Një grup i lidhur me organizatën e Shtetit Islamik në Siri dhe Irak (ISIS) njoftoi me anë të një videoja të postuar sot, se kishte vrarë një qytetar francez, të marrë peng të dielën në Algjeri.

Grupi i ashtuquajtur, Jund al-Khilafa, kishte kërcënuar të hënën se do të vriste Hervé Gourdel, 55 vjeç, nëse Franca nuk do të hiqte dorë nga sulmet ajrore në Irak, një ultimatum i refuzuar dje nga presidenti francez, François Hollande.

Videoja e postuar në rrjetet xhihadiste të internetit dhe e titulluar "Mesazh gjaku për qeverinë franceze" fillon me imazhet e Hollande gjatë konferencës së shtypit ku njoftoi pjesëmarrjen e vendit të tij në fushatën ajrore kundër ISIS-it në Irak.

Videoja tregon pengun të ulur në gjunjë me duart pas shpine, i rrethuar nga katër opersona të armatosur dhe me fytyrë të mbuluar.

Algjeria kishte dislokuar gjatë dy ditëve të fundit rreth 1 500 ushtarë në Kabylie (veriperëndim) në përpjekje për të gjetur Hervé Gourdel/ATSH/