INTERVISTA/ Alen Delon: Ja për kë regjisor mund të kthehem të aktroj në një film

INTERVISTA/ Alen Delon: Ja për kë regjisor mund të kthehem të aktroj në një film

Alen Delon

Duhet ta besojmë kur thoni: “nuk do të bëj më filma”?

-Sigurisht! Po, kam lënë një portë gjysmë të mbyllur, sepse është e qartë se nëse një regjisor i kalibrit të Spielberg-ut, Polanski-t, apo Besson-it të të ofrojnë një rol në filmat e tyre të ardhshëm, nuk mund të refuzohet. Një projekt i ngjashëm me Schindler’s List, për shembull, nuk do të më linte indiferent. Por është po aq e vërtetë që nuk jam unë që do të kërkoj."

Përse keni vendosur ta mbyllni karrierën tuaj?

“-Sepse kam luajtur shumë role, është e nevojshme të dish të ndalosh e t’u lësh vendin të tjerëve. Urrej luftën e tahmaqarrëve dhe aq më shumë filmat tahmaqarrë. Karriera ime ishte e veçantë, në kuptimin e vërtetë të fjalës: ishte një karrierë e “jashtëzakonshme” sepse arrita të punoj me regjizorët më të mëdhenj: Visconti, Losey, Clement, Melville, Antonioni. Preferoj që publiku të ruaj për mua një imazh të bukur. Nuk do të doja të arrihej deri aty sa të thonë, siç kam dëgjuar shpesh për aktorë të tjerë: “E pabesueshme, është Delon! Si është bërë!” Nuk dua të arrij aty sa të më mishërojnë: është e drejta ime, është çështje dinjiteti dhe respekti për publikun, për veten dhe ndaj këtij profesioni që më ka dhënë aq shumë.

Është një zgjidhje e dhimbëshme, e vështirë?

-Jo, jeta ime ka qenë aq e pasur… Kam një pafundësi kujtimesh, imazhesh të mrekullueshme në mendje e zemër. Dhe, pastaj jam nga ata që e do të kaluarën, si Mopasan që psherëtinte me nostalgji: “Adio, gjëra të të djeshmes, ju dua shumë…” Preferoj t’i kujtoj për më shumë që të projektoj të ardhmen, e cila më rezulton shumë më pak e vështirë, duke parë që kam provuar lumturi të pamasë që jam bërë dy herë baba, në 55 vjeç dhe në 58 vjeç; ndërsa në vend të mendosh vetëm për vete, mund të dëgjosh fëmijët e tu, t’i kuptosh ata, t’i shohësh të rriten, t’i shoqërosh në shkollë, është gjëja më e bukur që jeton njeriu. Ju uroj të gjithëve një fat të tillë, edhe armikut tim më të keq!

Ju flisni për rolin e babait si një zbulim…

“-Për fat të keq po, nuk jam i sigurt që djali im i parë më ka falur. Nuk kam diskutuar me të, s’kemi bërë paqe, por do ta bëjmë. E dëshiroj me gjithë zemër, pasi ne kemi nevojë të dy… e më shumë ai se unë, duke patur parasysh që qeshë unë që u zhduka i pari.

Dhe ju si e shpjegoni këtë disfatë?

-Kur lindi Antoine (Antuan) unë isha tridhjetë vjeç. Akoma nuk isha bërë i famshëm në profesionin tim, rrethanat bënë që mua të më ngjiste pikërisht ajo që më shumë se çdo gjë tjetër kisha dashur të mos ndodhte: të evitoja fëmijërinë time, të birit të prindërve të divorcuar,tek djali im. Megjithatë bilanci ka qenë më pozitiv për Antuanin: ai ka qenë jo aq i lumtur, po të paktën ndihma nga ana ime nuk i ka munguar, jam kujdesur për të. Ndërsa unë kam qenë i përplasur sa në një konvikt në tjetrin, e kam ndjerë veten të braktisur që kur isha tetë vjeç.”

Kjo fëmijëri e plagosur ka ndikuar, ka lënë gjurmë mbi temperamentin tuaj si aktor?

“-Besoj se po. Në fund të fundit karriera ime ka diçka të mrekullueshme. Përveç muajve të parë të jetës, gjatë të cilëve kujdesej një dado unë mbeta në konvikt, deri ditën e fundit që më thirrën në ushtri. Bëra miq e kështu u nisa për në Indokinë. Më vonë pasi e bëra veten të më dëbojnë nga ushtria, për fajin tim, kam bërë çdo lloj zanati. Pastaj takova një grua, Michwle Cordone, gruaja e parë e Henri Vidal, dhjetë vjet më e madhe se unë. Për hir të ndërhyrjes së saj më dhanë një rol në një film titulluar “Godot”, ku kam recituar në krah të Edwige Feuillwre, Jean Servais e Bernard Blier. Kur filmi doli, vëmendja u përqendrua menjëherë, – pothuaj ashtu siç ndodhi me Leonardo Di Caprio te filmi “Titanik”, – mbi aktorin e ri, të panjohur që isha unë. Një rast i pastër, fat i padiskutueshëm, tashmë isha bërë i njohur dhe kurrë nuk e ndala punën. Sigurisht, nëse profesioni nuk do të më pëlqente, do të kisha dalë ashtu siç hyra.”

E atëherë çfarë do të kishit bërë?
 

“-Në atë kohë më pëlqente të bëhesha ushtarak! Një trup që e respektoj, e admiroj janë Repartet Speciale. Shihni, unë mendoj që ushtria mund të jetë shtylla kurrizore e një vendi. Katër vjetët e mi në shërbimin ushtarak, periudhë jo e shkurtër, duhet të më kishin desgustuar, në fakt është një nga periudhat më të bukura të jetës sime: atje gjeta një familje, miq dhe vlera që më mungonin.”

Pikërisht, cilat janë vlerat me të cilat ju jeni lidhur?

-Familja, rrethi shoqëror, të afërmit, janë vlerat më të rëndësishme, nga të cilat rrjedhin gjithë të tjerat: dashuria, respekti, ndershmëria, drejtësia, guximi, solidariteti, të gjitha nisin aty. Fëmijët janë pothuaj pasqyra e prindërve. Në qoftë se ata janë të izoluar nga shoqëria në shumicën e rasteve përgjegjësia është e atyre që i kanë rritur. Në këtë kuptim unë jam një baba shumë i dobët: kur vajza ime nuk do ta përsërisë mësimin, unë lëshoj pe, ndërsa e ëma është më e fortë! E, pastaj të qarat më këpusin shpirtin, edhe pse tashmë nuk ma hedhin dot. S’më kujtohet se cili poet ka thënë: “Nuk ekzistojnë vogëlushe, ekzistojnë vetëm gra(femra) të reja! Janë djallushe!”

Rroftë familja, rrofshin fëmijët, po stina e dashurisë mori fund?

-Po. Sepse nuk do të dëshiroja kurrë të tronditja ekuilibrin afektiv të fëmijëve të mi. Po mbi të gjitha ndihem i kënaqur: dua një grua, kam dy fëmijë të mrekullueshëm, e mjaftueshme për jetën. Vlen të them deri sa të vdes, sepse unë jam 30 vjet më i madh se gruaja dhe 50 vjet më i madh se fëmijët e mi, është detyra ime t’i përgatis për të ardhmen e tyre:”

Të duket e vështirë të besosh që ju keni qenë gjithmonë kështu i urtë, i sinqertë me gratë?

“-I sinqertë në cilin moment? Kur i thua një gruaje që të pëlqen apo kur i thua që e do? Ka rrezik t’ju deziluzionoja, po t’ju pohoj që jam i ngathët në drejtim të tërheqjes së grave, madje i hutuar. Nuk kam qenë kurrë i shkathët, madje është një gjë që e urrej. Kanë qenë gjithmonë gratë që më kanë ndaluar, që më kanë dalë përpara dhe jo e kundërta. E mos e shihni aspak si mburrje, pasi rregulla është pothuaj universale: është gruaja që ia bën kërkesat kujtdo, kur do dhe si do.

Mos e përgjithësojmë shumë… Sidoqoftë, gjithmonë keni qenë ju që i keni lënë?
 

“-Absolutisht jo! Ndoshta më shumë herë më kanë lënë ato se sa unë!
 

Përse keni bllokuar botimin e ndonjë biografie tuaj? Ju jepte bezdi?
 

“-Në kundërshtim me armiqtë e mi, që nuk kanë patur asnjë ngurrim dhe kanë përhapur deklarata në gjithë masmedian, unë nuk kam dhënë shpjegime ndaj çdo komenti. Nuk do të filloj sigurisht tani. Nuk më pëlqen të shpjegoj “përsenë” e veprimeve të mia pas vendimit”.

Pra, ju e kundërshtoni, nuk jeni dakord me të drejtën e transparencës që tashmë është folur shumë, e sidomos në SHBA me çështjen Klinton-Levinski?
 

“-Nuk do dëshiroja të kumbisnim fillin me debatin për këtë histori, aq (në modë) i përhapur në sallonet pariziane. Personalisht, e konsideroj këtë çështje të shëmtuar. Më duket se Klintoni është lodhur, jo për shkak të fakteve që i kanë kundërshtuar, por për mënyrën e përtypjes së kësaj krize. Ndoshta jam një plak budalla, por e konsideroj të padenjë dhe turpëruese që burri më i fuqishëm i planetit – ky që mund të lëshojë raketa kundër një vendi pa i dhënë llogari, në fakt, askujt,- duhet të bëjë akte pendimi dhe ndërmarrje të ndryshme, duke u poshtëruar aq dukshëm në mënyrë vulgare, publikisht… Kenedi ka bërë më shumë se ai; i vetmi ndryshim që i ka bërë “më mirë”. Më dukej patetike Hilari Klinton me tentativat e saj ngulmuese të kapjes pas pushtetit. I gjykoj revoltuese abuzimet e prokurorit, të pakëndshme lëkundjet e popullit amerikan, dhe thellësisht skandaloz qëndrimin e medias. Kjo “valëvitje flamujsh” e kallëpeve të ndyra është groteske. (Kredibiliteti i një vendi si SHBA nuk mundet veçse të dalë i tjetërsuar). Historitë e kravatave, cigareve, shpallur një bote të tërë via Internet, më ngjallin neveri. Është një kohë e çmendur”.

Ndoshta situata të ngjashme mund të shpërthejnë edhe në Francë?
 

“-Sigurisht jo, sepse në Francë si në përgjithësi në Europë, kemi një lloj sensi të masës që na pengon të kapërcejmë kufijtë, jo për tjetër gjë veçse për të shpëtuar bërthamën familjare. Në Amerikë kanë harruar që Klintonët kanë një vajzë, Çelsea. Kjo histori do t’i ngulitet në mendje përgjithmonë”.

Thuhet në përgjithësi, pushteti i gjykatësve të kall frikën?
 

“-Mua personalisht jo, sepse jam mësuar të marr përgjegjësinë e veprimeve të mia. Megjithatë shënoj që ky fenomen i gjykatësit të plotfuqishëm, që të fut në burg zyrtarisht, ka ardhur si infektim nga Italia. Ndërsa fuqia e gjykatësve francezë, që të kallin frikën, mund të vlerësohet më mirë nga shpenzimet që ka bërë një miku im: do t’ju habis, bëhet fjalë për Marlon Brandon. Kur vajza e tij Cherokee u strehua në Loiret pati një grindje me një gjykatës francez. Gjërat shkuan aq larg sa, më vonë ai më shkruante një letër tepër prekëse, ku thoshte se kurrë nuk do të kishte mundur të besonte që në Francë, një njeri i vetëm të mund të kishte një forcë të tillë. Fuqi që t’i bëj keq një familjeje të tërë dhe të bëj të vuaj deri në atë pikë një çupulinë. Fundi i Cherokee ishte tragjik: vrau veten”.

Ç’mund të më thoni për marrëdhëniet tuaja me Gjeneralin Lebed? Është miku juaj i madh…

“Shihni, unë veproj gjithmonë sipas instinktit, impulsit dhe pasionit. Me Lebed miqësia ishte e menjëhershme! E njoha rastësisht në korridoret e Antenne 2. Folëm me njeri-tjetrin, biseduam, shfaqi një lloj admirimi për mua si aktor, folëm për ushtrinë e natyrisht shprehëm simpati. Më vonë jemi riparë me rastin e vizitave të tij private në Francë e kemi folur pak për të gjitha: për aksionin ushtarak në Çeçeni, për aspiratat e tij politike, për ambicionet e tij lidhur me vendin e tij, për admirimin e tij për Napoleonin dhe për Gjeneralin de Gaulle. Më është dukur i sinqertë, e i bëra të ditur që në se një ditë do të kishte nevojën time të ma bënte të ditur. Nga ana ime ishte më tepër një gjest kortezie, ndërsa ai kohë më vonë më ftoi në Siberi, ku ishte kulmi i fushatës elektorale! Nuk mund të haja fjalën. Shkova. Dhe, menjëherë u përhapën zëra se isha i paguar. Qesharake.”

Ju e admironi këtë personazh?
 

“-Besoj se ai e do vendin e vet dhe ka frikë mos kthehen komunistët. Po duhet thënë se pas copëtimit së BS, Rusia mbeti jashtë botës. Rusia me përulësi, që nuk është fuqi e madhe, po zhduket bashkë me pleqtë e saj. Lebed do të donte që nëpërmjet demokracisë, Atdheu i tij të rizërë pozitën që i takon.”

Mbështetja juaj atje qe e dobishme?
 

“-Për çudinë time të madhe më duket se po! E ka pohuar edhe një zë me autoritet si Helen Carrwre d’Encausse.”

Dhe nëse do të kërkonte përsëri ndihmë, do ta ndihmonit?

“-Po, unë i çoj gjërat deri në fund.

Ju shpesh jeni në krah të personaliteteve politike me përkatësi shumë të ndryshme…

“-Gjithmonë në krah të personave që admiroja. Dhe di të nderoj ndonjë që ka qenë i braktisur nga të poshtrit: i kam shkruar një letër të hapur Miterrand, kur të gjithë i kthenin krahët, sepse mendoja se kisha disa gjëra për t’i thënë. Sot jam i lumtur e krenar për atë që kam bërë e nuk mohoj asgjë”.

Në fakt ju jeni një person i shquar… Po më duket se keni një karakter të keq?
 

“-Dëgjoni, unë kam karakter, jo “karakter të keq”. Jam i tillë që në jetë nuk bëj lëshime. Nuk më pëlqejnë goditjet e dhëna fshehtas, përqafimet e shtira, mburrjet e, mendoj që, siç thotë Cocteau, “hipokrizia nuk bën hije të mirë”. S’jam njeri që bëj kompromise. Nëse gënjen ose tradhton miqësia ka mbaruar. Njoh të mirat dhe të këqijat e mia dhe mund t’ju siguroj që në përmbajtje kam të drejtë 99 herë në 100. Për sa i përket formës pranoj që shpesh jam shumë i ashpër. Po doni një konfidencë? E pranoj përgjegjësinë.” / Përktheu Iskra Thoma 

/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja