Kryetari i PD-së, Lulzim Basha mesditën e sotme zhvilloi një takim në selinë blu me aleatët e vegjël opozitarë. Takimi me liderin e PD-së erdhi pak orë para se aleatët e Bashës të takojnë Presidentin Meta pasditen e sotme, raporton gazetari i Report Tv, Elis Memelli.

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi në përfundim të takimit është shprehur jashtë kamerave se në qendër të bisedës ka qenë situata politike pas dekretit të Presidentit për anulimin e zgjedhjeve.

Gjithashtu pjesë e diskutimit mes Metës dhe aleatëve ishte edhe aksioni opozitar. Në takim nuk ishte Fatmir Mediu, pasi ndodhet jashtë vendit, ndërsa kreu i PDIU-së nuk ishte në tryezë me aleatët e tjerë, por zhvilloi një takim kokë më kokë me Bashën.

Pas anulimit të dekretit për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, presidenti Ilir Meta pasdite nis konsultimet me partitë politike për caktimin e një date të re për zgjedhjet. Takimet do të nisin sot pasdite në orën 19:00 me krerët e partive të Grupimit të Qendrës së Djathtë, aleatë të PD.