Aleksandër Peçi: Paratë e artistëve
përdoren për qëllime të tjera

Aleksandër Peçi: Paratë e artistëve<br />përdoren për qëllime të tjera
TIRANE - Kompozitori Aleksandër Peçi, në një intervistë për “Shqiptarja.com” rrëfen arsyet e peripecive të artistëve për borxhin që iu ka shteti. Ai ia adreson fajin ish-ministrit të Turizmit dhe Kulturës, Aldo Bumçit.

“Kemi punuar me ministra të tjerë, por në këtë Sahara që e ka sjelle z. Bumçi në produktivitetin e kulturës shqiptare, nuk e ka sjelle asnjë ministër as i djathtë as i majtë”, thotë kompozitori i njohur, duke shtuar para se të niste intervistën se “I takon MTKRS që të na japë të drejtën që na takon të na e japin duke i dhënë përfundimisht zgjidhje që do të thotë fare shkurt: MTRKS të shpalli çmimet e të na paguajë lekët”.

Zoti Peçi, jemi në dijeni të letrës së dërguar ministrit të Kulturës dhe kryeministrit, ku kërkoni t’ju japin paratë e çmimit. A mund të na thoni se për paratë e cilit konkurs bëhet fjalë?
-Bëhet fjalë për konkursin e 100-vjetorit të Pavarësisë për muzikën, që u shpall në maj të 2012-s, dhe është mbyllur në shtator me një juri të përbërë nga anëtarë shqiptarë dhe të huaj. Kam marrë pjesë në dhjetor 2012 dhe më kanë thirrur në MTKRS mua, Kushtën, Sinën, Lalon në Drejtorinë e Arteve, ku më kanë komunikuar çmimin që na u dha nga juria e konkursit, e cila kishte firmosur vendimin duke i dhënë muzikës së baletit tim “Dodona” çmimin e parë për veprën më të mirë skenike.

Kur na kanë thirrur kanë paraqitur kontrata dhe ne kemi hedhur firmat tona në këto kontrata. Por pas këtyre firmave edhe pse na kanë premtuar nuk na i kanë hedhur lekët në konto. Deri tani nuk dimë çfarë ka ndodhur, sepse asgjë zyrtare nuk është bërë e ditur nga ministria?

Pra, ju keni firmosur për t’ua kaluar lekët në kontot tuaja?
-Kontot tona me IBAN e kontratat me firmat tona i kishin të sakta që në dhjetor. Po atëherë pse nuk i dërguan në konto dhe pse nuk i shpallën publikisht çmimet?! Ato çmime për ne kompozitorët janë tejet të rëndësishme, për vlerat që kemi sjelle në kompozicionin shqiptar. Të sjellësh një balet, një vepër të madhe vokale simfonike kanë rëndësi se këto shprehin progresin e muzikës. A mund të na thonë në MTKRS ne kompozitorëve laureatë se ç’lidhje ka qe fituesit e konkursit të 100 vjetorit ( Nëntor 2012) të presin projektet e Prillit 2012 që MTKRS nuk i ka likuiduar?

Madje para se të largohej nga ministria e Kulturës ministri Aldo Bumçi, na njoftuan dhe na thanë se këto lekë do të merren. Na telefonuan vetë se do t’i marrim lekët e çmimit. Mirëpo këtë nuk na kishin kaluar në konto dhe kur shkuam të interesohemi, përgjigjja e ministrit të ri, Visar Zhitit ishte se do t’i marrim pas zgjedhjeve, që për mua do të thotë të mos t’i marrim fare.

Por shpalljen zyrtare pse nuk e kanë bërë?
- Kemi frike se i paguajmë po t’i shpallim, thonë. Juria ka firmosur dhe ka vulosur që në jemi fituesit, ju mund të pyesni anëtarë të jurisë së palës shqiptare, Arben Llozi, Fatos Qerimaj dhe Edi Buharaja. Unë nuk e kuptoj këtë pengesë dhe frikën se nuk kanë lekë, sepse lekët kanë shkuar në VKM për tre konkurset të dramës, të skulpturës të muzikës.

Ndërsa për dramën dhe skulpturën janë shpallur fituesit, unë kam të drejtë të mendoj se lekët tona vijnë nga qeveria, por kalojnë në drejtime të tjera, përdoren për qëllime të tjera. Dhe ky është një diskriminim se nëse konkurse të dramës ka pasur vit për vit, konkurse të arteve figurative ka pasur vit për vit, konkurs për veprat muzikore ka 12 vjet që nuk bëhen.

Megjithatë ju jeni një nga fituesit, për çfarë vlere u përzgjodh “Dodona” juaj në këtë konkurs?
-E kam thënë dhe herë tjetër publikisht se skena e baletit shqiptar në TOB është pa premierë botërore te një baleti të rëndësishëm shqiptar për më shumë se një çerek shekulli, pra qe nga koha e “Gjergj Elez Alia” të Feim Ibrahimit. Kam kontaktuar dhe kam krijuar grupin e punës në një trekëndësh Tirane Berlin Hollivud.

Janë të gatshëm te bashkëpunojnë për baletin “Dodona”, si koreografi nga Berlin Bernd Schindowski një nga më të njohurit në botë që ka Gjermania. Por deri tani ndodhemi në një situate absurde që as pas 3 muajsh, çmimet e konkursit të 100 vjetorit për muzikën nuk janë shpallur dhe ka një indiference totale edhe në MTKRS edhe në teatër për të organizuar premiera të këtyre vlerave.

Sa serioze ka qenë deri tani ministria në lidhje me këtë konkurs, të cilin në vitin që lamë pas e publikoi me shumë bujë?
-Të thuash që është mungese serioziteti është pak. Çështja është shumë me e thellë ku pleksen një sërë aspektesh negative: në drejtimin e MTKRS ka mefshtësi, verbëri vizionesh, paaftësi për të organizuar, paaftësi për te udhëhequr institucionet, bllokim qe i u bëjnë potencialeve që krijojnë vlera. Mungon një reforme e thellë për të çliruar vlera.

Situata është skandaloze kudo ku ta analizosh në MTKRS, në trashëgimi, në ruajtjen e degradimin e vlerave në paaftësinë për t’i dhëne imazh Shqipërisë në hapësira ndërkombëtare, në financat. Po ku janë ato afërsisht rreth 1 miliard e gjysme lek te vjetra të projekteve në 2011-së dhe po kaq në 2012-s e po kaq në 2013-ës, kur dhe qendra e Artit thuhet që ka mare një shume të vogël?

As dhe një vlerë të vetme vepre te re muzikore që te ishte premiere botërore në këtë 100-Vjetor nuk i dha MTKRS me TKOB kulturës shqiptare. MTKRS ka qene komplet jashtë meje, jashtë vizioneve te mia e kolegeve te mi për zhvillim e integrim të kulturës, për imazh të Shqipërisë në gjithçka qe i kam dhënë muzikës. Në 2 vitet e fundit dhe s’kam pasur nga MTKRS as mbështetjen më të vogël në këto vepra te Aleksandër Peçit që tashme kanë marrë një pasaporte ndërkombëtare.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptasrja.com (print) 25.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Temperaturat e larta, Veliaj apel qytetarëve: Shmangni lëvizjet gjatë orëve të pikut, ndaloni te 'Çadra e Kujdesit' për ujë dhe për të matur tensionin


Temperaturat e larta, Veliaj apel qytetarëve: Shmangni lëvizjet gjatë orëve të pikut, ndaloni te 'Çadra e Kujdesit' për ujë dhe për të matur tensionin