TIRANË – Alenca Kuq e Zi që prej ditës së sotme është partia më e re në politikën shqiptare. Gjykata e Tiranës ka pranuar sot kërkesën ligjore të AK për tu regjistruar si forcë politike pasi ka plotësuar kriteret që kërkon ligji për krijimin e një force politike. Lajmi është konfirmuar nga përfaqësues të AK, të cilët kanë bërë të ditur se tashmë edhe me vendim gjykate, kryetari i partisë do të jetë Kreshnik Spahiu. Por, drejtimin e partisë Spahiu do ta mbajë deri në muajin maj. Në këtë muaj do të organizohet Kongresi i parë i kësaj partie, nga ku do të dalë edhe emri i kryetarit të ri.

DEBATI ME BERISHEN
Në kërkesën për regjistrimin si parti, Aleanca Kuq e Zi ka paraqitur në gjykatë 3 mijë e 7000 firmat si edhe statutin dhe programin e saj.
Fillimisht e nisur si lëvizje, Aleanca Kuq e Zi prej më shumë se një viti ka qenë edhe një mollë sherri mes mazhorancës dhe presidentit të republikës Bamir Topi.
Vetë kryeministri Berisha ka akuzuar kreun e shtetit se ka përdorur postin e tij për Aleancën Kuq e Zi, e cila sipas Berishës nuk do të cënojnë asnjë votë të së djathtës në zgjedhjetg e vitit 2013.
Madje, një muaj më parë demokratët në Kuvend ndërrmorrën një hetim ndaj ish zëvendëskryetarit të KLD, Kreshnik Spahiu, i cili dha dorëheqjen pak javë përpara se demokratët të kërkonin në prokurori procedim penal ndaj tij.

(aq/shqiptarja.com)