Alice Munro
Nobelistja që shkroi për virgjëreshat shqiptare

Alice Munro<br />Nobelistja që shkroi për virgjëreshat shqiptare
TIRANE- Alice Munro kishte hequr dorë nga letërsia. Ishte 81 vjeç teksa u shpreh: “Nuk do të shkruaj më. Në moshën time nuk dëshiron të jesh më vetëm, ashtu siç një shkrimtar duhet të jetë”. Botuesi i saj prej thuajse 2 vitesh nuk merrte më asgjë të re nga ajo. Dhe ja tek vjen çmim i madh Nobel. Shkrimtarja kanadeze 82-vjeçare  e ka pritur  mes emocioneve të papërshkrueshme dhe habisë së skajshme këtë vlerësim të Akademisë Suedeze. Munro tha se ishte jashtëzakonisht e befasuar dhe e kënaqur kur e bija e kishte zgjuar nga gjumi për t'i dhënë lajmin. E dija se çmimi do të vinte, por kurrë nuk e mendoja se do ta fitoja, i tha ajo Televizionit kanadez CBC.

Ajo tha se gjithnjë e kishte parë marrjen e Çmimit Nobel si njërën nga ato ëndrrat "që mund të ndodhin, por që zakonisht nuk bëhen realitet". Akademia suedeze nuk ishte në gjendje të lidhej menjëherë me znj. Munro për t'i dhënë lajmin e gëzuar, por më në fund përdori Twitterin për ta gjetur laureaten, e cila preferon të rrijë larg publikut.
Peter Englund, sekretar i përhershëm i Akademisë Suedeze, ka thënë se zonja Munro është e aftë të bëjë “një portretizim fantastik të qenieve njerëzore”. “Ajo  ka bërë një punë të mrekullueshme ", tha z Englund. "Gjithçka që ajo ka barë është më se e mjaftueshme për të fituar Çmimin Nobel dhe nëse ajo dëshiron që të ndalojë të shkruari, tani mund ta bëjë…

Nga lexuesit e saj në Twitter Munro ishte një favorite. Disa njerëz kanë hedhur baste nëse fitorja e zonjës Munro ishte një tregues sesi proza e shkurtër është duke hyrë në një epokë të artë, sepse çmimet për fituesit e Çmimit Nobel kanë tendencë të përqendrohen në romane apo poezi.
Munro do të përfitojë 916 mijë euro për çmimin e fituar. Kandidat për të fituar këtë çmim ishin 195 autorë, mes të cilëve 48 konkurronin për herë të parë. Po ashtu, kandidat për të fituar këtë çmim ishte edhe shkrimtari shqiptar Ismail Kadare.

Që prej vitit 1901, datë që përkon me shpërndarjen e çmimeve Nobel për letërsinë, e kanë fituar vetëm 12 femra.
Munro është autore e tregimit "Virgjëresha shqiptare" frymëzuar prej një tregimi të Edith Durham, të cilin e gjeti fare rastësisht në një bibliotekë. Ajo pat rrëfyer për gazetën "New York Times" se "Nuk kisha dëgjuar ndonjëherë për ndonjë shoqëri tjetër në botë, ku ndryshimet gjinore e vinin femrën në një pozitë të tillë.

Po ashtu këtë tregim Munro e ka përmendur edhe ndërsa ka folur për procesin e të shkruarit në një intervistë për revistën ‘The Paris Review’. "Disa herë, kur shkruaj, jam e pasigurt dhe ndryshoj vetën e rrëfimit, kaloj nga veta e parë tek e treta, madje e ndryshoj disa herë. Ky është një ndër problemet e mij më të mëdhenj. Shpesh e shkruaj tregimin në vetën e parë por pastaj e ndjej se, për një arsye të pashpjegueshme, kjo nuk funksionon. Në këto raste ndikohem shumë nga çka më thonë të tjerët se ç'duhet të bëj. Për shembull, agjentit tim nuk i pëlqeu përdorimi i vetës së parë në tregimin The Albanian Virgin "Virgjëresha shqiptare" dhe, meqenëse unë nuk isha plotësisht e sigurtë, më bindi ta ndryshoj. Por pastaj e ndryshova përsëri rrëfimin, duke e kthyer në vetën e parë”, ka thënë ajo. 

Ky tregim është botuar në gjuhën shqipe ën vitin 2005 nga Ideart, si pjesë e një vëllimi me tregime nën përkthimin e Pirro Dollanit, që ka marrë pikërisht titullin e këtij tregimi. Shkrimtarja Alice Munro ka merituar të gjithë trofetë e mundshëm letrarë. Në vitin 2009, kjo autore fitoi edhe çmimin prestigjioz letrar “Man Book Prize". Ndërsa vetëm dy javë më parë Munro mori çmimin “International Festival of Authors”, çmim që shoqërohet me shumën 10 mijë dollarë. Libri i fundit i saj është “Dear Life”.
 
Ja 10 fakte për Alice Munro sipas Guardian Books
1 Emri i saj i lindjes është Alice Laidlaw .
2 Ajo u lind më 10 korrik 1931, pranë Wingham, Ontario,që paraqitet shpesh në tregimet e saj (më pas është quajtur Jubilee, ose Hanratty).
3 Babai i saj, Robert Laidlaë, ishte një pasardhës i drejtpërdrejtë i James Hogg, autori i “The Private Memoirs” dhe “Confessions of a Justified Sinner”
4. Ajo ka thënë diku se filloi të arratisej mes librash, pasi nëna e saj mësuese u diagnostikua me një formë të pazakontë të Parkinsonit, kur Alice, më e madhja e tre fëmijëve, ishte 10 vjeç.
5. Ajo fitoi një bursë për gazetari në Universitetin e Western Ontario-s, ku ajo mbahej mes të tjerash, edhe duke shitur gjak.
6. Munro botoi historinë e saj të parë "The Dimensions of a Shadow", kur qe akoma studente, më 1950.
7. Me burrin e saj të parë, Jim Munro, ajo hapi një librari, “Librat Munro”, e cila është aktive sot në Victoria, British Columbia. E veçanta e tyre ishte se mbanin botime të vjetra, pothuajse ekskluzive, në një kohë kur shumë shitës të tjerë i përçmonin.
8. Burri i saj i dytë, gjeografi Gerry Fremlin, ishte një mik i vjetër nga universiteti. Ata vendosën të martohen pas një ritakimi pasi kishin pirë dhe nga 3 martini.
9. Kur Munro fitoi çmimin Man Booker International në vitin 2009, gjyqtari Jane Smiley e përshkroi punën e saj si "praktikisht të përsosur".
10. Ajo është kanadezja e parë që iu dha Çmimin Nobel në Letërsi
 
Virgjëresha shqiptare
Gjinia: Tregim
Autori: Alice Munro
Përktheu: Pirro Dollani
Shtëpia botuese: Ideart, 2005
Faqe: 104

Shkrimi u publikua sot (11.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Media spanjolle ‘El Cronista’: Shqipëria, vizitoni plazhet parajsore të destinacionit mesdhetar me kosto të ulët

Media spanjolle ‘El Cronista’: Shqipëria, vizitoni plazhet parajsore të destinacionit mesdhetar me kosto të ulët