Me këtë alibi Dritan Dajti po mban peng prej 10 vitesh drejtësinë Shqiptare, ku çështja është gjykuar dhe po rigjykohet sërisht. Por i akuzuari vijon të këmbëngulë se efektivët e policisë që ishin në operacionin për arrestimin e tij në Durrës, nuk kishin asnjë shenjë dalluese, që do i identifikonte ata si punonjës të Policisë së Shtetit.
Mungesa e këtij detaji të vogël por shumë të rëndësishëm në operacionin policor të 7 gushtit 2007, e ka shtyrë të pandehurin Dajti ti kërkojë disa herë prokurorisë që të ndryshojë akuzën, nga “Vrasje në rrethana cilësuese” ndaj punonjësit të policisë së Shtetit në “Vrasjes së kryer me kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”.
Sot pas 10 vitesh nga masakra e Durrësit, alibia e Dritan Dajtit po gjen çdo ditë e më tepër zgjerim, ku të pandehur të ndryshëm deklarojnë në sallën e gjyqit se kishin kryer një vepër penale kundër punonjësve të Policisë së Shtetit, por nuk e dinin që ata ishin police.
Kjo për shkak se sipas tyre gjatë operacionit policia ka qenë e papërgatitur, duke mos pasur asnjë shenjë dalluese që do i identifikonte Policë. Një qëndrim të tillë e mbajti në gjykatë i arrestuari i pesë ditëve më parë në Cërrik Enea Bekteshi që dyshohet të jetë anëtar i një grupi kriminal në Elbasan.
Betkteshi pohoi se ishte ai që drejtonte “Audi”-n e blinduar, dhe se në momentin e aksidentit, nuk ka kuptuar fare që makina, që ai goditi ishte e policisë.
“…isha unë në makinë por s’kam qenë me shpejtësi. Doja të futesha te tregu, por makina Golf bëri mbrapa dhe prandaj ndodhi edhe aksidenti. Nuk e pashë që makinat përballë tregut ishin të Policisë. Nuk kishin as fenelina policia. Edhe policët ishin të veshur civil, ndërkohë që nuk më është bërë shenjë për të ndaluar…”-ka rëfyer para gjykatës Bekteshi.
Më tej ky i fundit ka shtuar duke thënë:”…jam larguar me shpejtësi menjëherë sapo dëgjova të shtënat. Kam parë plumbat në xhama dhe u tremba, prandaj ika”.
Ngjarja e 18 shtatorit në Elbasan, tashmë ka vënë në lëvizje dhe Drejtorinë e Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA) në Ministrinë e Brendshme, e cila po verifikon planin e masave të policisë në operacion, duke pasur parasysh dhe alibinë që të arrestuarit kanë përdorur.
Në ligjin Nr.108/2014 për Policinë e Shtetit neni 89/d që flet për detyrimet që ka një punonjës policie thuhet se ”…punonjësi i policisë ka detyrim të përdorë uniformën, shenjat dhe simbolet e policisë vetëm gjatë kryerjes së shërbimit dhe në përputhje me rregullat e vendosura…”.
Të kontaktuar në telefon nga ”Shqiptarja.com” drejtues të SHÇBA refuzuan të japin një koment lidhur me këtë ngjarje dhe veprimet në teren të policisë, duke pohuar se çështja është në hetim.
Ish-drejtori i Policisë së Elbasanit Edmond Koseni që drejtoi rendin në këtë qytet në vitet më të vështira, deklaroi për “Shqiptarja.com” se policia duhet patjetër të jetë shumë e përgatitur jo vetëm në aspektin e ndërhyrjes finale, por edhe për vetëidentifikimin e saj.
“…nuk më është vrarë asnjë efektiv polici, kur kam shërbyer në Elbasan në një qytet që të gjithë ishin me automatikë në krahë. Për çdo operacion që kryeja marrja masat e para tu siguroja jetën policëve të mi,pastaj ndërhyhej në bazë të një plani që hartohej nga një komision…”-thotë Koseni.
Mirëpo teksa Dritan Dajti lufton prej 10 vitesh të bindë Gjykatën e Krimeve të Rënda,se ai ka të drejtë dhe në një kohë kur Enea Bekteshi kërkon tia hedhë drejtësisë duke përdorur këtë alibi, Arjan Çapja dhe Bledar Muça anëtarë fisit “Çapja” në Elbasan kanë mundur t’ia dalin pikërisht duke përdorur në gjykatë kartën e mosnjohjes së policëve.
Në qershor të 2016 rreth orës 18:50, automjeti i markës “Mazda”, me targe AA411AU, ku udhëtonin punonjësit e forcave operacionale M.P dhe L.B,ka qënë në lëvizje në rrugën “Emin Matraxhiu” të qytetit të Elbasanit, pasi kishin marrë detyrë për mbajtjen nën vëzhgim të anëtarëve të familjes Çapja.
Papritur ata janë sulmuar me armë nga persona që ndodheshin në një automjet tip “Benz-Merecedes” të blinduar me targë AA0007MZ në pronësi të Bledar Muçës.
Arjan Çapja pronari i hotel “Univers” në Elbasan dhe miku i tij Bledar Muça, person me precendentë penalë, u arrestuan nga forcat RENEA në qershor 2016, pasi siç u pretendua nga policia kishin sulmuar me armë dy efektivë policie, që ishin caktuar me shërbim vëzhgimi pranë lagjes së tyre.
Çapja deklaroi gjatë fazës hetimore se nuk ka qenë në vedngjarje por në shtëpi, dhe për pasojë çështja kundër tij u pushua.
Ndërsa Muça në Gjykatën e Krimeve të Rënda pretendoi se kishin qëlluar dy efektivët e policisë, pasi kishte vënë re se ai po ndiqej prej tyre dhe kishte menduar se ishin hasmit e tij,duke vendosur ti qëllojë, pasi nuk ka parë asnjë shenjë identifikuese “Policia” tek ta.
Për më tepër Muça ka shtuar në alibinë e tij se edhe tre personat që sulmuan anëtarët e fisit “Çapja” në Elbasan, ku shkaktuar tre viktima kanë qenë të veshur me uniforma policie.
Kjo alibi e Bledar Muçës gjeti mbështetje dhe nga Prokuroria e Krimeve të Rënda,e cila në 28 dhjetor 2016 vendosi t’ia ndryshojë akuzën Muçës, duke e akuzuar atë për “Vrasjes së kryer me kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” mbetur në tentativë.
Pas këtij kualifikim akuze dosja penale i kaloi prokurorisë së Elbasanit, ku kryprokurori Dritan Gina mbrojti akuzën në gjykatë.
Në përfundim të gjykimit, gjykata e Elbasanit vendosi të dënojë Bledar Muçën me dy vite burgim.
Arjan Hoxha, një ish-funksionar i policisë së Tiranës i tha “Shqiptarja.com” se këto dy grupe kriminale që kanë ushtruar aktivitet në Elbasan kanë qenë totalisht jashtë kontrollit të policisë dhe kur policia është orvatur ti mbajë në vëzhgim të dyja grupet reagojnë shumë dhunshëm ndaj punonjësve të policisë.
“…Çapjat kanë reaguar me armë jo se nuk e kanë ditur se janë punonjës policie por se kanë dashur të jenë jashtë kontrollit të policisë dhe për të ruajtur influencën e tyre pasi kanë qënë të bindur se policia është në krahun e grupit tjetër…”-thotë për “Shqiptarja.com” Arjan Hoxha.
Hoxha i tha gazetës se nuk ka asnjë rast të vetëm që policia të mos zbatojë urdhërin e Prokurorisë për mbajtje nën kontroll të veprimtarisë kriminale të personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
“…Justifikimi që nuk kemi burime njerëzore është tërësisht i pavërtet pasi kjo detyrë prevalon ndaj çdo detyre tjetër që atë kohë mund të ketë pasur policia dhe prokuroria e Elbasanit…”-thotë Arjan Hoxha.
Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com