LEZHË- Lezha është ndalesa e radhës së Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit për mbledhjen e firmave. Dhjetëra qytetarë janë mbledhur pranë pallatit të Kulturës për të protestuar dhe mbledhur firma për ta ndërtuar teatrin "aty ku ka qenë dhe siç ka qenë".

Regjisori Robert Budina në fjalën përpara protestuesve tha se ka ardhur koha që vendi të bëj një "Besëlidhje të dytë", një slogan ky i përdorur më herët nga presidenti Ilir Meta në tubimin e 2 marsit, për të ndërtuar atë që e quan shtet i së ardhmes. Gjithashtu i ftoi qytetarët që t'i bashkohen manifiestimit që kanë planifikuar të mbajnë në Tiranë.

"Kemi ardhur të lidhim besëlidhjen me ju, atë që bën shqiptarët para 500 vjetësh dhe e mbajtën dhe hodhën bazat e shtetit të së ardhmes. Me ndihmën tuaj dhe të gjithë qytetarëve të organizojmë një manifestim gjigant të Tiranë dhe të ngulim te Teatri Kombëtar atë flamur të Skënderbeut, që ai kryeministri jonë e shembi ditën se ne i kishim vënë një flamur. Duam ta rivëmë atë flamur në atë shesh të kulturës", tha Robert Budina.

Ndërkohë, regjisori Edmond Budina theksoi se kjo Aleancë nuk ka qëllime politike, edhe pse janë mbledhur për të rrëzuar qeverin Rama.

"Nuk jemi këtu për të bërë tifozllëk për një parti ose për një tjetër. Jemi për atë që gjithë opozitarët të bashkohen për të luftuar për të keqen që na ka zënë, që të mos bëjnë ata si padronët e Shqipërisë, që ta shesin vendin si u do qejfi, që t'u mbushin xhepat vetëm një grupi njerëzish", u shpreh Edmond Budina.

Siç ka ndodhur edhe në qytetet e tjera, kësaj proteste i janë përgjigjur edhe përfaqësues të partive opozitare. Ndalesa e kaluar ishte në Kukës, e ndërsa më herët kanë qenë në Burrel, Shkodër, Tiranë e Durrës.