Aleksander Moisiu, Letrat e adhuruesve,
një profil social i aktorit të madh

Aleksander Moisiu, Letrat e adhuruesve,<br />një profil social i aktorit të madh
…disa vargje të shkruara nga fansat e Moisiut, të cilët  i drejtohen aktorit për ti shprehur simpatinë, falenderimin e për të vënë në pah gjenialitetin e tij në realizimin e figurave e roleve të ndryshëm në skenë, të cilat gjinden në arkivën e tij personale….

Fëmijëria e koklavitur dhe rinia me probleme ekonomike, bënë që Aleksander Moisiu të kalonte periudha të vështira në jetën e tij, por që zhvilluan tek ai një natyrë sociale dhe solidariteti. Kjo gjë u vërejt më pas, e sidomos kur ai arriti të ndërtojë një karriere të suksesëshme dhe të jetë i njohur kudo. Shumë herë ai i kushtonte njerzve të thjeshtë që e rrethonin momente të paharruara duke krijuar mundësinë e takimeve artistike apo të mbrëmjeve kulturore e poetike.

Në këto mbrëmje ai sillte për fansat e vet pjesë teatrore, monologje, poezi e poema të cilat i bënin ato të përjetonin momente të pakrahasueshme që falë zërit të tij magjepsës e melodioz, të ngjanin me koncerte muzikore. Shpesh këto takime ja kushtonte fëmijëve për të cilët ai pregaditej seriozisht duke mësuar përmendësh pjesë nga letërsia e autorve klasik për fëmijë, të cilat i recitonte duke i krijuar atyre një atmosferë të vecantë që i përshtatej fantazisë fëmijrore.

Këto aktivitete janë pasqyruar gjërësisht në shtypin e kohës, por sidomos gjejnë një vend të veçantë në fondin me dokumenta të ruajtur nga bashkëshortja e aktorit, Johanna Terwin Moisiu. Gjatë punës time me këtë dokumentacion më bënë përshtypje letrat që i adresoheshin Moisiut nga të gjitha shtresat e popullsisë, të shkruara me dorë, makinë shkrimi apo edhe të botuara në organet e ndryshme të shtypit. Disa nga letrat, është shumë e vështirë ti lexosh pasi shkrimi është i pakuptueshëm (stili i shkrimit i kohës).

Megjithatë vendosa të bëj një përzgjedhje të këtyre letrave (dhjetra letra) duke i marrë ato nga kohë të ndryshme e mosha të ndryshme. Këtu po publikoj disa vargje të shkruara nga fansat e Moisiut, të cilët  i drejtohen aktorit për ti shprehur simpatinë, falenderimin e për të vënë në pah gjenialitetin e tij në realizimin e figurave e roleve të ndryshëm në skenë, të cilat gjinden në arkivën e tij personale. Vargjet janë fjalë të dala nga shpirti i njerzve të thjeshtë për të mos pasur pretendime të larta poetike, por që mua si studiues i Aleksandër Moisiut me emocionuan shumë, duke më motivuar në punën time, por edhe krenarinë time kombëtare, që ti përkthej për ti botuar.  Theksoj së shqipërimi i këtyre letrave është një përshtatje e vargjeve (në poezi apo prozë), parë nga këndveshtrimi im si studiues.
 
Moisiu dhe Femijët
Gazeta “Der Abend” e datës 26 qeshor 1922 shkruan:
Të shtunen mbasdreke,  në Shtëpinë e Koncerteve të qytetit, në sallën e mbushur plot e përplot me femijë, Aleksandër Moisiu ka lexuar për to histori dhe fabula. Së pari për më të vegjëlit “Princeshën mbi Bizele” dhe “Prova e Kërcimit”. Fëmijët kanë qeshur me gjithë zemër për të gjithë “dyshimet – lojë” të ngritur mbi Princeshën e fabulës, por janë befasuar e kanë admiruar gjithashtu kërcimin që - fituesi i garës i “Prova e Kërcimit” bëri duke u hedhur direkt mbi prehërin e Princeshës... Sikur  Moisiu të mos kishte treguar gjatë orëve të mbrëmjes në atë sallë të mbushur plot me fëmijë ato përalla të dashura e të përzemërta për to, do të ishte thënë patjetër që  ishte dëshira e artistit të madh që të shkonte për kanaqësinë e tij tek fëmijët.

Ai nuk desh që të varej një lajmërim në rrugë dhe ju bashkua femijëve si një përsonalitet që sjell për to ngjyra të veçanta. Eshtë shumë e mundëshme që femijët të cilët vinin nga rrethana të ndryshme shpirtërore nuk e kuptuan të gjithë njësoj, që para tyre qëndronte një artist i madh i cili rrëfen pjesë nga veprat e shkrimtarëve më të mëdhej botëror.

Edhe pse të rriturit,  simpatinë e Moisiut për socializmin nuk dëshërojnë ta marrin seriozisht, fëmijët i janë mirënjohës dhe e vlerësojnë për çfarë Moisiu u tregon, pa marrë në konsideratë gjërat e tjera.
Nga njëherë fëmijët dëshëronin të merrnin kontakt direkt me Moisiun për të marrë autograme apo (si në rastin më poshtë) për ti dhënë dhurata të ndryshme e ndër to kartolina me poezi ku vlerësohej dhe falenderohej arti i tij dhe komunikimi me to.

 “Thuhet që:  “Yjet e qiellit” këndojnë një muzikë të përjetëshme; dhe njerzit e dëgjojnë atë pa e kuptuar, e kur nuk e degjojnë më, vuajnë më pas. Nganjëherë një yll pushton një njeri, kështu vazhdon të tingëllojnë në tokë melodia e tij mbi qënjiet e tij të dashura tokësore me një dashuri unike e të vecantë, pa e kuptuar ato, dhe ato nuk e dijnë si ta spjegojnë: përse e duan aq shumë atë....DHE KY NJERI JE TI MOISI; këtu poshtë ushton kënga jote e lart në qiellin e vrenjtur shfaqet një yll që rikthehet në atdheun e tij; dhe amaneti i  tij që sjell është malli....
Maj 1919......MARIA
 
letra
 


































Aleksandër Moisi
 
nga ASTOLF KANNER   
 
Një djalosh i dobët e me pamje të këputur,
si një grua e dërmuar e zhgënjyer që  në fëmijëri,
syri tij ndëshkon gënjeshtrat që janë lodhë e rrudhur
me shikimin e  fiksuar lart në kaltërsi.
 
E pafat është jeta e tij -  hidhërim,
i ardhur në botë nga deshtime të dhimbëshme,
“Qetësia” e tij, që ngjan si një vuajtje e pambarim,
vërshon në një lumë fjalësh,  ekstazë  mendimesh.
 
Gufon  gjaku i tij mbi ëndrrën që e ka pushtuar,
shkumbon trupi i tij nga furia që e përcëllon,
ndërsa gjuha e tij fshikullon në fjalët që ka lëshuar
ngrihet mbi to  ai – buzëqesh, me braktisje i dënon
dhe tingëllon zëri i tij si një akord, plot afsh,
e dridhet diku pranë i ëmbël i butë si mëndafsh..
 
Sonet për Aleksandër Moisiun 
 
Shkruar pas shfaqjes  “Shpëtimtarët e Bardhë”
Nga Zonja MESSINGER
 
... në një kohë si kjo e jona, ku magjia e këngës
dhe ënderrat e dëshirat, janë errësuar,  kanë  humbur,
lind nga prehëri  i një gruaje  “Shpëtimtari” shpresdhënës
i dërguar nga Krijuesi mbi tokë, të bëjë njerzit  e lumtur.
 
Aktrimi yt  që për ne sjell, shpirtëra  të lumtur  apo të mjeruar,
frut i imagjinatës  gjeniale,  qënien tënde kanë mbështjellë,
pa mundur të hyjnë në jetën tënde për ta trazuar,
si apostujt,  në amshim ty të ndjekin kanë zgjedhë.
 
Të gjithë kënaqësitë apo dhimbjet e zhgënjimit,
që pa dëshirën tonë, shpirtrat na i fashojnë,
i shohim të shkruara në thellësinë tënde të syrit, 
ndërsa ironia tallëse e makuteria na pushtojnë,
vjen ti, ndërgjegjet tona nga faji për ti  lehtësuar
në  kryqin e artit tënd për tu kryqëzuar.
 
ALEKSANDER  MOISIUT
 
Nga Dr. L.B
 
ARTI  yt është më shumë se ART,
ai është e SOTMJA, ai është vetë  JETA,
mirënjohje Hyjit  për këtë dhuratë
na dha Moisiun... na erdh  e VERTETA.
 
NJE PERSHENDETJE ALEKSANDER MOISIUT
 
Nga Rosa Schwarz
 
Të falenderoj  o MJESHTER që arrite,
artëdashësit tonë  i shtange,  i mahnite
me artin tand të madhërishëm.
Dhe njerzit e kuptuan  forcën e artit tuaj,
me të cilën, vetëm një Aktor  i madh, arrin të luaj,
ai që në mes  cdo populli  mund të lulëzojë.
Para Artit tënd cdokush duhet të përulet,
dhe një nderim të madh të tregojë,
për atë që në shumë  gjuhë të botës mund të aktrojë.
 
PORTRET
 
Aleksandër Moisiut si Hamlet - pas kurorëzimit gjatë festivalit  të aktrimit  në Festën e Luleve në Köln
 
Nga Ilse Becker
 
Në sytë e tu dhimbja jeton 
e fytyra ka një pamje të zbehtë,                           
mbi ballin tënd një dritë hyjnore e lehtë,
mban rroba të errëta dhe veladon.                                          
 
Duart tuaja kanë ngjyrë të trishtë,
por zëri yt i ëmbël të mrekullon;
në mes krenarisë e mjerimit drithëron
buzëqeshja e hidhur dhe e butë njëkohësisht.
 
Vetëm buzët tueja të kuqe kanë mbetë
flakë të kuqe, si trëndafilat  ngjasojnë,
trëndafila të vonuar, eh..që vjeshtën lajmerojnë
nga zjarri i mallit celin, e pastaj bien fletë fletë.
 
Wien, 1910

 
Letër e shkruar nga një fans pas shfaqjes “KUFOMA E GJALLE” 
 
I mrekullueshmi MJESHTER !
 
Ruajna Zot, mos qeshni për këto rreshta.
Mos jeni vetëm ARTIST I ZOTIT, por jeni edhe ARTIST i njerëzve. Unë e kisha humbur besimin në Artin e vertetë, në botën që na rrethon dhe në njërzimin. Por “FEDJA” e juaj ishte për mua një zbulim. Cili Zot jeton në qënien tënde? Tashti unë mundem përsëri të besoj, të marr frymë, të jetoj e të ngazëllehem. Ju falenderoj nga thellësitë e shpirtit për këtë përjetim të mrekullueshëm për mua që ishte FEDJA i juaj.
 

ALEKSANDER MOISI
Në vjershën e një 18- vjecareje
..... Unë e dua Atë.
Unë dua gjithshka që ai ka.
Unë dua brishtësinë e tij rinore, fytyrën e tij të hequr që pasqyron vuajtje.
Unë do të dëshëroja që t´ja merrja atë dhimbje me dashurinë time....
Por ai as që më njeh mua.
Ai është një kolos, një i zgjedhur i Zotit, një Zotëri i madh.
Në vëndin nga ku unë vi, i përulemi atij, si një Mbreti, kur ai nëpër rrugët tona kalon.
Ai është i famshëm si një Princ i dashur, ... ai është shpirtmadh.....
Unë dua gjithshka që ai ka.
Unë dua të folurën e tij, dridhjen muzikore që shpirti e optimizmi zërit të tij i jep.....
E dua buzëqeshjen e buzëve të tija, enërgjitë që ajo shkarkon.
Një herë edhe unë i buzëqesha atij....
Kaloja me shoqen time në një rrugë të qytetit dhe u ndeshëm në një qoshe.
Ai po fliste me dikë dhe nuk po shikonte për rreth.
Por unë e pashë atë, nuk mund të largohesha,  me veshtrimn tim e fiksova...
Ai e ndjeu vështrimin, dhe më hodhi një shikim, dhe buroj një buzëqeshje e lehtë nga goja e tij e famëshme, pak ngacmuese e ironike, por shpirtmadhe....
Unë nuk kam folur akoma për sytë e tij....
Sytë e tij janë ndryshe nga të njërzve të tjerë...
Ndërsa ai atëkohë para meje kaloi, ato ishin të ngrohtë e të errët – por nga larg ato shkëlqejshin si rrezet e agimit, që shndërrohen në diell të fortë..... Ato shprehnin mirësi që del nga shpirti i tij, ato duken të pastër si vetë qënia e tij.
Gjithshka  meskine, e keqe zhduket nga qënia ime nën vështrimin e tij, të cilin akoma e ndjej pranë...
Do të bëja , në sensin e mirë, sakrifica të mëdha vetëm që të delja një herë të vetme para tij, që ti flisja dicka, ai ta mirëpriste...
Dëshëroj të jem e pastër dhe e mirë në jetë, ashtu si shprehja e syve të tij, ashtu si shqisat dhe dëshirat e tij janë....
 

MOISIU, AI QE KA CELSIN E SEKRETIT, NJE HAMLET I JASHTEZAKONSHEM
Shkrimi është marrë nga Gazeta e Romës e datës 14 nëndor 1934
 
Tash pak kohë kemi ndigjuar
që teatri është në fund me gjasë
që një krisë e ka kapluar
për shkak të kinemasë.
 
Po rrenohet e nuk ec ma
dy poltrona nuk shiten dot
Ndërsa në Argjentina kinema
Salla mbushet plot për plot.
..................
Por tashti para sportelit
sheh publiku i habitur
se cka thotë shkrimi i kartelit
qysh tashti salla e shitur.
 
Një aktor i madh, i rallë,
që të gjithë ka mrekulluar,
me teatrin “Kufoma e Gjallë”
që Tolstoi plak ka shkruar.
,,,,,,,,,,,,
Merr lavdërime e përgëzime
Moisiu, që triumfon,
me të mëdhenjtë në aktrime
i kalon, i  eklipson.

 
ALEKSANDER MOISI
 
Nga Arthur Kakane. 1910
 
Djali  i zbehtë nga jugu diellor
me figurën e tij të brishtë e të butë
plot mirësi delikate dhe nur qiellor.
 
Pamja e tij prej princi....Zëri i tij që kumbon lehtë,
ciltër,  ngadhënjyes, plot freski,
tingujt e tij të artë, të ëmbël si muzik që të dehë,
 
nga dashuria, por edhe rrëmbimi rinor
nganjëherë i ashpër... nganjëherë  delikat
që ngrihet lart e poshtë si një këngë në kor.
 
Ashtu si zëri tij janë dhe sjelljet e tija,
dhe veshja, shpirti i tij që sikur sjell  nga kohët
plot ndodhi e ndjenja që  përcjell  përjetësia.
 
 
E tashti në kohën tonë ai lëviz cdo gjë,
nxjerrë nga honet e shpirtit, gjymtyrë për gjymtyrë
të fshehtat apo qejfet që struken ndër ne
 
 gjatë udhës së tij duke i shkëlur butë.

letra moisiut
















leter moisiut























Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 15 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike