbur nga radhët e policisë, familjarët e një polici nuk e presin më kryefamiljarin të shkojë në shtëpi. Anipse është hero tani, dhe me të drejtë. Do të donin ta kishin gjallë Afrimin, jo hero, por pjesë të policisë, duke ardhur përnatë në shtëpi.

Dhimbja e këtyre familjarëve është shumë më shumë se sa deklaratat e gatshme që lexon Sveçla. Donika apo deri presidentja Vjosa Osmani. Pra duhej larguar nga posti Sveçla. Nuk ka justifikim se “Kosova është gati gjendje lufte”. Zelensky në Ukrainë, në mes të luftës me njërën nga superfuqitë e botës, Rusinë, shkarkoi ministrin e Mbrojtjes dhe ministra të tjerë.

Por ministri i Brendshëm s’po mban asnjë përgjegjësi, jo vetëm që nuk po zhduket nga drejtimi i ministrisë që ka për detyrë parandalimin dhe përballimin e situatave të tilla, por u bë i bezdishëm pafund duke dalë dy herë në ditë në ekranet televizive e duke u mburrur se paska kapur arsenal armësh serbe që do përdoreshin nga terroristët, në vend që t’i kishte kapur muaj më parë dhe parandaluar ngjarjen e rëndë. Pra të kishte zbatuar ligjin, për të cilin paguhet ai dhe ata që drejton, sepse askush nuk e ka penguar. Apo ishte i zënë me ruajtjen e atyre kryekomunarëve që as vetë nuk e dinë se çfarë bëjnë në ato godina, ku hanë, kryejnë nevojat personale e flenë po aty.

Madje nuk shpjegon dhe se si arritën që të largoheshin pjesa më e madhe e terroristëve, ditën për diell dhe në fushë të hapur nga manastiri i Banjës, duke lënë vetëm tre apo katër të vrarë në shesh-betejë. Ikën sikur s’kishte ndodhur asgjë në vend që të dorëzoheshin ose të ekzekutoheshin në vend të gjithë.

Madje bëhen dhe deklarata të tilla absurde se nuk ka nevojë për shtimin e trupave të NATO-s në Veri sepse e mbrojnë vetë Kosovën, pavarësisht kornizës kushtetuese që precizon një përfshirje të tillë të NATO-s përmes KFOR-it për të garantuar sigurinë.

Sulmuan me tërë arsenalin e akuzave kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, pra të shtetit amë, që kërkoi nga Aleanca shtimin e trupave të KFOR. E akuzuan se është në një linjë me Vuçiçin për shtimin e trupave të NATO-s në veri, anipse vetëm disa orë më vonë ishte vetë SHBA e NATO që jo vetëm deklaruan zyrtarisht shtimin e këtyre trupave por nisën direkt dhe efektivët ushtarakë të Aleancës në terren, në veri të Kosovës. E pranoi dhe vetë Kurti se duhen më shumë trupa, por po ta thotë Rama nuk bën. Bën punë vetëm kur e thotë vetë, dhe Vjosa, Donika e Sveçla.

Të gjithë e dimë se për vetë specifikën që ka shteti i ri i Kosovës, kufijtë e saj dhe siguria garantohen vetëm nga trupat e NATO-s. Të dalin jo tre herë në ditë, por gjithë ditën të rrinë në media, Kurti, Osmani, Sveçla, Gërvalla dhe mbështetësit e tyre, madje të qëndrojnë ditë-natë dhe ‘patriotët’ e rrjeteve sociale në gatishmëri për treguar se Kosova e mbron vetë territoriin dhe garanton vetë kufijtë shtetërorë, fakti është se atë e garanton vetëm NATO. S’ka asnjë diskutim.

Teksa daljet e Kurtit dhe të mbështetësve të tij nëpër ekrane duke u mburrur për 24 shtatorin, pa mbajtur asnjëfarë përgjegjësie, atë që i takon për këtë ngjarje, na kujtohet ajo shprehja e hershme shqiptare se i bie ‘që të mburresh kot me ko*et e babës’. Dhe ‘baba’ që garanton sigurinë dhe kufijtë e Kosovës është NATO, janë aleatët tanë të mëdhenj që e çliruan dhe e bënë shtet Kosovën. Do t’i garantojnë këto kufij deri në një moment të dytë kur Kosova të jetë vetë e aftë për të mbojtur tërësinë territoriale të vendit, pavarësisht mistrecllëqeve të Kurtit dhe pasuesve të tij. Që i ka kapur ‘dalldia’ e patriotizmës.

Tashmë është koha që qeveria e Kosovës dhe lidershipi i saj, në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë por dhe me shtetin amë, të shfrytëzojnë avantazhin e krijuar ndaj Serbisë e Vuçiç që janë vendosur pas ‘murit’, për të marrë maksimalen e mundshme nga tryeza dhe marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Eshtë koha për të fituar siç fituam me Rambujenë që solli bombardimin e Serbisë, siç fituam më 1999, pasi aleatët dhe në këto kushte kur Kurti ka prishur gjithçka me dorën e vet nga këto arritje të deritanishme, i kemi krah.

Kurti dhe mbështetësit e tij, duhet të pushojnë një çikë, të marrin frymë dhe të mendojnë për të ardhmen. Ndërkombëtarët e dinë çfarë ka ndodhur në Kosovë, dhe pa daljet e Kurtit, Sveçlës, Gërvallës e Osmanit. E thanë amerikanët këtë të mërkurë. Dinë gjithçka, kush i mbështeti, kush i organizoi dhe kush i urdhëroi terroristët për të bërë atë që bënë. Ndaj kërkojnë masa për Serbinë.

Kurti ka për detyrë vetëm t’i dëgjojë aleatët dhe të jetë i aftë të kapë momentin e mirë për të bërë diçka të mirë për Kosovën. Nuk ua vesh dot shqiptarëve ‘kostumin’ e tij, çudia në tërë hapësirën mbarëshqiptare por dhe shansi, zgjasin vetëm tre ditë. Nuk kthehen më momentet e mira, sado t’i kërkosh. Ndryshe do të jemi të detyruar të shohin herë pas here shpallje heronjsh dhe konflikte me Veriun peng të lojës politike. Por dhe lojën e ‘pingpongut’, mes liderëve të dy vendeve.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Alban Daci: Vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë dhe politika si fenomen mosbesimi ndaj proceseve zgjedhore

Alban Daci: Vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë dhe politika si fenomen mosbesimi ndaj proceseve zgjedhore