Albulena Haxhiu është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës me 66 vota pro, 44 kundër dhe 8 abstenim.
Gjatë fjalës së saj, Haxhiu premtoi se do u shërbejë me përkushtim qytetarëve të Kosovës.
Ajo tha gjithashtu se lufta e UÇK-së ishte një luftë e drejtë për liri e pavarësi. Haxhiu kërkoi që Haga të kthejë në shtëpitë e tyre ish-krerët e UÇK-së që po përballen sipas saj, me akuza të rreme.
Sipas Haxhiut, kriminelët e vërtetë të luftës ishin nga Serbia, por ajo shtoi se ata nuk morën kurrë dënimet përkatëse.
“Ju falënderoj për besimin e dhënë. Sot e marrë këtë detyrë me vetëdije të plotë për peshën kushtetuese që ajo mbart. Të qenit në krye të Kuvendit do të thotë t’i shërbesh republikës. Do të sigurohem që secili prej jush ta gjejë hapësirën e vet këtu. Sot në këtë sallë ne kemi një detyrë të përbashkët, që t’u shërbejmë qytetarëve me ndershmëri.
Lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë për çlirim. Dihet kush ka qenë agresori dhe kush ka kryer krime në vendin tonë. Ato krime janë kryer nga Serbia dhe kriminelët nuk kanë mbajtur kurrë përgjegjësi. Kriminelët e luftës u ricikluan në pushtet. Ne presim që ish-krerët e UÇK-së të kthehen sa më parë te familjet e tyre”, tha mes të tjerash Haxhiu.
Lajmi kryesor:
Konstituohet Kuvendi i Kosovës, Albulena Haxhiu zgjidhet kryetare, votëbesohen edhe 5 nënkryetarët! Sot seanca për votimin e qeverisë së re





