Aleksandër Stipçeviq/ Në Tiranën e ’70-ës, ku miqtë e mi ndërronin rrugën e nuk më flisnin

Aleksandër Stipçeviq/ Në Tiranën e ’70-ës, ku miqtë e mi ndërronin rrugën e nuk më flisnin

Kjo intervistë me albanologun e njohur Aleksander Stipçeviç është realizuar shumë vite më parë nga studiuesi Musa Ahmeti. Në rrëfimin e tij të gjatë është shkëputur kjo pjesë ku albanologu, tashmë i ndjerë, flet për një vizitë të tijën në Shqipërinë e viteve ’70, dhe përshkruan shumë përjetime të tij, mbi takimet në Tiranë, atmosferën e rëndë të diktatit, dhe mungesës së lirisë. Aleksander Stipçeviç ka lindur në Arbnesh të Zarës në Kroaci, me 10 tetor 1930 dhe u nda nga jeta me 1 shtator 2015. Në rrëfimin e tij ai sjell edhe shume fakte historike rreth gjuhës e traditave të komunitetit arberesh të Zarës, të cilit i perliste edhe ai vetë.

Kur filluan bashkëpunimi dhe kontaktet e para me shkencëtarët shqiptarë?

Aleksandër Stipçeviq: Vizita ime e parë në Shqipëri lidhet me mbajtjen e Kongresit të Parë të Studimeve Ilire në Tiranë, në vitin 1972. Në këtë kongres morën pjesë shumë shkencëtarë, historianë, arkeologë, etnologë, etj., nga shumë vende të botës, ndërsa unë bëja pjesë në grupin e shkencëtarëve nga Zagrebi. Miku im i vjetër, Aleks Buda na priti në aeroportin e Rinasit, së bashku me arkeologë dhe zyrtarë të tjerë që unë i njihja. Këto ishin ditë shumë interesante në Tiranë, e pastaj edhe në vise të tjera të Shqipërisë të cilat i vizituam.

Kongresi mbahej në sallën e madhe të Kuvendit Popullor në prani të Enver Hoxhës dhe bashkëshortes së tij Nexhmijes. Gjatë njërit prej pushimeve, presidenti Hoxha organizoi një pritje solemne për nder të pjesëmarrësve, kështu edhe mua m’u dha rasti të shkëmbej me të disa fjalë në gjuhën shqipe. Ndërsa unë po bisedoja me të, një fotoreporter nga Prishtina, na fotografoi tërë kohën me kamerën e tij. Kur pritja përfundoi, fotoreporteri prishtinas m’u afrua dhe më pyeti si duke qeshur: “Sa paguani që ta laj filmin?” Nuk iu përgjigja. Ky fotoreporter edhe sot është mjaft aktiv në të përditshmet shqiptare si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë.

Gjatë punës së kongresit ndodhën plot gjëra interesante (përveç kumtesave, të cilat, siç e dimë, janë pjesa më e bezdisshme e kongresit!). Ndërkohë që disa nga pjesëmarrësit po lexonin kumtesat e tyre shkencore, unë mendoja që do të ishte më me mend që të vizitoja kështjellën ilire të Zgërdheshit në afërsi të Krujës, për të cilën kisha lexuar dhe dëgjuar gjëra shumë interesante, se sa të dëgjoja ato kumtesa, të cilat sidoqoftë do të botoheshin! Këtë ide timen e përkrahën edhe disa të tjerë, dhe u nisëm me makina të vizitonim kështjellën e famshme ilire. Gjatë rrugës, ndërsa po i afroheshim kështjellës, iu luta disa herë shoferit që të ndalej e të bëja fotografi. Vazhdova të bëja fotografi edhe brenda kështjellës si dhe kur u ngjitëm në majën më të lartë të saj. Nga maja vura re që në anën tjetër ndodhej një pikë ushtarake, ku dukeshin armatime të ndryshme, si topa, tanke, helikopterë, aeroplanë dhe gjëra të tjera të ngjashme. U ndodha në një situatë të vështirë kur mendova se shoqëruesit e mi mund të mendonin se unë kisha kërkuar ta vizitoja këtë kështjellë për shkak të pikës ushtarake, e jo si pikë e rëndësishme arkeologjike. Që të hiqja dyshimin, i thashë shoqëruesit (“engjëllit ruajtës” siç i thoshin kolegët shqiptarë) se më interesonin vetëm muret e kështjellës, e ai duke qeshur m’u përgjigj: “Ju, jeni mysafiri ynë. Fotografo çfarë të duash, e çfarë të intereson.” Pas kësaj, me kujdesin më të madh fotografova muret e kështjellës, duke qenë i vëmendshëm që në fokusin e kamerës sime të mos ndodhej asnjë kuadër nga pika ushtarake.

Por ju bëtë dhe një vizitë në shtëpinë muze të Enver Hoxhës, apo jo...?

Me thënë të drejtën, si çdo herë, pjesa më interesante e Kongresit ishin eksursionet! Vizituam gjithë pjesën jugore të Shqipërisë - deri në Butrint. Ishim edhe në qytetin e lindjen së Enver Hoxhës. Në fillim nuk e kishin të qartë se pse duhej ta vizitonim edhe këtë qytet dhe ishim shumë kureshtarë! Në qytet, ndodhet shtëpia muze e “shokut Enver,” e ky ishte shkaku kryesor! Në atë muze memorial, kemi parë eksponate të ngjashme, pothuajse identike, me ato që ndodheshin në muzeun e shokut Tito, në Kumrovec. Kështu në Gjirokastër ishin të ekspozuara çizmet me të cilat “shoku Enver,” kishte udhëtuar nëpër male. Unë pata përshtypjen, se ato çizme, ishin krejt të reja dhe se askush nuk kishte ecur me to nëpër male apo diku tjetër! Këtë gjë mora guximin dhe ia thashë cicëronit, i cili na fliste me përkushtim për të gjitha eksponatet e ekspozuara. Kur mbaroi tregimin për çizmet, iu afrova dhe i rrëfeva tregimin për pistoletën e “shokut Tito” në muzeun e Kumrovecit (Kroaci, vendlindja e Titos). Si çdo revolucionar i vërtetë, “shoku Tito” kishte një pistoletë, e cila përfundoi në muze. Fatkeqësia ishte, se atë pistoletë e vodhën disa herë. Kustodët e muzeut nuk u lodhën shumë: gjetën një pistoletë të re dhe e vunë në vendin e të parës, dhe pastaj prapë rrëfenin, kjo është pistoleta e “shokut Tito!” E pyes në fund ciceronin, se sa herë ishte dashur që t’i zëvendësonin çizmet e shokut Enver? Ai i lemerisur dhe i zverdhur i tëri, më ktheu krahët dhe u zhduk duke mërmëritur ca fjalë që nuk i mora vesh asnjëherë, por mendoj se ishin të shara dhe fyerje “për një borgjez të guximshëm”.

Na flisni pak për vizitën e 1975 në Tiranë dhe “takimet” me Anamalin, Çabejn, Korkutin e Cekën...

I freskët më ka mbetur në kujtesë edhe qëndrimi im në Tiranë në vitin 1975. Në Prishtinë më tërhoqën vërejtjen, se në Shqipëri kishte disa shqetësime politike dhe nuk sugjerohej që të udhëtoja për atje. Meqë kisha miq dhe kolegë të shumtë, isha i bindur se asgjë nuk mund të më ndodhte! Kështu udhëtova nga Prishtina për në Maqendoni e prej aty për Shqipëri. Me të kaluar kufirin shqiptar, më ra menjëherë në sy, se diçka e madhe po ndodhte me të vërtetë! Në Tiranë nuk arrita të takoja asnjërin nga miqtë apo kolegët me të cilët kisha lënë takim. Më së shumti mora inat Skënder Anamalin, mysafir i të cilit isha. Edhe pse insistova që ta takoja, nuk arrita. Më në fund mora vesh, se Anamali ishte dërguar në punë fizike të detyrueshme dymujore, diku në veri të Shqipërisë! Befasuese ishte edhe sjellja e kolegëve arkeologë. Një mbrëmje në shëtitoren Skënderbeu, vërej që drejt meje vijnë ndër të tjerë edhe Neritan Ceka, Muzafer Korkuti dhe Aleks Buda. Prita që t’i takoja, edhe pse kisha disa ditë në Tiranë e nuk kisha takuar asnjërin. Ata më parakaluan, kthyen kokën anash dhe bënë sikur nuk më vërejtën. Ikën e nuk u kthyen prapë në shëtitore. Kjo gjë më irritoi së tepërmi. Nuk po merrja vesh se çfarë po ndodhte! Megjithatë, të nesërmen, për fat të mirë, në hotel “Dajti” erdhi e më takoi prof. Çabej, miku im i vjetër. Nuk ishte vetëm. E shoqëronte një “engjëll ruajtës”. Zakonisht me prof. Çabejn bisedonim shqip dhe italisht, mirëpo, meqë ishte edhe “engjëlli”, prof. Çabej më propozon, të bisedonim frëngjisht, kështu që përcjellësi, për fatin e tij të keq, mbeti i shtangur, se nuk e merrte vesh frëngjishten. Profesori me pak fjalë më sqaroi gjithë atë që po ndodhte. Mendimi i tij ishte që të udhëtoja për Zagreb. Takimet me prof. Çabejn ishin të veçanta dhe më bënin çdo herë përshtypje të jashtëzakonshme. Ishte njeri me kulturë të gjerë, xhentëlmen i vërtetë, në bisedë, shoqëri dhe kudo që shkonim! Evropian në kuptimin më të mirë të kësaj fjale. Aristokrat në fjalë, në veprim dhe sjellje. Njeri që nuk kishte forcë të fyente, nënçmonte, përbuzte apo poshtëronte bashkëbiseduesin. Si kujtim nga ai, i kam të gjitha veprat e tij të botuara, si në gjuhën shqipe ashtu edhe në gjuhët tjera!

Nëse i lëmë anash këto ndodhi “jo ilire,” qëndrimet e mia në Tiranë, çdo herë ishin shumë interesante dhe të frytshme për mua. Më është dhënë rasti të njoh një numër të madh studiuesish, arkeologësh, historianësh, etnologësh, gjuhëtarësh, si shqiptarë ashtu edhe të huaj, që më kanë mundësuar shkëmbim përvojash dhe diskutime të shumta, për tema dhe çështje të rëndësishme shkencore në fusha të ndryshme. Me pjesën dërrmuese të kolegëve shqiptarë mbaj edhe sot e kësaj dite korrespondencë të rregullt, shkëmbejmë punimet dhe krahasojmë zbulimet e reja dhe arritjet shkencore në fushën e  ilirologjisë, gjuhësisë dhe arkeologjisë.

Si e vlerësoni zhvillimin e arkeologjisë shqiptare?

Të arriturat dhe rezultatet e arkeologjisë shqiptare janë të jashtëzakonshme dhe të patejkalueshme, posaçërisht kur flasim për Ilirët e jugut. Deri në Luftën e Dytë Botërore, gërmimet arkeologjike në Shqipëri ishin të pakta, por edhe ato gërmime që ishin bërë, i kishin bërë të huajt. Pas Luftës së Dytë Botërore, arkeologët shqiptarë morën në duart e tyre kërkimet dhe gërmimet në terren, po ashtu edhe hulumtimet e burimeve shkencore, lëndën epigrafike, si dhe botimin e monografive të veçanta për vend-gjetjet më të rëndësishme arkeologjike, si dhe për periudha të caktuara nga historia e lashtë, duke shkruar kështu studime e sinteza të rëndësishme, me një kompetencë të lartë dhe shkencërisht të qëndrueshme. Në mënyrë impozante u zhvillua shkenca shqiptare, e cila arriti të kompensonte gjithë atë që ishte arritur në vendet fqinje, kështu tani mund të pohojmë se shkencëtarët shqiptarë, janë të barabartë, në mos më të zotët, se kolegët e tyre evropianë dhe botërorë. Rezultatet e arkeologjisë shqiptare janë impresive. Në të vërtetë, kolegët shqiptarë kishin se çfarë të gërmonin dhe hulumtonin, sepse toka Shqiptare mban në vete kaq shumë monumente arkeologjike, sa në çdo hap mund të ndodhë që të haset një gjetje prehistorike, antike ose mesjetare. Këtë gjë ua kanë zili shumë institute arkeologjike, arkeologë dhe shkencëtarë botërorë, e posaçërisht, fqinjët!

Rregullisht nga Akademia e Shkencave Shqiptare por edhe institutet e tjera, marr të gjitha botimet e tyre, kështu mund të përcjell arritjet dhe zhvillimet shkencore pa vështirësi, si ato ilirologjike, arkeologjike dhe linguistike. Revista “Iliria” është më reprezentativja, si për nga përmbajtja ashtu edhe për nga publikimet dhe niveli shkencor i tyre. Nuk mbetet pas as “Studime historike”, “Studime filologjike”, “Etnografia shqiptare”, “Monumentet”, e posaçërisht duhet veçuar revistën “Studia Albanica” e cila botohet në frëngjisht, në të cilën botohen arritjet më të reja nga fusha e arkeologjisë, filologjisë, ilirologjisë dhe historisë, sidomos koha e vjetër dhe mesjeta shqiptare. Rëndësia e veçantë e kësaj reviste qëndron në atë, se ajo u ofron studiuesve të huaj, të gjitha arritjet shkencore të shkencave albanologjike. Si me shaka lavdërohem se në Kroaci, kam bibliotekën më të pasur dhe më të kompletuar albanologjike. Në të vërtetë është më e pasur se Biblioteka Kombëtare Universitare e Zagrebit! Për këtë shkak, pothuajse çdo studiues që merret me ilirologji, albanologji ose histori të Shqipërisë, ka shfrytëzuar apo shfrytëzon këtë bibliotekë timen, që unë me dëshirë ua vë në dispozicion të gjithëve pa përjashtim.

Profesor, shpesh në Arbnesh mund të dëgjosh fjalë vetëlavdërimi dhe miradije për njëri tjetrin. Cili është shkaku?

Arbneshët kanë një mendim shumë të lartë për veten e tyre, përgjithësisht ashtu si gjithë popujt e tjerë. Pa fije modestie deklarojnë se janë më të mençur, më të bukur, më të ndershëm, më të fjalës se gjithë qytetarët e tjerë përreth. Një reagim i tillë ndoshta është i arsyeshëm dhe vjen nga vlerësimet dhe lavdërimet e shumta që marrin nga bashkëqytetarët e nacionaliteteve të tjera! Mund të konstatojmë se arbneshët, veçanërisht gjatë kohës kur ishin një oaz i mbyllur, kanë ruajtur shumë veti karakteristike të sjella nga Shqipëria. Bëhet fjalë për disa zakone të vjetra patriarkale, popullore të bazuara në të drejtën zakonore, që i dallonte nga vendasit, veti këto që çmoheshin shumë, si të veçanta dhe ndoshta, është ky shkaku, që ata fituan një mendim kaq të lartë për veten e tyre. Përfundimisht edhe arbneshët kanë pranuar jetën e civilizuar qytetare, duke mos u dalluar fare nga rrethi ku jetojnë, gjë që ka ndikuar në zbehjen ose në zhdukjen e disa zakoneve të rëndësishme, si valle e këngë, të cilat ishin burimore nga atdheu amë.

Nga një oaz kaq i vogël ka dalë një numër jashtëzakonisht i madh intelektualësh. Si e shpjegoni këtë dukuri?

Shumë shpesh më parashtrohet një pyetje e tillë: si është e mundur që nga Arbneshi të kenë dalë kaq shumë personalitete të njohura në kulturë, politikë, art, shkencë, muzikë, diplomaci, sport, agronomi, teologji, etj.? Po e përmbledh me dy fjalë: ky fenomen, tek arbneshët mund të shpjegohet me këmbënguljen dhe vullnetin e tyre në punë, me dëshirën e madhe që të tregohen më të suksesshëm se sa fqinjët kroatë dhe vlleh me korrektësi dhe ndershmëri, me dashurinë dhe respektin për njëri-tjetrin, çdoherë duke ruajtur dinjitetin dhe virtytet e larta që i kanë dalluar në të kaluarën, por që edhe sot janë specifike dhe aktuale për këtë oazë  shumë karakteristik.

Tradicionalisht familja Juaj Stipçeviqi /Shtjefni/ ka pasur burra të dalluar. Kështu dallohej edhe njëri nga paraardhësit Tuaj si pleqnar i njohur?

Po, në familjen time edhe sot është i freskët një tregim, që në fakt është vërtetuar edhe nga burime shkencore e dokumentare, ku tregohet se me të arritur në atdheun e ri, njëri nga stërgjyshërit, Leka, i lindur në Shqipëri, kishte qenë emëruar si “shkopi i katundit”. Ky ishte një pleqnar në zë, i mençur dhe i drejtë, dhe shumë shpejt i doli zëri si njeri i fjalës dhe si i tillë filloi të ndante pleqni jo vetëm tek arbëneshët, por edhe në fshatrat fqinje të banuara me kroatë dhe vlleh. Edhe pse ekzistonin gjykata, ligje dhe drejtësia venedikase, e drejta zakonore shqiptare çmohej shumë në atë kohë, dhe jo vetëm nga shqiptarët. Kjo na bën të kuptojmë vlerën dhe rolin që kishte i pari i vëllazërisë /fisit/ apo i zoti shtëpisë tek shqiptarët.

Cila është gjuha Juaj amtare? Çfarë po ndodh me këtë gjuhë? Cilat janë shkaqet që ajo gradualisht po zhduket?

Në Arbnesh edhe sot flitet arbnishtja, gjuha ime amtare. Në fëmijërinë time, të gjithë flisnin arbnisht, ndërsa italisht e kroatisht kemi mësuar vetëm në shkollë. Për fat të keq, sot arbnishtja është në zhdukje e sipër. Ka shumë shkaqe për këtë, por kryesorja është shpërngulja e madhe e mbi 1500 arbneshëve pas Luftës së Dytë Botërore në Itali dhe në vende të ndryshme perëndimore. Sot në këtë oaz dominon kroatishtja, sepse në shkolla mësohet kroatisht, gazetat janë në gjuhën kroate, liturgjia fetare bëhet në kroatisht, e po ashtu edhe televizioni është në kroatisht. Rezultat i gjithë kësaj është se fëmijët dhe të rinjtë nuk flasin më arbnisht, por edhe të rriturit shumë rrallë e flasin, sepse gjuha është varfëruar së tepërmi për komunikim normal. Ky është një proces pothuajse normal i pranishëm edhe në oaze të ndryshme gjuhësore anë e kënd Evropës, e që vështirë se mund të ndalet. Përditshmëria është ajo që imponon gjuhën e shumicës. Të vetëdijshëm për zhdukjen e arbnishtes kemi bërë përpjekje që të paktën të ruajmë në formën e shkruar këtë thesar të leksikut shqip, sepse ky dialekt ka rëndësi për studimin e gjithanshëm të historisë së gjuhës shqipe. Është fat i madh që në mesin tonë kishin dr. Kruno Krstiqin, njërin nga historianët më të njohur të filozofisë kroate, që njëherësh ishte edhe gjuhëtar /linguist/ i shquar. Për vite me radhë ai ka mbledhur thesarin leksikor të Arbneshit dhe përfundimisht e boton atë në “Fjalorin e të folmes Arbnishte të Zarës” /Riječnik govora zadarskih Arbanasa/, duke u ofruar gjuhëtarëve të ardhshëm një material të rëndësishëm për studime të gjuhësisë.

Çfarë do të ndodhë me arbnishten në të ardhmen?

Fatkeqësisht, ajo është në zhdukje e sipër. Nuk duhet pritur që të zhduket për një kohë të shkurtër. Është mëse e sigurt, se edhe për disa dhjetëra vite arbnishtja do të vazhdojë të flitet në Arbnesh, kryesisht si gjuhë familjare. Është interesant, se një mësues nga Arbëreshi, ka filluar të mbajë leksione për gramatikën arbnishte në gjuhën arbnishte, për gjithë ata që janë të interesuar. Befasues është fakti, se ka shumë të interesuar, jo vetëm nga të rinjtë por edhe nga mosha të tjera. Kjo gjë na bën të jemi optimistë, se ndoshta arbnishtja nuk do të zhduket, por do të mbijetojë, ashtu si i mbijetoi rrebesheve të kohës.

Cilat kanë qenë lidhjet e arbneshëve me atdheun e të parëve? Themi kështu sepse kemi parasysh shumë momente të vështira që kanë kaluar arbneshët, por edhe Shqipëria. Sa i ndihmuan ata njëri-tjetrit?

Në fillim, kontaktet me atdheun ishin të rralla. U desh të kalojë  një kohë mjaft e gjatë që këto lidhje të forcoheshin dhe të ishin në nivelin e dëshiruar. Aty nga fundi i shekullit të XIX dhe veçanërisht në fillim të shekullit të XX filloi një bashkëpunim i ndërsjellë dhe shumë i suksesshëm. Një situatë mjaft specifike u krijua në Arbnesh para fillimit të Luftës së Parë Botërore. Pjesa dërrmuese e arbëneshëve, u deklaruan politikisht si pasues të vijës kroate. Mirëpo, me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, tek arbneshët zgjohet ndjenja patriotike dhe e solidaritetit me vëllezërit e gjakut në Shqipëri, për luftën e drejtë të krijimit dhe ruajtjes së shtetit Shqiptar. Kështu në Arbnesh formohet më 1 dhjetor 1912 “Komiteti kombëtar Shqiptar nga Arbneshi”, i cili aktivisht kyçet në luftën politike për njohjen e shtetit shqiptar nga shtetet Evropiane. Bëhen kërkesa pranë qeverisë së Vjenës për njohjen e këtij shteti, i dërgohen telegrame përkrahje qeverisë shqiptare, protestohet ndaj aspiratave shoviniste që kishin fqinjët për territoret shqiptare, etj. Qeveria e Vjenës, e kapur në befasi nga këto veprime të arbneshëve, ndalon me dekret disa nga veprimet e Komitetit, gjë që shkakton pakënaqësi të madhe tek arbneshët. Të befasuar ishin, pos qeverisë austriake, edhe të tjerët, sepse vetëm pak kohë më parë, po këta arbneshas, ishin deklaruar si kroatë, ndërsa brenda një kohe të shkurtër kishin ndërruar qëndrim, e tani ishin shqiptarë dhe madje patriotë të përkushtuar. Në këtë kohë, Arbneshin e viziton pos të tjerëve, edhe Fan Noli, i cili u prit në mënyrë madhështore.

Fillimi i Luftës së Parë Botërore, e posaçërisht ngjarjet pas saj, i bëjnë lidhjet me atdheun shumë të vështira. Pas Luftës së Dytë Botërore vihen kontakte të rregullta në mes të Shqipërisë dhe Arbneshit. Ia vlen vetëm të kujtojmë që ambasador i parë i Jugosllavisë në Tiranë ishte arbneshi, Josip Gjergja. Gjatë kësaj kohe, Arbneshin e vizitojnë disa delegacione nga Kosova. Këto marrëdhënie me Shqipërinë u shkëputën përfundimisht në vitin 1948, pas mosmarrëveshjeve që Jugosllavia bëri me vendet fqinje. Në anën tjetër, nuk mund të thuhet se u këputën të gjitha lidhjet në mes të shqiptarëve dhe Arbneshit. Në këtë kohë kemi kontakte të shpeshta me kosovarët. Këto janë kryesisht lidhje kulturore e jo politike. Arbneshët fillojnë të botojnë shkrimet e tyre në gjuhën shqipe, sidomos nëpër revista e gazeta të ndryshme. Të tillë personalitete ishin Sh. Deshpali, J. V. Rela, B. Peroviqi, A. Stipçeviqi, B. Nikpali, E. Stipçeviqi, etj.

Sa është numri i shqiptarëve në Kroaci dhe si është e organizuar jeta e tyre kulturore?

Mendoj se numrin e saktë të shqiptarëve në Kroaci nuk mund ta thotë askush. Para disa vitesh, zyrtarisht numëroheshin rreth 15.000 shqiptarë, por jozyrtarisht, është vlerësuar se ka më shumë se 100.000 mijë. Në Kushtetutën e Republikës së Kroacisë, shqiptarëve u janë të garantuara të gjitha të drejtat dhe liritë qytetare ashtu si të gjitha pakicat e tjera kombëtare. Shqiptarët kanë disa shoqata të tyre si “Unioni i Shqiptarëve në Kroaci”, shoqërinë kulturore “Shkëndija”. Në Fakultetin Filozofik të Zagrebit ka filluar punën katedra e gjuhës shqipe. Po ashtu mbahet edhe mësimi plotësues në gjuhën shqipe. Kohë më parë u themelua edhe Biblioteka Shqiptare në Kroaci me qendër në Zagreb, e cila ruan jo vetëm librat në gjuhën shqipe, por edhe merret me ruajtjen e traditës dhe kulturës shqiptare. Organizohen ligjërata me tema nga e kaluara, por edhe e tashmja shqiptare, ekspozita të artistëve shqiptarë, mbahen orë letrare, por edhe manifestime të tjera.

Ju jeni kryetar i Shoqatës Kroato-Shqiptare. Sa ka ndihmuar kjo shoqatë në miqësinë dhe njohjen e këtyre dy popujve? Ku ndodhen Arbneshët e Zarës në këtë mes?

Shoqata kroato-shqiptare është themeluar në vitin 1993. Në fillim çdo gjë shkonte mirë, por më kalimin e kohës kanë lindur probleme të ndryshme, të cilat e kanë penguar veprimtarinë e shoqatës. Problem kryesor ishte financimi. Problem të veçantë paraqet edhe mosekzistimi i një shoqate simotër në Shqipëri, me të cilën do të koordinonim veprimtarinë tonë. Kemi shpresë se së shpejti do të themelohet një shoqatë e tillë në Tiranë. Qëllimi ynë kryesor është që të ofrojmë mundësi bashkëpunimi dhe njohje në mes të dy popujve, atij kroat dhe atij shqiptar, sidomos në fushën e kulturës, shkencës, arsimit dhe ekonomisë. Është më se e njohur, se që nga mesjeta e këndej, shqiptarët kanë emigruar në qytetet kroate duke lënë vulë të pashlyer kohore për punën dhe veprimtarinë e tyre shumë të çmuar. Në arkivin e Zarës, Dubrovnikut, por edhe në arkiva të tjera, ekziston një mori dokumentesh për praninë e shqiptarëve në tokën kroate. Një pjesë e mirë e tyre është hulumtuar, por ende jo në mënyrë të kënaqshme, që të mund të bëhej rikonstruktimi i rolit që kanë luajtur shqiptarët në Kroaci.

Përderisa nuk kemi një Institut Albanologjik apo Qendër të Studimeve që do të merrej me Albanologji, cilat janë iniciativat në këtë drejtim?

Në Zagreb ka filluar iniciativa për themelimin e Institutit Albanologjik, i cili në mënyrë sistematike do të merrej me albanologjinë në Kroaci. Në vitin 1990, unë, akademik R. Katiçiqi, dhe prof. dr. B. Horvati, i bëmë një shkresë rektoratit të Universitetit të Zagrebit, për themelimin e një instituti të tillë. Rektori i atëhershëm, dr. Z. Sheparoviqi  e përkrahu këtë iniciativë dhe me të shpejtë filluan përgatitjet e duhura për themelim, por për fat të keq filloi lufta në Kroaci dhe çdo gjë u ndërpre. Përpjekjet e mëvonshme nuk kanë dhënë ndonjë rezultat të kënaqshëm. Është më se e sigurt se në të ardhmen e afërt do të themelohet një institut i tillë, që do të koordinonte punën e albanologëve kroatë, por edhe të të tjerëve në disa projekte të veçanta, të cilat kanë filluar të realizohen. Institutin e kemi menduar, si një nga qendrat evropiane të studimeve albanologjike, e lidhur me teknikën më moderne të kohës dhe me kompjuterizim me shtetin amë, Shqipërinë si dhe me qendrat e tjera, si me Prishtinën, Tetovën, por edhe me ato perëndimore, ku ekzistojnë disa institute të ngjashme.

Tradita e studimeve albanologjike në Kroaci është shumë e vjetër. Figura të shquara kroate janë marrë me këto studime. Cilët janë emrat më të njohur në këtë drejtim?

Duhet rikujtuar se në Kroaci ekziston një traditë shumë e gjatë e studimeve albanologjike. Fakti që një numër i madh shkencëtarësh kroatë janë marrë në të kaluarën me studime albanologjike, është dëshmi e një të ardhmeje të ndritur dhe të suksesshme që ka kjo shkencë në Kroaci. Me mburrje themi, se njëri nga albanologët më të shquar botërorë ishte Millan Shuflaj, veprat e të cilit edhe sot e kësaj dite janë të patejkalueshme në shkencë. Përveç tij, me albanologji u morën edhe Qiro Truhelka, Petar Skoku, Henrik Bariqi, Kruno Krstiqi, Radoslav Katiçiqi, etj. Për punë të mëtejshme, themelet ekzistojnë; ne duhet të vazhdojmë më tutje. Ekzistimi i një Instituti Albanologjik në Zagreb do të mundësonte një punë shumë të koordinuar dhe të frytshme, që më tepër kur kjo gjë është edhe në interes të politikës së ditës, sepse diplomatët kroatë, por jo vetëm këta kanë nevojë për informata të ndryshme nga e kaluara dhe situata e tashme e Shqipërisë dhe e shqiptarëve në përgjithësi.

Ora 08:26
Aleksandër Stipçeviq/ Në Tiranën e ’70-ës, ku miqtë e mi ndërronin rrugën e nuk më flisnin
  • Komento

    KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

    • Sondazhi i ditës:
      17 Dhjetor, 08:53

      Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



    ×

    Lajmi i fundit

    Bruksel/ Në pritje të nisjes së Samitit, Rama takohet me Komisioneren e BE-së për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin, Marta Kos

    Bruksel/ Në pritje të nisjes së Samitit, Rama takohet me Komisioneren e BE-së për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin, Marta Kos