Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj prezantoi sot në Shkodër listën e kandidatëve për këshillin bashkiak.
Ndërsa vlerësoi integritetin e personave të përfshirë në këtë listë, Alibeaj sulmoi po ashtu koalicionin ndërmjet Sali Berishës dhe Ilir Metës. Në fjalën e tij Alibeaj tha se ekzistenca politike e Berishës dhe Metës bën që Edi Rama të duket si alternativë.
Berisha kërkon të marrë monopolin e opozitës. Dhe duke bërë këtë të vazhdojë ti japë oksigjen qeverisë së Edi Rames sepse vetëm ekzistenca politike për 33 vite e Sali Berishës dhe Metës e bën Ramën që të duket si një alternative. Imagjinoni një moment të mos jetë Berisha dhe Meta, të mos jete gjithë trajektorja e tyre politike 33 vjeçare. Hap televizorin ne 90 hap në 2023 po të njëjtat fytyra, vetëm atëherë do të kuptohet qe ky Rama brenda orës është i sfiduar nga secili të paktën këtyre përfaqësueseve tanë ne këshillin bashkiak. Çdo opozitë normale e pastruar nga figurat e akuzuar për inkurajim te korrupsionit madhor dhe minimit të demokracisë do ta kishte rrëzuar me kohë Ramen dhe qeverinë e tij skandaloze dhe antikombëtare.’- tha Alibeaj.
Kreu në detyrë i PD-së u shpreh se Sali Berisha po sulmon partinë për të krijuar një lëvizje antiamerikanë në Shqipëri.
‘Berisha sulmon partinë tonë për te krijuar një lëvizje antiamerikane në Shqipëri. Ai e quan lëvizjen e tij sovranizëm, përdor sloganin Shqipërisë i dalim zot. Në kujtesën tonë është e ngulitur fort qe shtetet evropianë e kanë deleguar sovranitetin e tyre në NATO. E kane deleguar ne BE. E në rast lufte nuk na del për zot Berisha dhe ato qe i shkojnë pas.’- u shpreh Alibeaj.
Sipas tij, “Sali Berisha ka disa motive por asnjërën ne interes të demokratëve”.
“Së pari kërkon ta kthejë PD-në në një bunker antiamerikan për t’u mbrojtur nga veprimi i drejtësisë për akuzat që i janë bërë atij nga aleatët tanë të mëdhenj, për korrupsion masiv dhe minim të demokracisë. Po ashtu, Berisha kërkon të marrë monopolin e opozitës”, shtoi ai.
Alibeaj tha se “kantieri më i madh për ne demokratët është pas 15 majit”.
“PD pas 15 majit do t’i nënshtrohet një procesi për zgjidhjen dhe zgjedhjen e organeve drejtuese të saj, duke iu futur një procesi të gjerë demokratik. Me rregulla të reja, me tradita të reja, për të lënë pas traditën berishiste, për t’u ndarë përfundimisht nga e kaluara dhe për të bërë një hap të ri”, shtoi ai.