'Aleksandër Moisiu përndiqej si hebre, kërkoi vërtetim që ishte shqiptar'

'Aleksandër Moisiu përndiqej si hebre,  kërkoi vërtetim që ishte shqiptar'

Pjetër Logoreci

Një ekspozitë, që do të çelet më 26 mars në Vjenë, është fryti i punës 7-8 -vjeçare kërkuese të Pjetër Logorecit në Vjenë për gjeniun e skenës me origjinë shqiptare Aleksandër Moisiu.

Fotografi të ralla, dokumente, jetëshkrime hedhin dritë në vlerat e pazbuluara të aktorit të madh botëror. Këto vlera arkivore me rastin e vitit kulturor Austri-Shqipëri do të prezantohen më 26 mars në një fotoekspozitë për gjeniun e skenës, aktorin me origjinë shqiptare Aleksandër Moisiu në Vjenë. 

Mes fotove të ralla është fotoja e vdekjes së aktorit të madh Aleksandër Moisiu, ku shihet sargu me trupin e pajetë të tij para se të digjej në krematoriumin e Vjenës më 23 Mars 1935. Ndërkohë, që ka publikuar fotografinë me sargun dhe trupin e pajetë të Aleksandër Moisiut dhe që po afron dita e hapjes së ekspozitës së tij për këtë aktor të madh shqiptar, Pjetër Logoreci ka bërë thirrje që edhe shteti shqiptar të ndërtojë shumë shpejt Muzeun Aleksandër Moisiu.

“HOMAZH. .. sot 83 vjet ma parë, në Vjenë, vdiq aktori Aleksandër Moisi. Ky është sargu me trupin e tij, para se të digjej në krematorin e Vjenës, me 23 Mars 1935… …Pushoftë në paqë…Nderim emrit dhe veprës tij… Shpresoj që shteti shqiptar të ndertojë Muzeun Aleksandër Moisiu!

Për Aleksandër Moisiun siç shihet edhe nga emri, thuhet se ka origjinë shqiptaro-hebreje, por studiuesi i tij, Logoreci, pohon në një intervistë për “Shqiptarja.com” se “nuk ka gjetur asnjë dokument të shkruar nga dora e tij që ta që ta vërtetojë origjinën hebreje”. Dhe e thotë këtë kur ka pasur në dorë për të studiuar plot 5 arka me dokumente e fotografi..! Sepse sot kemi një biografi ende të pazbardhur të gjeniut të skenës botërore, çdo dokument e fotografi që del në dritë të befason, si ky vërtetim për origjinën shqiptare të aktorit të madh botëror.


(Faksimile me nënëshkrimin e Kryepeshkopit të gjithë Shqipërisë (Vissarion) dhe me nënëshkrimin e Ministrisë së Drejtësisë që vërteton origjinën e Aleksandër Moisiut)


Vërtetimi nga Kryepeshkopi i Durrësit: Moisiu gjak shqiptari

Pjetër Logoreci duke u mbëshetur në arkivat e zbuluara, pohon se Moisu ka vuajtur shumë nga persekutimi nazist fillimisht në Gjermani e më pas në Vjenë, “për çdo gjë që bënte, ai shihej me lupën e përndjekjes së nazistëve”, shprehet Logoreci. Sipas studiuesit të njohur, persekutimi nga nazistët e ka detyruar që të kërkojë vërtetim për origjinën. Dhe kryepeshkopi i Durrësit ka lëshuar këtë dokument zyrtar, si më poshtë:

“Sipas dokumenteve të nxjerruna nga komuniteti orthodoks i Kavajës dhe Mitrpolia e Durrësit, vërtetohet se i ndjeri Konstandin Moisi dhe i biri i tij Moisi Moisiu, prindi i Aleksandër MOISIUT, dramaturgut në Austri, janë lindur në Kavajë dhe janë pagëzue prej të ndjerit prift IGNATIT, në Kishën Orthodokse të Shën Epremtes t’atij qyteti dhe janë prej gjaku dhe fisi shqiptarë.

Simbas dokumentave të sipërpëmenduar vërtetohet se dhe biri i të ndjerit Moisi, Aleksandër MOISI asht prej gjaku dhe fisi shqiptari dhe i krishter. Ky akt zë vendin e akt-pagëzimit dhe mund të përdoret kur t’a lypij nevoja”

KRYETARI I KISHËS ORTHODOKSE AUTOQEFALE
Kryepeshkopi i gjithë Shqipërisë
(Vissarion)
nënëshkrue Vissarion.”

Siç shihet në këtë faksimile “Ky vërtetim është shoqëruar me një nënëshkrim të Ministrisë së Drejtësisë që legalizon zyrtarisht vërtetimin për origjinën e Aleksandër Moisiut.

(Aleksanër Moisiu)

Zoti Logoreci, sa vite keni që punoni me mbledhjen e arkivës së Aleksandër Mosiut?

-Kam 7-8 vjet që e kam nisur në Vjenë dhe ka pasur një arkivë të jashtëzakonshme me 8 arka me dokumente. I kam kërkuar ato, duke kaluar mes procedurave të rrepta. I kam bezdisur ata të teatrit dhe kam arritur të kem parë pesë arka nga këto arkiva. Moisu është me fat që i ruhen kaq shumë arkiva, sepse pati edhe shumë adhurues. Një pjesë e madhe e arkiave, përveç fotove dhe dokumenetave janë edhe faqet e gazetave, të prera e të ruajtura me fanatizëm nga adhuruesit e shumtë tij, janë letërkëmbimet me personalitetet e mëdha të kohës. Nga kjo pasuri unë kam përzgjedhur 44 fotografi të pëmasave të mëdhaja, të cilat i kam realizuar me korniza të veçanta dhe në kanavacë të aktorit Aleksandër Moisiu dhe këto  fotografi do të ekspozohen në Vjenë në kuadër të Fotoekspozitës: “Aleksander Moisi, njeriu dhe artisti”. Kjo ekspozitë është menduar të jetë e lëvizshme dhe do të mundohem që pas Vjenës ta bëjë të udhëtojë e ta shfaq në të gjitha trevat shqiptare.

Ku do të çelet konkretisht ekspozita?

-Fotoekspozita fillimisht do të hapet më 26 mars në ambientet e Ambasadës së Shqipërisë në Vjenë. Kjo ditë përkon me ditën e vdekjes së aktorit Moisiu. Kjo ekspozitë bëhet me rastin e Vitit të Kulturës Austri-Shqipëri, ku Austria ofron një numër të madh të aktiviteteve, ku përfshihen ekspozita, koncerte, konferenca, shfaqje filmash, e të tjerë.  Kjo ekspozitë është pjesa e parë e projektit për Moisiun. Pjesën e dytë do ta kemi në qershor në datat 13 e 14 qershor. Ky është vazhdimi i projektit ku bashkëpunoj unë me Ambasadën shqiptare dhe Muzeun e Vjenës. Në ekspozitë do të nxjerrim nga arkiva e Vjenës objektet e Moisiut. Janë objekete origjinale si maska e vdekjes, dora, flokët, etj. Të gjitha këto do të eskpozohen për dy ditë në një nga sallat më të bukura të Vjenës.  

Cilat janë disa nga gjërat më befasuese që ju keni zbuluar në këto dokumente?

-Ka shumë të veçanta. Janë shumë letërkëmbime, vlerësime për talentin e tij, siç është dhe një kërkesë e tij për vërtetimin e origjinës shqiptare. Më 1933-shin Moisiu u largua nga Gjermania sepse nuk shihej me sy të mirë nga nazistët për shkak të mbiemrit të tij Moisiu, që lidhej me emrin e Profetit të hebrejve, por edhe për faktin se ai i ka mbrojtur e përkrahur kolegët e vet aktorë me kombësi hebreje. Kështu që unë kam një dokument që tregon se pak kohe para vdekjes ai ka kërkuar shtetësinë shqiptare, kërkesë të cilën qeveria e atëhershme shqiptare e ka miratuar, duke ia lëshuar dokumentin, sipas një vërtetimi të Dioqezës së Durrësit.

E keni ju këtë dokument?

-Po dhe do t’ua tregojë faksimilen e tij, ku vërtetohet se Aleksandër Moisiu është me gjak shqiptari.

Po ju si mendoni, kishte origjinë hebreje Moisiu?

-Në fakt në asnjë dokument nuk kam gjetur të shkruar nga dora e tij diçka që të pohonte se kishte origjinë herbreje. Por kjo duhet parë më tej. Ajo që theksohet në dokumentin zyrtar është se ai kishte “gjak shqiptarie” .

 

Ju i keni bërë edhe një apel qeverisë që të hapet një muze i Aleksandër Moisiut. Keni negociuar me institucionet më parë?

-Kjo kërkesë imja është e natyrshme dhe është shumë e hershme. E kam takuar edhe ministren e Kulturës Mirela Kumbaro dhe i kam thënë hapur se është i pafalshëm indiferentizmi ndaj kësaj çështjeje. Kam biseduar edhe më tej, dhe më është pohuar se kryeminstri e ka mirëpritur këtë ide. Të shpresojmë që të nis një projekt i tillë dhe të mbështetet nga qeveria, sepse unë kam premtuar që muzeut do t’ia dhurojë fotografitë falas, por vetëm që të shkruhet emri im për kontributin, se është një punë e gjatë, e mundimshme disavjeçare.   

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille