Alfred Balla, aktualisht zëvendëskryetar u Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ka shpallur sot kandidaturën për kreun e KLP. Pas mbarimit të mandatit të Gent Ibrahimit, Balla ka njoftuar interesimin e tij për këtë post.
Në fjalën e prezantimit të platformës, Balla ka nënvizuar se si zv. Kryetar i Këshillit e si Kryetar i Komisionit të Vlerësimit ka qenë pjesë aktive e rrugëtimit të Këshillit në konsolidimin e tij si një institucion i ri i krijuar në kuadër të Reformës në Drejtësi.
“Ndryshimet kushtetuese e ligjore që kjo Reformë në vitin 2016, ishin vetëm hapi i parë në rikthimin e besimit tek sistemi i drejtësisë. Aktualisht jemi në fazën e zbatimit të saj, kur sistemi administrohet nga disa institucione të reja, me kompetenca të qarta dhe të pavarura totalisht nga pushteti legjislativ dhe ai ekzekutiv. Gjatë këtyre tre viteve të funksionimit të Këshillit, mund të pohojmë bindshëm që karriera dhe statusi i magjistratëve prokurorë zhvillohet pa u ndikuar nga politika apo fenomenet e korrupsionit por vetëm nga integriteti dhe merita profesionale. Ndihem i privilegjuar që jam pjesë e këtij Këshilli që nga dita 1 (një) e krijimit të tij. Kam dhënë kontributin tim personal në ngritjen e Këshillit dhe implementimin në mënyrë efiçente të legjislacionit të ri. Ky legjislacion ka mundësuar izolimin e fenomeneve negative dhe rritjen e besimit të publikut dhe të vetë magjistratëve, nëpërmjet vendimmarrjeve tona transparente, ku tipari kryesor që i ka shoqëruar ato, ka qenë drejtësia dhe meritokracia. KLP-ja realizoi dy procese të rëndësishme gjatë vitit 2019, siç ishte përzgjedhja e 10 prokurorëve të posaçëm dhe e drejtuesit të saj duke bërë të mundur krijimin e Prokurorisë së Posaçme, një institucion i shumëpritur nga të gjithë si dhe zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës. Në këtë rrugëtim kam dhënë kontributin tim si në rolin e anëtarit të KLP-së duke votuar 100% të vendimarrjeve të suksesshme të Këshillit por dhe në rolin e Zv.Kryetarit, duke përfaqësuar Këshillin në raport me të tretët. Kam drejtuar gjatë viteve disa mbledhje plenare të Këshillit, jam në drejtim prej një muaji dhe kam kontribuar në përfaqësimin e Këshillit në tryeza të ndryshme pune apo takimesh bilaterale ndër-institucionale”, ka nënvizuar ai.
Alfred Balla ka deklaruar se e ndjen obligim moral përpara vetes dhe Këshillit, që pikërisht në këtë moment kur Këshilli ka konsoliduar ekzistencën dhe funksionalitetin e tij, të më besohet funksioni i Kryetarit, me qëllimin e vetëm që ky institucion të çojë përpara punët e nisura, të vazhdojë të përmirësojë performancën e tij në rrugën e një qeverisje të drejtë, të pavarur dhe ku të mbizotërojnë vlerat dhe integriteti i lartë i magjistratit.