Drejtuesi i këtij festivali nuk e harron edhe një sjellje të pakëndshme të ish-ministrit Bumçi me një artiste të famshme çeke, pjesëmarrëse në festival, ndërsa rrëfen për gazetën sesi ministri Bumçi e hodhi në kosh letrën e artistes çeke, kur ajo i dërgoi një letër atij dhe ministrit të Brendshëm për arsyet se “pse s’po e bëni festivalin e Butrintit”.
Drejtori Bualoti, pas shumë përpjekjeve që ka bërë për rikthimin e festivalit, edhe pse MTKRS nuk i ka akorduar shumën e nevojshme, i lehtësuar shprehet se: “Butrinti 2000” po rilind para Rilindjes së vërtetë, për të cilën sot po flitet aq shumë”. Festivali “i rilindur”, sipas Bualotit, do të ngjisë në skenën antike të Butrintit në Sarandë në pesë netët e shfaqjes pesë trupa teatrore të ardhura nga Italia, Bullgaria, Ukraina, Spanja dhe Amerika.
Mësuam se do të rikthehet festivali ndërkombëtar i Butrintit. Kur fillon?
-Edicioni i 12-të i Teatrit “Butrinti 2000” do të nis edicionin e tij të 12-të në 18 korrik 2013. Pra ne po rikthejmë një edicion të plotë. Nuk mund të qëndronte më Butrinti në atë gjendje që ngeli këto vitet fundit. Kemi pasur mundësi të kemi shfaqje të një niveli shumë të lartë, kur nisi tradita e këtij festivali. Këtë nivel po e arrijmë sërish, pavarësisht nga problemet e mëdha që kemi me buxhetin, sepse buxheti është modest.
Por megjithatë unë them se festivali i Butrintit po përjeton një lloj rilindje përpara Rilindjes së vërtetë. Që do të thotë që ne po e rilindin festivalin e Butrintit. Mbështetja me fonde është tragjikomike, por megjithatë pavarësisht nga kjo ne do të bëjmë të pamundurën. Atmosfera e zgjedhjeve nuk është shumë e favorshme, por sidoqoftë ne do të kemi për turistët një argëtim prapa zgjedhjeve.
Sa është konkretisht buxheti që iu dha Ministria e Kulturës?
-Janë katër milionë lekë të reja. Por po të kujtojmë se festivali më i mirë ka kushtuar 13 milionë lekë të reja, ku patëm nëntë shfaqje, ky është vetëm çereku. Kjo shumë na u dha kur ishte ministër Blendi Klosi. Ka qenë mbështetja më e fuqishme dhe ne themi që gjithmonë do ta rrisnin dhe kemi të bëjmë me arritjet më të mira, aq me tepër në edicionet e para ku ne nga shtatori e kaluam festivalin në zemër të pushimeve në korrik.
Ishim të bindur që çdo gjë po shkonte mbarë. Por nuk di se çfarë ndodhi me kulturën në përgjithësi, përgjatë kohës që ka drejtuar Aldo Bumçi, sepse në vend që të shkonin më para, ne bëmë hapa mbrapa në këto fusha. U stopuam. Nuk patëm mbështetje nga shteti.
Çfarë biseda konkrete keni bërë me ministrin Bumçi për festivalin?
-Kemi kërkuar të bëjmë biseda se kanë qenë shumë të paktë ata ministra, të cilët kërkonin të dinin se çfarë vlere dhe kuptimi simbolik kishte festivali. Bumçi nuk kërkonte as shpjegime. Atë më shumë duhet ta kërkoja unë për fatin e festivalit.
I mban mend kush nga ministrat “donte të dinte” dhe kush jo për festivalin “Butrinti 2000”?
-Unë mbaj mend edicionin më të mirë që kemi pasur me Blendi Klosin. Blendi Klosi që s’ishte i fushës së kulturës porsa i përket degës ku ishte diplomuar, e kuptoi shumë drejt konceptin e festivaleve ndërkombëtare që bëheshin në Shqipëri dhe na mblodhi që në fillim të vitit, në shkurt, kur sapo ishte aprovuar buxheti dhe në takimin me disa drejtues festivalesh, ai tha “duke filluar që nga unë do të keni mbështetjen e festivaleve dhe do më thoni se çfarë do të bëhet për festivalet.
Çfarë mendoni që ato të shkojnë më përpara”. Neve na u duk si ngasje dhe detyrë për ta bërë mirë dhe ashtu doli. Gjithashtu kujtoj ish ministrin e kulturës Luan Ramën, i cili nuk nguroi dhe firmosi mbështetjen e festivalit të Butrintit.
Edhe ai sigurisht e kuptonte konceptin dhe vlerën nga formimi i tij prej letërsisë. Këta të dy ish-ministra nuk nguruan së mbështeturi. Ndërsa pas ikjes së Bujar Leskaj nga Ministër Kulture, të gjithë të tjerët që erdhën më pas e abandonuan festivalin.
Sa e detyruar është qeveria për mbështetjen e një festivali që figuron ligjërisht si një projekt privat?
-Festivali i Butrintit ka emblemën e tij “Butrinti 2000”. Nga subjektet dhe shoqatat filluan projektet e para në vitin 2000. ku shumë prej tyre kërkonin të bënin realitet ëndrrën e atij që kishte talent të bënte një projekt të drejtuar mirë apo të vyer për komunitetin. Pra ne kishim një shoqatë që prej ‘98-s të skenës dhe ekranit dhe aplikuam, duke na lindur ideja e një festivali ndërkombëtar teatri.
E nisën në Gjirokastër fillimisht këtë projekt sepse në Butrint në atë kohë ende kishte ferra dhe aty ku luhet teatri ishte një pellg i madh me ujë. Në atë kohë mendova “pse mos t’ia rikthejmë ne teatrit antik, festivalin e teatrit”. E menduam gjatë ‘98-’99-s aventurën tonë. Edi Rama u bë ministër i kulturës në atë kohë dhe ne ia dorëzuam projektin në mënyrë të menjëhershme.
A mund të na e bësh më të qartë sesi e mbështeti menjëherë Edi Rama, kur projekti ishte edhe privat apo jo?
-Është ligji i mbështetjes së këtyre projekteve për festivalet. Është një ligj i dalë nga qeveria dhe është ligj që qëndron ende në fuqi. Ligji parashikon oferta sesa mundësi në dispozicion ka ministria e kulturës për të na besuar dhe sa kemi ne që t’i garantojmë besimin se çfarë vlere ka kjo që po bëjmë. Me Festivalin ne i shërbyem, jo vetëm imazhit të Shqipërisë në rrafshin ndërkombëtar, por edhe zonës së Butrintit.
Ne ishim degë e Institutit Mesdhetar të Teatrit dhe ramë në kontakt me shumë trupa perëndimore. Ne jemi fundi i botës me atë që dimë për teatrin këtu, por me këto kontakte ngritëm festivalin me të mirat dhe të metat e veta dhe u bë. Në dhjetë vjet festivali arriti të ndiqej me 40 mijë spektatorë dhe 250 artistë të huaj kanë ardhur në Butrint.
Komunitetin të artistëve shqiptarë u mungonte një dritare dhe festivali bëri shumë punë. Erdhën regjisorë të shquar me shfaqje të mëdha dhe Butrinti i kishte në gjirin e vet. Kjo është shkolla jonë e dytë e teatrit.
Ministria e Kulturës, meqë më pyete për këtë më lart, ka që nga viti 2000 që sponsorizon projekte private apo të shoqatave private. Vetë i delegon ato, bashkëpunon, inkurajon, duke i kaluar fondet për festivale të rëndësishme. S’ka të bëjë fare me këto punë me rasti që ështrë përfolur ndoshta se ne “vetëm marrim lekët”.
Po ju si privat kontribuoni me fonde, ku i mblidhni të tjerat, kur nuk mjaftojnë?
-Ne nuk kemi fonde për shumë arsye. Pasi ne morëm shumën e dhënë nga MTKRS-ja për mbështetjen kryesore të festivalit të Butrintit, filluam të kërkojmë sponsorët dhe donatorët për të plotësuar nevojat që kishte festivali. Ne arritëm që trupat e huaja të vinin në Shqipëri në atë vit ku sapo kishim dalë nga lufta e Kosovës. Të huajt mendonin se edhe në Shqipëri kishte luftë. Ky ishte imazhi i tyre për ne...
Sa vite degradim i bëhen festivali të Butrintit?
-Nuk di si ndodhi, por di zëvendësministrja e kulturës, Zana Turku, nuk ishte entuziaste. Turkut vetë i tërhiqte kërraba nga muzika. Sot po të shohësh projektet në Ministrinë e Kulturës janë 95 për qind muzikë dhe 5 për qind janë teatër. Se di pse, por kështu pra nisën vështirësitë për festivalin e Butrintit nga MTKRS.
Pastaj kur e mori drejtimin Aldo Bumçi nuk u bë më asgjë për festivalin. Do të tregojë një gjë interesante; atë të letrës së çekëve. Çekët erdhën me një shfaqje nga më të mirat, me “Fedrën”. Ata patën shumë sukses dhe jo vetëm na mahnitën, por edhe vetë u mahnitën me Butrintin, me skenën antike.
Me këtë mbresë aktorja e më e mirë ceke, që luante Fedrën, i dërgon një letër Katerina Çelos që ka qenë atasheu ynë në Pragë dhe thotë se këta çekët, do t’i dërgojnë letër Ministrit të Jashtëm dhe Ministrit të Kulturës: “Pse nuk po bëhet festivali i Butrintit?”.
Ishin të shqetësuar se pse festivali i Butrintit po ndërpritej. I thashë “mos e ço kot se do ta hedhin kosh”, dhe ashtu ndodhi. Një vit më parë e hodhi në kosh edhe ministri i Jashtëm dhe ministri i Kulturës, Bumçi. Ata nuk kishin lidhje me këtë punë fare.
Vjet qeveria nuk dha fonde fare. Po ministri Zhiti si e priti kërkesën tuaj për to?
-Ministri i Kulturës, Visar Zhiti, për shembull më ka ngelur më mendje, sepse më dha kurajë. Më tha që: “nëse unë do të kem mundësi të mbështes diçka, do të mbështes festivalin e Butrintit, sepse ne të gjithë kemi dalë nga Butrinti”. Ai është poet, është djali i një dramaturgu, është i ndjeshëm. Pra me shpirtin e tij bëri aq sa mundi. Kjo është gjë shumë e mirë.
Së fundi cilat janë trupat që do të vijnë në festival?
-Bullgaria do vijë me një pjesë, e cila flet për një histori disa mijëra vjet përpara. Do të vijë një aktore më e madhe e Bullgarisë, 82-vjeçare, dhe ajo do të luajë në skenën e Butrintit. Pastaj do të jetë “Shtëpia e Bernarda Albës” krejt e veçantë, vetëm me muzikë dhe lëvizje.
John Blondell, amerikani që ngjiti në Tiranë “Ëndrra e një nate vere”, do të vijë me trupën e tij për të shfaqur “Shtrëngatën” e Shekspirit në Butrint. Kemi një shfaqje nga Ukraina, Kievi, edhe kjo me muzikë dhe pa tekst, nga Bergamo vjen trupa “Engjëjt”. Trupat për këtë festival do të vijnë nga Italia, Bullgaria, Ukraina, Bullgaria, Spanja dhe Amerika.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 20.06.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)