Një pjesë të këtyre të fundit i kish shkruar në vitet 20, por që, duke u botuar në kohën e rezistencës antifashiste, merrnin një tingëllim aktual patriotik. Poeti në ato vite, ndonëse ishte anëtar i Këshillit të Shtetit, një post gati formal, ndjehej i shqetësuar për fatin e rëndë të atdheut të robëruar. Kush e njohu nga afër, s’kish si të mos e besonte kur ai rrëfente se pikërisht në këtë kohë kish shkruar vjersha kundër pushtuesve.
Tek fliste për këtë gjë, të vështronte në sy. Vallë, a do ta besonim ne të rinjtë, që nuk mënonim të ishim skeptikë dhe me paragjykime ndaj të vjetërve? Ishte fjala kryesisht për vjershat “Perlat Rexhepi” dhe “Hakërrim”, dy krijime poetike tepër të ndjera, që mund të lindin në zemrën e poetit vetëm në atmosferën e pushtimit. Nuk do ta harroj kurrë shkëlqimin e syve të tij, që shkreptinin nga një ngazëllim i brendshëm, kur një ditë, tek rrinim në klubin e shkrimtarëve, i thashë: “Xha Ali, një poet që ka shkruar marshin “Vlora-Vlora”, s’kish si të mos shkruante këto dy vjersha. Ishin po ata breshkaxhinjë, që zotrote i njihje mirë si më 1920, ashtu dhe më 1940, apo jo?” Ai, në vend që të më përgjigjej, më vuri dorën në qafë....
...Kur sjell ndërmend Ali Asllanin, gjithnjë më del para syve në Klubin e Shkrimtarëve, ulur në kolltuk me atë gotën e vogël përpara duke vështruar përkarshi nga binte dera. Klubi atëherë gjendej pranë Teatrit Popullor. Dhe kjo rrethanë qe fatlume për poetin. Aty vinin kohë pas kohe, sidomos paraditeve, aktoret e teatrit për të pirë kafe e për të pushuar në mes provave.
Poeti picërronte sytë dhe mundohej t’i sodiste nga larg dhe nga afër. Dhe ishte një ngazëllim i vërtetë për të, kur i ulej në tavolinë ndonjë nga aktoret që i pëlqente në mënyrë të veçantë. “Eja, më thoshte mua herë pas here, eja të gëzojmë shpirtin. Shih sa pranë e kemi bukurinë”. Dhe unë, që atëherë isha i ri dhe kisha më shumë shanse për t’m’u afruar ndonjë aktore e bukur, ulesha pranë xha Aliut.
Atij i bëhej qejfi pa masë, se vërtetë në tavolinën tonë vinin e uleshin aktorë e aktore. Atëherë veçse ta shikoje fytyrën e poetit. Sytë i shkreptinin. Binte gati në një farë ekstaze dhe pastaj shtonte në mënyrën e tij të çiltër “Se ju të rinjve këto guguftutë ju vijnë vetë, kurse ne pleqtë duhet t’i ndjellim duke i pëshpëritur “vidi, vidi pëllumbeshë”. Po vallë, a na dëgjojnë, se zëri ynë s’është më i pari?…”
Ali Asllani, një nga djemtë, Luanin, siç do të më tregonte, e kish shkrimtar, por e kish peng për dy arsye: Së pari, e kish larg, të mërguar prej kohësh në Kanada; së dyti, vërtet kishte arritur të bëhej shkrimtar, por ishte autor romanesh policeske, bile kishte fituar edhe çmime kombëtare. Të atit i vinte shumë mirë për këtë, por kish dëshirë të qe bërë poet dhe të këndonte si në anët e tij. Por ai shkruante në fakt në gjuhë të huaj!
Kujtimi i fundit që kam nga Ali Asllani është një poezi që ma dhuroi para se të zinte shtratin dhe m’u lut që një ditë ta botoja. Nuk e harroj atë takim, kur në një tavolinë të Klubit, tek rrinim përballë, ai ma recitoi më një zë të zvargur. Ishte amaneti i poetit në pak vargje. U drejtohej vajzave: “Gjithë jetën ju ndoqa pas dhe tani që po iki, më ndiqni ju”. Ky është kuptimi, me një thelb tepër njerëzor, pra, kulmi i sinqeritetit. Poeti nuk dinte të shtirej e të pozonte. Ai i qëndronte deri në fund besnik vetes, natyrës së tij, shpirtit poetik që i jepte jetë dhe e mbante gjallë.
Dhe unë ia mbajta fjalën. Ia botova, por jo menjëherë pas vdekjes, se dikush e quajti tepër intime dhe mund të cenonte imazhin e autorit. Ajo u botua, më duket, në pesëvjetorin e vdekjes, në një cep të gazetës “Drita”. Kënaqësia ime ishte e madhe jo vetëm se plotësova një amanet të poetit, por dhe sepse poezia u pëlqye si nga më të çiltrat e shkruara prej tij.
Në vitet që erdhën më pas mallin për poetin dhe mikun tim e kam nxjerrë duke lexuar herë pas here poezitë e tij. Dhe them se nga ato mijëra vargje që ai na ka lënë, nuk janë të pakta ato që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me të dhe përftojnë portretin e tij shpirtëror. Madje s’janë të rralla edhe vargjet që tingëllojnë gati si epitafe për veten. Kështu, duke qëmtuar nëpër lirikat e tij, do të pikasja një prej tyre, që ndoshta do t’i shkonte poetit, ashtu e skalitur te koka e gurtë , ku ai fle gjumin e përjetshëm:
Lërmë le , pse doemos
sot a nesër unë do sos,
do të bëhem fije bari
ose plis i një ugari
ose flet’ e një hardhie…
do më nduk një dhëmb dhie…
****
Po i kthehem rishtazi kujtimeve për poetin, po kësaj radhe do të përpiqem të sjell ndër mend e të lidh gjithë ç’më ka treguar për disa momente, që ndoqi krijimtaria e tij. Do të më thosh se ishte rritur në një mjedis fetar. Babai, Asllani, kish qenë teolog me arsim të lartë islam dhe pas vdekjes së tij për të qenë përkujdesur teologë të tjerë, të afërm e miq të të atit, prej të cilëve kish marrë mësime fetare në turqisht, persisht dhe arabisht.
Pastaj në Vlorë, ku kish lindur dhe kish ndjekur shkollën e Muradies e qe shoqëruar me shokë të krishterë, kish mësuar dhe greqisht. Ai tregonte me të qeshur se, pasi kish shkruar në gjuhët orientale nga e djathta në të majtë, kish mësuar të shkruante pastaj nga e majta në të djathtë në gjuhën greke e më pas në atë latine. Dhe kjo s’ishte gjë e vogël për atë kohë. Me këtë adoleshenti lab kish kapërcyer gardhin e ngushtë të mjedisit dhe kish dalë në hapësira më të gjera, po të marrim parasysh se pak më vonë kish nisur të lexonte gazeta dhe libra shqip.
Duke evokuar ato vite të largëta, ai do të më shpjegonte një ditë se, i gjendur në rrethana që s’i kish pasur në dorë, do të qe një prirje e brendshme ajo që e kish bërë të tërhiqej më shumë nga bukuria e këngëve popullore sesa nga mësimet fetare. E kish tërhequr pa masë kënga labe aq e këndshme dhe e kultivuar në mjedisin e në fisin e tij, në Vajzë, në fshatin e prindërve, po akoma më tepër në Trevllazër, te njerëzit e nënës, ku qe rritur jetim.
Një nga dajallarët e tij, Ahmet Memeni, rapsod me emër në gjithë Labërinë e Vlorës, kish ndikuar fort mbi të nipin, që kish një natyrë të ndjeshme e shpirt delikat. Aliu i vogël, para se të thurte vargje, do të mësonte të këndonte, duke iu bashkuar dajës, kur ia merrte këngëve labe nëpër odat e miqve. Dhe vetëm pas kësaj djali i hajthëm i Asllan Sulejmanit nisi të shkruante vargje që, sado e çuditshme të duket, i thuri ato jo në gjuhën amtare, por në turqisht e sidomos në persisht. Dhe kjo ndodhi kur ishte nxënës në gjimnazin “Zosimea” të Janinës.
Persishtja aso kohe mbahej dhe ishte në gjithë Orientin gjuha e poezisë. Edhe Naimi, siç dihet, librin e parë poetik “Ëndërrimet” e shkroi në këtë gjuhë. Edhe Aliu kështu veproi, pa e ditur ndoshta se ç’kish ndodhur me poetin e madh. Por për herë të parë botoi vjersha në gjuhën turke në gazeta dhe revista të Stambollit e të Konjës së Anadollit.
Po, kur ndjeu në shpirt frymën e lëvizjes kombëtare dhe u bë adhurues e ndjekës i Ismail Qemalit, aty nga vitet e fundit të “Zosimeas”, filloi të vargëzojë në gjuhën amtare. Ishin këto, siç kujtonte poeti , vjersha dashurie dhe trimërie, që ia këndonte shpirti. Sepse “nuk kishte si të ngjante ndryshe , or tungjatjeta, kur unë isha i gatuar me shqipen”. Ndaj në vitet që do të vinin, kur iu desh të jetonte e studionte në vise të huaja, kuvendonte në gjuhën e mëmës përmes vargjeve që thurte sa herë që e zinte malli për vendin e lindjes.
Në fakt, do të qenë ngjarjet që erdhën më pas, siç qenë shpallja e Hyrjetit, kongreset shqiptare e sidomos Shpallja e Pavarësisë që e bënë Ali Asllanin të angazhohej në lëvizjen kombëtare dhe t’i këndonte zemra për idealet e saj. Dhe zemra tani e përngaherë do të këndonte vetëm shqip. Këtë do ta dëshmonte me vitin 1914, kur i internuar nga italianët në Itali do të shkruante mbi pesëdhjetë vjersha kryesisht me tema patriotike. Por nga bisedat e tij do të dëgjoja jo një herë se poet të “shqipes së zjarrtë që të lë pa mend, or tungjatjeta, më bëri Vlora”.
Me këto fjalë kish parasysh ngjarjet e epopesë së saj në 1920, që i përjetoi si kurrë ndonjë ngjarje tjetër. Ato do të qenë ditë e net plot emocione të papërsëritshme, të cilat poeti do t’i përndjente gati si në jerm. Do të ishte kjo atmosferë e ndezur, që e bëri të shkruante marshin “Vlora, Vlora, bjeri më t’u lumtë dora”, të cilin vërtet ia kërkoi shoqata patriotike “Përlindja e Shqipërisë” për himn të saj, por, në fakt, ziente brenda gjoksit të poetit.
Kur kujtonte këtë moment, i rrëmbusheshin sytë dhe, sado që mundohej ta fshihte krenarinë, ajo ndihej nga zëri, nga sytë, nga fytyra. Ia njihte meritën e suksesit të madh të këngës muzikës së kompozitorit Thoma Nashi, që u ndodh ato ditë në Vlorë, i ardhur nga Amerika me Bandën e “Vatrës”. Po, kur unë i thashë se “vargjet e zotërisë tënde, xha Ali, janë muzikë më vete, kanë ritëm kryengritës e fjalë barot dhe do të frymëzonin çdo kompozitor”, ai ma mori dorën e ma shtrëngoi fort.
Pastaj do të më tregonte se kënga ish kënduar për herë të parë në mitingun e fitores në shtator të 1920-s, mbledhur në Sheshin e Flamurit, ku ai, si kryekatundar (kryetar i Bashkisë) i Vlorës kish mbajtur një fjalim përshëndetës, që ka mbetur i paharruar në kronikën e kohës. Fryma e epopesë së Vlorës do të bëhej verbi kryengritës i gjithë poezisë patriotike të Ali Asllanit në vitet e mëpasme. Ajo do të mbetej pjesë e pandarë e krijimtarisë së tij edhe kur poeti do t’i këndonte aq bukur dashurisë apo do të satirizonte e stigmatizonte të këqijat e botës shqiptare.
Pas tallazeve politike, që kulmuan me epopenë e Vlorës, po që u pasuan më vonë me luftë e grindje mes forcave të kundërta për pushtet, poeti, që punonte në fillim të viteve 20 si këshilltar e sekretar i përgjithshëm pranë Kryeministrisë, gjeti një rrugë për t’u shmangur nga kjo atmosferë mbytëse për natyrën e tij të ndjeshme. Kërkoi, siç më thoshte, të hynte në shërbimin diplomatik dhe nuk ia refuzuan. Ministër i Jashtëm asokohe do të ishte Fan Noli, i cili jo vetëm do ta mbështeste, por do ta mirëkuptonte e çmonte si zgjidhjen më të mirë për një poet.
Do ta niste punën si Konsull në Trieste, ku do të qëndronte afro tre vjet. Këtu do ta gjenin ngjarjet e 1924-ës, ardhja dhe rrëzimi i Nolit nga pushteti si dhe lëvizja anasjelltas e Zogut. Në janar të 1925-s pati bile dhe një telash, kur Noli, pas disfatës, zbriti në Itali dhe i lypi ndihmë poetit për t’i siguruar vizë atij dhe Luigj Gurakuqit. Ai nuk e refuzoi, përkundrazi pati guximin që të ndërhynte e t’ia siguronte.
Ky gjest do t’i kushtonte përkohësisht, sepse do ta kthenin në Tiranë, por Zogu do ta falte poetin, duke e dërguar me detyrën e të Ngarkuarit me punë në Sofje, ku do të qëndronte gati pesë vjet. Në kryeqytetin bullgar ai do të gjente një mjedis të ngrohte e të qetë, i mirëpritur jo vetëm nga kolonia patriotike shqiptare, por dhe nga rrethet zyrtare e intelektuale. Poeti do ta kujtonte atë kohë me nostalgji sa herë binte fjala, sepse, siç thoshte, gjeti vetveten, iu kthye frymëzimi dhe iu kushtua poezisë si asnjëherë më parë.
Edhe pse në dhe të huaj, ai kish me vete botën shqiptare, njerëzit e saj, jetën dhe psikologjinë e tyre, zakonet dhe mentalitetet, të cilat herë pas here i faniteshin në distancë me një forcë joshëse e qartësi të habitshme. Ky, siç e shpjegonte ai, nuk është vetëm malli kur ndodhesh larg atdheut, por një gjendje e veçantë shpirtërore, një përjetim i thellë, që i zgjohet vetëm krijuesit, poetit.
Atij i kishin mbetur në mendje ato ditë e net, kur i kish lindur ideja dhe kish nisur t’i përftohej imazhi i një vepre poetike, e cila jo vetëm do t’i kapërcente kufijtë e poezive lirike që kish shkruar deri atëherë, por do të përbënte një vepër të veçantë tregimtare në vargje të poezisë shqipe. Kështu kish ardhur në jetën e tij “Hanko Halla”. I kish ardhur nga brenda dhe nga jashtë vetes, përmes kujtimeve dhe mendimeve, nostalgjisë dhe qesëndisë për njerëz e mjedise, të cilët i ndjente të afërt tani që detyra e kish hedhur larg tyre.
Por ishte tamam kjo largësi, ai mjedis i huaj ku ndodhej, që do të ktheheshin në një sfond plot dritë, ku do të gjallonte e lëvizte Hanko Halla, heroina e tij. Për afro tre vjet poeti do të jepte e merrte me të, do të dialogonte me veten, do të evokonte ngjarje dhe momente psikologjike, që zbërthenin karakterin dhe tipin e Hanko Hallës. Kësaj here do t’i linte mënjanë dufet lirike dhe do t’i kthehej humorit e satirës, talljes e qesëndisë për një realitet e mentalitet anakronik, që po perëndonte me vështirësi në shoqërinë shqiptare.
Kur bisedonim për Hanko Hallën, poeti nuk do të mënonte të më thoshte se, ashtu siç e kish trajtuar atë, ai ish radhitur në krahun e progresit dhe kjo s’qe meritë e vogël, përderisa i qe kundërvënë e i kish shpallur luftë të vjetrës. “Je treguar dialektik”, i thosha unë, ndërsa ai më vështronte me njëfarë mosbesimi e ma kthente: “Atë nuk e di unë, e dini ju të sotmit”.
Poeti do të më tregonte se poemën e kish shkruar në Sofje më 1929 dhe i kish dhënë dorën e fundit nga fillimi i viteve 30 në Athinë. E kish mbajtur goxha nëpër duar, duke iu kthyer e rikthyer herë pas here. Asnjë vepër nuk i kish nxjerrë punë sa kjo poemë, jo aq nga përmasat, më e gjata që kish shkruar, sesa nga “tema e sëkëlldisur”, siç thoshte, që “hajt të të kuptonin drejtazi, or tungjatjeta!”
Kjo ishte arsyeja pse nuk e dërgoi ta botonte në Shqipëri, por e çoi në shtypin e diasporës. E botoi në disa numra në maj të vitit 1932 tek gazeta “Kosova”, që nxirrte Gjergj Bubani në Kostancë. Me këtë rast poeti, siç do ta pohonte dhe vetë, veproi diplomatikisht. Nuk i doli ballazi opinionit publik shqiptar, sidomos atij konservator, i cili në fakt nuk e mirëpriti.
Madje dhe të rinjtë do të kërkonin që poeti të tregohej më radikal ndaj një bote e një klase që i kish ikur koha. Poeti i ri Shefqet Musaraj do t’i përgjigjej duke shkruar poemën “Bujku i Hanko Hallës” (Kushtuar zotit A.A.), një “polemikë” poetike dashamirëse, që u botua më 1935. Në fakt “Hanko Halla” erdhi me vonesë në Shqipëri dhe u njoh në rrethe të ngushta, por dhe në këto rrethana ajo u çmua dhe u vlerësua lart.
Poeti, ca nga modestia e ca nga pozita zyrtare që kish, nuk bëri ndonjë përpjekje të veçantë për ta botuar në atdhe. Vetëm pas dhjetë vjetësh (1942) ai arriti ta botojë në Tiranë libër më vete tok me dy poemat e tjera. Ajo njohu një ringjallje të vërtetë dhe pati jehonë të madhe, duke u cilësuar si vepra madhore e poetit dhe një nga faqet më të bukura të poezisë shqipe. Xha Aliu do ta përmendte këtë ngjarje, por me shumë kujdes, duke qenë se kish ndodhur në kohën e pushtimit.
Njëherë, kur bisedonim në Klubin e Shkrimtarëve, pasi kish kthyer gotën e dytë të konjakut, ai do të më tregonte se asokohe “ishte bërë sebep” “Hanko Halla”, ndoshta më shumë se veprat e tjera, që ai të zgjidhej anëtar i Institutit shqiptar të Studimeve. “Mblidheshim dhe ne poetët atëherë, - më tha. – Nuk kishim klub si ky ku jemi sot, por shkonim e vinim në shtëpitë e njëri-tjetrit dhe rastiste të lexonim ato që shkruanim. Unë jo një herë kisha thirrur sivëllezërit e mi të pendës dhe ua deklamoja Hankon. Ata më dëgjonin më vëmendje dhe herë-herë gajaseshin. Më vinte mirë, bile shumë mirë. Kjo do të thoshte se nuk më kish shkuar mundi kot”.
Por, sipas poetit, ato qenë kohë të vështira, me halle të mëdha për Shqipërinë. “Na kishin ardhur e na kishin zënë vendin sërish breshkaxhinjtë, - do të më thoshte, duke evokuar atë kohë të largët. – Unë kësaj here nuk isha kryekatundari i Vlorës, që tok me lebërit i kishin treguar grykën e pushkës, por anëtar i Këshillit të Shtetit, një farë senatori, që lëre mos e nga, sa për atë rrogë që na jepte xhymyrieti.
Zotrote do të më pyesësh pse e pranova? Unë do të përgjigjem: aman, të kam rixha, mos më zër ne vend të lik. Ishin kohëra shumë të ngatërruara. Çdo gjë që të të them, tani fjalët janë të tepërta. Një gjë është e vërtetë që do të ishte Nacional-Çlirimtarja ajo që na zgjoi nga gjumi ne që e hiqnim veten patriotë të vjetër. Mua më zgjoi e më ngriti në këmbë Perlati, djali i kushëririt tim Rexhep Sulejmanit.
Gjaku i tij që derdhi atje në Shkodër ishte nga gjaku im. U trondita dhe i thirra mendjes. Ai me shokët e tij po përsërisnin Vlorën e Njëzetës dhe unë kapardisesha në mes të Tiranës. I thirra mëndjes dhe u ngreç e vajta në Vlorë. Më kujtohet si tani, kur kalova nga Sheshi i Flamurit dhe pashë shtyllën e shtizës së Flamurit, që kisha projektuar vetë sa kohë isha kryetar bashkie.
Më pikoi në zemër tek pashë varur atë makso flamur me shpatë të Liktorit. Pastaj se si m’u kujtua dita kur dolëm në skelë dhe pritëm trupin e Ismail Qemalit, që italianët e sollën me një fregatë ushtarake më 1919. Shkova unë, si kryetar i Bashkisë që isha, ta merrja në dorëzim arkivolin. Po ç’më panë sytë kur u gjenda përpara tyre dhe e hapën! E kishin mbuluar me flamurin italian. M’u err shikimi dhe gati sa nuk ulurrita. “Jo, - thashë, - babai i shtetit shqiptar nuk merret me këtë flamur, po me flamurin e tij, që ai vetë e ngriti”.
Dhe breshkaxhinjtë u detyruan atëherë ta heqin dhe ne e mbuluam pastaj me flamurin tonë. Kështu e zbritëm në breg, ku kish ardhur ta nderonte gjithë Vlora. Kjo ngjarje m’u faneps dhe atë ditë tek kaloja nga sheshi i flamurit. Nuk e desha veten. Nuk më nxinte Vlora. Aq sëkëlldi kisha, sa u hodha e shkova në Vajzë. Atje, nën malet e Gribës, për ditë e net me radhë, e burgosa veten në mes të katër mureve. Ç’mund të bëja unë? Nuk kisha as versë e as takat, e akoma më shumë sy e faqe për të luftuar, mor bir.
E vetmja gjë e shenjtë që kisha brenda vetes, qe dashuria për vatan dhe ai zemërim farmak ndaj atyre që na kishin zënë vatrat tona, vatrat shqiptare, për të cilat unë kisha kënduar, por që tani s’ishin më tonat. Për të gjitha këto mendohesha dhe vuaja ato ditë në Vajzë, ku kishim rrënjët e fisit tonë. Mendonesha dhe më hipte një tërbim për të gjithë ata miq e kolegë që duke i thënë armikut peqe, i kishin bërë varrin Shqipërisë dhe e kishin çuar kombin në greminë. Të tërë këta qenë maskarenj e zuzarë. Ishte koha e tyre dhe jo e imja. Dhe shpërtheva nëpër vargje zemërimi e hakërrimi. Bile, nën këtë fjalë të fundit e titullova vjershën që më doli nga shpirti i lënduar.
Ua këndova miqve të afërt dhe ata e pëlqyen. Pastaj dorazi e morën ata të Nacional-Çlirimtares, shokët e Perlatit, dhe e shtypnë si trakt ilegal, të cilën e kënduan partizanët e populli, pa ditur se kush e kish thurur. U preka pa masë se po kontribuoja dhe unë në luftën që kishte nisur me aq guxim djalëria shqiptare.
Më pas shkrova dhe një vjershë drejtpërdrejt për vdekjen e Perlatit, ku pyesja Labërinë dhe Shqipërinë se ku ishte ai dhe ato më përgjigjeshin se “djep kishte Bunën dhe varr ka Rozafatin”. Kështu punët e mia, more bir, në ato kohëra të vështira. Kaq bëra, se kaq munda. Të mundja më shumë, s’e lija pa bërë! Fatin e Shqipërisë e kish marrë në dorë djalëria dhe ajo i doli për zot vatanit. I lumtë, që na zbardhi faqen!”
Gjithë këtë rrëfim, poeti do të ma bënte një pasdreke të vonë vere, në Klubin e Shkrimtarëve, ku pothuajse ishim vetëm. Kish në zërin e tij një lloj pezmi e një lloj pengu, por të përmbajtur dhe të shprehur përmes një qëndrimi dinjitoz. Ndihej në këtë rast burri, ndihej dhe poeti, shpirti i butë e delikat.
Pasoi një pauzë e gjatë, kur tek rrinim në heshtje, poeti futi dorën në xhepin e brendshëm të xhaketës dhe nga portofoli, me duart që i dridheshin, nxori një letër të palosur në katërsh dhe ma nderi: “Ja, - më tha, “Hakërrima” origjinale që shkrova atëherë. E ke dhe datën, dhe orën”.
U stepa për një çast, sepse nuk e prisja këtë gjest të poetit plak. Por ai, me sa duket, me këtë dëshmi donte të më bindte për antifashizmin e tij të dikurshëm.
Vijon nesër...
Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)