Dështon mbledhja e komisionit të Reformës Zgjedhore, deputetët e Bardhit e Berishës e bllokojnë! Gjiknuri: Veprime vandale! Ecim para dhe pa ta

Mbledhja e parë pas 2 vitesh e Komisionit të Reformës Zgjedhore dështoi të zhvillohej. Deputetët e Gazment Bardhit dhe “Rithemelimit”, që kundërshtojnë reformën e rinisur mes PS e PD zyrtare, bllokuan sallën dhe zunë karriget ku do të uleshin anëtarët e Komisionit.

Pavarësisht bllokimit të sallës, socialistët e bënë një përpjekje, për t’i bindur deputetët e opozitës të lejojnë mbajtjen e mbledhjes, por thirrja e Damian Gjiknurit, ra në vesh të shurdhët. Ndonëse vetëm pak minuta para nisjes, kishte pohuar se do të merrte pjesë fizikisht në takimin e parë për Reformën Zgjedhore, Enkelejd Alibeaj me deputetët e tjerë të PD zyrtare nuk erdhën. 

Në këtë situatë, Damian Gjiknuri me të vetët, u largua me mesazhin se asgjë nuk do ta bllokojë Reformën Zgjedhore.

‘Reforma do ecë përpara, edhe nëse opozita nuk do të bëhet pjesë do të gjendet mënyra për ta çuar përpara”- u shpreh Gjiknuri.

Pasi ia doli të bllokojë mbledhjen e parë, Gazment Bardhi tha se nuk do të lejojë reformë të njëanshme. Në pak minuta, nga të dy grupet e demokratëve u dhanë deklarata ku akuzonin njëri tjetrin, për pazar me Edi Ramën.

‘Ishte premtuar një akt tjetër i farsës mes deputetëve të mazhorancës dhe atyre me mandat opozitar për të bërë sikur kanë ndërmend të bëjnë rReformë Zgjedhore. Qëllimi ishte tu hidhnin hi syve qytetarëve shqiptarë. Po mbahet peng e bllokuar nga vullneti i Edi Ramës.’- tha Bardhi.

‘Sikundër e shohim qartë edhe ne bashke me shqiptarët se PS dhe segmente të opozites janë të interesuar ta mbajnë peng këtë proces.’- tha Alibeaj.

Në mbledhjen e parë të Komisionit të Reformës Zgjedhore, që punën do ta riniste pas nxitjes së OSBE/ODIHR për të çuar përpara rekomandimet për rregulla të reja elektorale, do të miratohej kalendari i dakordësuar mes dy bashkëkryetarëve Gjiknuri e Alibeaj, sipas të cilit një draft i dakordësuar do të duhet të ishte gati në mars të këtij viti.

Në ndryshimet për Reformën Zgjedhore, PD ka propozuar sistem proporcional kombëtar, lista të hapura, votim dhe numërim elektronik dhe votën e diasporës.

Komisioni për reformën zgjedhore u miratua në shkurt të vitit 2022. Komisioni përbëhet nga 18 anëtarë, ku mazhoranca socialiste do të ketë 9 anëtarë, PD-ja 6 anëtarë dhe anëtarët e tjerë janë Fatmir Mediu, Shpëtim Idrizi dhe Petrit Vasili. 

PS ka caktuar si bashkëkryetar Sekretarin e Përgjithshëm, Damian Gjiknuri, ndërsa opozita i është përgjigjur në këtë pozicion me kreu e grupit, Enkelejd Alibeaj. Lista e anëtarëve të këtij komisioni nga maxhoranca përbëhet nga Blerina Gjylameti, Klotilda Bushka, Toni Gogu, Ermonela Felaj, Arben Pëllumbi, Blendi Klosi dhe Klevis Xhoxhi.

Sa i përket Partisë Demokratike anëtarë janë zgjedhur Oerd Bylykbashi, Dashnor Sula, Kreshnik Çollaku, Lindita Metaliaj, Seladin Jakupllari, Ervin Salianji, Eralda Bano. Anëtarë në komision nga grupi i Partisë Demokratike, figuron edhe Grida Duma, por kjo e fundit nuk është më deputetet e Kuvendit të Shqipërisë që prej 8 nëntorit 2022. Megjithatë sipas Partisë Socialiste, anëtari zëvendësues, që kanë tre, mund të vij në vend të deputetes Grida Dumës dhe se nuk është e nevojshme që të bëhen ndryshime në përbërjen e komisionit.

Ndiqni lajmet ne zhvillim

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:32
Reforma Zgjedhore, Çuçi: Të dyja palët e partisë së bërë copë e çikë zhyten më keq në krizën ku kanë rënë! Sot pyetja me kë të flasësh mori përgjigje të qartë

1705664131_112.jpeg

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, dënon bllokimin që i bënë sot disa deputetë të opozitës mbledhjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore. Përmes një deklarate Çuçi thotë se pyetja me kë të flasësh mori përgjigje të qartë. Sipas tij nga njëra anë janë ata që bëjnë skena dhune dhe pengojnë deputetët, nga ana tjetër janë ata që edhe kur thërrasin vetë Komisionin e Reformës Zgjedhore nuk paraqiten në mbledhje. Shqiptarët e kanë të qartë zgjedhjen thekson Çuçi, Partinë Socialiste.

'Pyetja “me kë të flasësh” mori përgjigje më qartë se kurrë sot. Me ata të revolucionit të karrigeve që përsërisin skenat e dhunës sa tek selia e tyre e sa në Kuvend nga njëra anë, apo me ata që edhe kur thërrasin vetë Komisionin e Reformës Zgjedhore nuk paraqiten në mbledhje? Të dyja palët e partisë së bërë copë e çikë përveçse zhyten më keq në krizën ku kanë rënë prej vulës së humbur dhe sikletit me drejtësinë e re, nuk e pengojnë dot as reformën zgjedhore dhe as jetën parlamentare. Gjithesesi shqiptarët janë gjithmonë e më të qarte ne pergjigjen e tyre per Shqiperine. Partia Socialiste!'- thotë Çuçi.

Ora 12:59
Grupimi Bardhi-Berisha bllokuan komisionin për Reformën Zgjedhore, Alibeaj: Teatër i shëmtuar, po përdoren nga Rama

 

Bashkëkryetari për Reformën Zgjedhore, Enklejd Alibeaj e ka cilësuar si teatër të shëmtuar bllokimin e mbledhjes nga grupimi i deputetëve të Gazment Bardhit dhe dhe Sali Berishës. Sipas Alibeajt ata po përdoren nga Edi Rama.

'Jemi te bindur te vazhdojme rrugen tone per ti siguruar shqiptareve nje reforme zgjedhore, me lista te hapura, barazi vote, votim dhe numerim elektronik dhe voten e diaspores.  Sikunder e shohim qarte edhe ne bashke me shqiptaret se PS dhe segmente te opozites jane te interesuar ta mbajne peng kete proces. Te paret per te siguruar zgjatjen e pushtetit dhe te dytet duke bere lojera qe lidhen me interesa personale.  Kryetarja e Kuvendit duhet te siguroje mbarevajtjen e procesit. E dime shume mire qe shfaqje te tilla te shemtuara jane ne funksion te pushtetit dhe kryeministrit. Por eshte po kaq e qarte qe per kete funksion Edi Rama perdor nje pale qe me bllokimet ne kuvend nuk ka arritur asgje pervec te shtoje arrogancen dhe pushtetin e Edi Rames.

Ne jemi te vendosur per te bere reformen, nese palet e gjejne veten komode ne pengmarrjen qe i bejne shqiptareve ne kete teater te shemtuar e kane gabim. Sepse nuk mund te genjejne me askend me manovra te tilla. Kur banaliteti dhe shfaqjet e shemtuara kane vetem nje qellim. Mbajtjen sa me gjate te pushtetit te Rames dhe pandeshkueshmerise se tij. Mos harroni: kjo eshte loja e tyre. Rames nuk i intereson ndryshimi i sistemit. Dhe shume kollaj i jepet mundesine t’a serviri sikur kete po e bllokon opozita. Proceset demokratike te vendit nuk mund te mbesin peng disa njerezve qe vendosin interesat e tyre mbi ato te shqiptareve.'- tha Alibeaj.

Ora 12:47
Reforma Zgjedhore, Mediu: I bëj thirrje çdo deputeti të opozitës mos të bashkohet me farsën

 

Fatmir Mediu anëtar i Komisionit për Reformën Zgjedhore I bëri thirrje deputetëve të opozitës që të mos bëhen pjesë e farsës së mazhorancës për të shkatërruar zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

‘Edi Rama nuk i ka 84 vota në parlament. Dua ti bëj thirrje çdo deputeti të opozitë mos të bashkohet në një farsë për të shkatërruar zgjedhje të lirshme dhe të ndershme. Ky komision është bipartizan dhe në dy krahët ka pjesëmarrje. Kemi detyrime të krijojmë standard për zgjedhje të lira dhe të ndershme.’- tha Mediu.

Ndërkohë Rithemelimi përsëriti sërish se nuk ‘do ketë normalitet në parlament’.

Ora 12:41
Dështimi i mbledhjes për 'Zgjedhoren', Spiropali thirrje opozitës: Reflektoni ose i japim fund epokës së komisioneve bipartizane për reforma të tilla

1705664660_1697115082spiropali.jpg

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka reaguar pasi grupi i deputetëve të Bardhit dhe Berishës bllokuan mbledhjen e komisionit të Reformës Zgjedhore. Nëpërmjet një postimi në facebook, Spiropali tha se opozita ka 2 mundësi, ose të ndryshojë konceptimin e gabuar që ka për këtë komision, ose të përgatitet për dështim dhe mbylljen e epokës së komisioneve bipartizane për Reforma Zgjedhore.

Spiropali shkruan se qeveria ka idetë e veta për Reformën edhe pse mirëpret çdo platformë të ardhur nga deputetët por theksoi se përballjen me mazhorancën, opozita e ka në zgjedhjet e ardhshme të 2025-ës.

“Nëse Komisioni i Reformës Zgjedhore është “instrument për t’u përballur me këtë qeveri dhe këtë kryeministër”, atëherë kush e mendon pa teklif kështu ka dy rrugë: Ose të përgatitet që tani për dështimin e afërt në këtë “përballje” - e bashkë me dështimin të përballet edhe me mbylljen e epokës së komisioneve bipartizane për reforma zgjedhore - ose të ndryshojë pa humbur kohë konceptimin e gabuar të një instance të tillë, duke e kuptuar tani, shpejt, se komisionet e ngritura për produkte ligjore konsensuale, nuk ngrihen për t’u përballur cjepërit brirë më brirë, po për të dialoguar kundërshtarët politikë në kërkim të kompromiseve të pranuara nga palët e përfshira në komision.

Partia Socialiste mirëpret çdo ide apo platformë alternative të të gjithë deputetëve, që nuk i drejtohen komisionit në fjalë nga ballkoni apo nga gryka e bilbilave, por askush nuk bën mirë ta harrojë se edhe Partia Socialiste ka idetë e veta.

Ndërsa përballjen me këtë qeveri dhe këtë kryeministër, opozitat e disata që kemi në parlamentin e sotëm të karrigeve përmbys, flakadanëve tymhava apo gjumashëve kokëvarur, do ta kenë në qershorin e vitit të ardhshëm. Jo në komisionin e reformës zgjedhore. E patjetër që do të kenë mundësinë ta realizojnë dhe ta shijojnë deri në fund, siç e kanë realizuar dhe shijuar në 8 përballjet e fundit zgjedhore që nga viti 2013”- shkruan Spiropali.

Ora 11:59
Zbardhet kalendari i rishikuar i punimeve të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore! Seancën e parë e bllokoi grupimi i Bardhit e Berishës

1705659359_noka.jpg

Shqiptarja.com zbulon kalendarin e rishikuar të punimeve të komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore i cili ishte parashikuar të niste sot, por u bllokua nga deputetët e Bardhit dhe të Berishës. 

Seanca e sotme ishte planifikuar si dëgjimore me parti politike, OJF vendase dhe organizma ndërkombëtarë në Shqipëri në mënyrë që ata të paraqesin mendime, sugjerime dhe propozime lidhur me Reformën Zgjedhore, bazuar dhe në rekomandimet e OSBE/ODIHR.

Kalendari

Në zbatim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe Rekomandimeve të OSBE/ODIHR, propozojmë kalendarin e rishikuar të punimeve të Komisionit me këtë përmbajtje:

ÇËSHTJA AFATI SHQYRTIMIT

1. Seanca dëgjimore me parti politike, OJF vendase dhe organizma ndërkombëtarë në Shqipëri në mënyrë që ata të paraqesin mendime, sugjerime dhe propozime lidhur me Reformën Zgjedhore, bazuar dhe në rekomandimet e OSBE/ODIHR.
20 Janar – 31 Janar 2024

2. Përgatitja nga ana e ekspertëve të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore në bashkëpunim me ekspertët e OSBE/ODIHR dhe shqyrtimi i propozimeve mbi rekomandimet e tyre në lidhje me këto çështje:

- Regjistrimi i subjekteve zgjedhore;
- Regjistrimi i kandidatëve dhe numri i tyre për çdo zonë zgjedhore;
- Zgjedhësit dhe përgatitja e listës së zgjedhësve;
- Barazia gjinore për organet e zgjedhura dhe administratën zgjedhore.
- shqyrtimi i propozimeve lidhur me Implementimin e të drejtës së votës për shtetasit jashtë Republikës së

Shqipërisë dhe skemat e mundshme të realizimit të saj. (Vendimi nr. 38, datë 09.12.2022 i Gjykatës Kushtetuese)

- Regjistrimi dhe përgatitja e listës së zgjedhësve me qëndrim jashtë Republikës së Shqipërisë.
- Metodologjia e votimit për zgjedhësit me qëndrim jashtë Republikës së Shqipërisë.
- Administrimi i procesit zgjedhor dhe numërimi i votave për zgjedhësit me qëndrim jashtë Republikës së Shqipërisë.

Përgatitja dhe shqyrtimi i propozimeve në lidhje me çështjet:
- Zona zgjedhore dhe numri i mandateve për çdo zonë;
- Votimi;
- Shpërndarja e mandateve (Vendimi nr. 28, datë 30.06.2021 i Gjykatës Kushtetuese)

1 Shkurt – 29 Shkurt 2024

3. Përgatitja dhe shqyrtimi i propozimeve në lidhje me çështjet:

- Fushata zgjedhore në mediat elektronike;
- Financimi i fushatës zgjedhore;
- Raportimi dhe monitorimi i fushatës zgjedhore.

1 Mars – 15 Mars 2024

4. Hartimi i draftit të konsoliduar të Projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë”

Ora 11:38
Bardhi: Kemi gati propozimet tona për Reformën Zgjedhore, s’mund të përfaqësohemi në komision nga kolegë që nuk e kanë besimin tonë

 

Gazment Bardhi pas bllokimit të mbledhjes për Komisionin e Reformës Zgjedhore, tha për mediat se grupi i deputetëve të tij dhe të Rithemelimit, nuk pranojnë përfaqësimin e tyre nga Alibeaj. Ai tha se i kanë gati propozimet për Reformën Zgjedhore por theksoi se më parë duhet që t’i kthehet legjitimiteti komisionit.  

“I kemi gati propozimet tona për Reformën Zgjedhore por duhet që fillimisht t’i rikthehet legjitimiteti këtij komisioni. Unë nuk mund të përfaqësohem në komision nga kolegë që nuk e kanë besimin tim. Ata mund të jenë përfaqësues të asaj pjese që kanë besim tek ata, por sa kohë nuk kanë shumicën dërrmuese, bëhet fjalë për 7 deputetë përballë 50 deputetëve. Na thuhet se këta 7 deputetë do kenë mundësi të vetos dhe bashkëkryetarit. Kjo është e papranueshme, mungesë e thellë e legjitimitetit. Kuvendi duhet t’i kthejë legjitimitetin komisionit të Reformës Zgjedhore. Bëjmë sikur mblidhemi për caktimin e agjendës dhe më pas e lëmë në harresë”- tha Bardhi.

Ora 11:32
Reforma Zgjedhore, Bardhi: Farsë e Radhës nga PS e Basha! Bllokimin po e bën Edi Rama

 

Gazment Bardhi thotë se është Edi Rama ai që po bllokon Reformën Zgjedhore. Në një deklaratë për mediat Bardhi tha se kjo ishte një farsë e radhës nga socialistët dhe nga ata me mandat opozitar që bëjnë sikur kanë ndërmend të bëjnë Reformën Zgjedhore.

‘Ishte premtuar një akt tjetër i farsës mes deputetëve të mazhorancës dhe atyre me mandat opozitar për të bërë sikur kanë ndërmend të bëjnë reformë Zgjedhore. Qëllimi ishte tu hidhnin hi syve qytetarëve shqiptare. Nuk kanë asnjë produkte. Sot opozita nuk ka bllokuar komisionin e Reformës Zgjedhore por është mazhoranca që ka bllokuar pjesëmarrjen e opozitës në Komisionin për Reformën Zgjedhore. Edi Rama nuk dëshiron përfaqësuesit e opozitës për Reformën Zgjedhore. Opozita dëshiron të marrë pjesë në Komisionin për Reformën Zgjedhore por nuk po lejohet. Po mbahet peng e bllokuar nga vullneti i Edi Ramës. Janë rreth 50 deputetë të opozitës që kanë humbur besimin te Reforma Zgjedhore. Sa kohë kanë humbur besimin e më shumë se 2/3 të deputetëve të opozitës. Është qesharake që vazhdojnë të sillen sikur e kanë besimin tonë. Ja kemi dhënë i kemi mbështetur për dy vite ta çojmë para Reformën Zgjedhore por e kanë bllokuar punën për Reformën Zgjedhore.’- tha Bardhi.

Ora 11:28
VIDEO/ Vokshi, Noka përplasen me Gjiknurin në komision! Deputetja s'ia lëshon karrigen! Socialistët në këmbë

 

Deputetët Albana Vokshi, Damian Gjiknuri, Flamur Noka kanë vijuar përplasjet në sallën e kryesisë ku ishte caktuar mbledhja e komisionit të reformës zgjedhore. Ndërkohë Alibeaj nuk ka shkuar.

Albana Vokshi është ulur në karrigen e Gjiknurit. Krah saj eshte Lindita Metaliaj. 

Ora 11:18
Reforma Zgjedhore, Gjiknuri: Këta edhe duan të jenë pjesë, edhe nuk e kishin sjellë Bylykbashin! As Alibeajn s'e lejuan

Bashkëkryetari i komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri doli nga salla ku ishte planifikuar të mbahej mbledhja e sotme në orën 11:00. Ai tha se as Oerd Bylykbashi me të cilin Rithemelimi dhe grupi i Bardhit kërkon të zëvendësojë Alibeajn, nuk ka ardhur në mbledhje.

Duke iu referuar bllokimit të mbledhjes nga deptuetët e Rithemelimit, Gjiknuri tha se as Alibeaj nuk ishte lejuar të ishte i pranishëm në sallë. Ndërsa theksoi se do gjendet mënyra që Reforma Zgjedhore të ecë përpara.

“Fatkeqësisht këtu edhe Bylykbashin nuk e kishin sjellë edhe Alibeajn nuk e kishin lejuar të vijë ndoshta për shkak të akteve të tyre vandale. Opozita duhet të jetë e para e interesuar për të pasur një Reformë të tillë. Reforma do ecë përpara, edhe nëse opozita nuk do të bëhet pjesë do të gjendet mënyra për ta çuar përpara”- u shpreh Gjiknuri.

Ora 11:09
VIDEO/Reforma Zgjedhore, Blendi Klosi largohet nga mbledhja: Kanë zënë karriget, le ti mbajnë

 

Blendi Klosi anëtar në Komisionin për Reformën Zgjedhore është larguar nga mbledhja. Klosi ka shmangur konfrontimin mes grupimit të deputetëve të Bardhit dhe Berishës, të cilët kanë zënë karriget në komision.

‘Vendin ma ka dhënë populli shqiptar. Ata kanë zënë karriget, ti mbajnë karriget!’- tha Klosi.

Ora 10:53
Rithemelimi mbledh grupin, pas dyerve të mbyllura vendosin të bllokojnë komisionin e reformës zgjedhore

1705068165_bardhi.jpeg

Deputetët e Bardhit dhe të Berishës nuk heqin dorë nga skenari i kaosit. Në takimin e mbajtur sot paradite në kryesinë e Kuvendit kanë vendosur të bllokojnë komisionin e reformës zgjedhore.

Ora 10:43
Alibeaj para mbledhjes së komisionit për Reformën Zgjedhore: Nuk përfaqësoj ata që mendojnë ndryshe për situatën në PD

 

I pyetur nga gazetarët nëse ndihet bashkëkryetar i komisionit për Reformën Zgjedhore, Enkelejd Alibeaj tha se ai përfaqëson interesat e PD-së por jo të Rithemelimit apo grupit të ‘Bardhit’ që mendojnë ndryshe brenda partisë.

Deputeti shtoi se kushdo anëtar i komisionit që ka propozime për të bërë rreth Reformës Zgjedhore, është i mirëpritur të shprehë idetë e tij të cilat do të merren në konsideratë.

“Unë jam bashkëkryetar i këtij komisioni të kërkuar nga PD para një viti e gjysmë me shumë luftë, sepse mazhoranca nuk donte. Siç nuk ka dashur çuarjen përpara të Reformës Zgjedhore. Unë përfaqësoj PD-në, nuk marr përsipër të jem përfaqësues i interesave të partive të tjera opozitare.

Nuk jam përfaqësues i atyre që mendojnë ndryshe për atë histori që mendojnë ndryshe brenda opozitës. Ato 4 çështje që i kemi depozituar, nuk janë një rreth i mbyllur që nuk mund të shtohet me propozime të tjera. Secili nga anëtarët e komisionit, ka të drejtën që nëse ka një ide, sesi vota e shqiptarëve të jetë e barabartë dhe listat të perfeksionohen, sesi votimi të bëhet edhe më i garantuar, ka të drejtën dhe është i mirëpritur t’i sjellë këto propozime.  Jam i prirur që gjithsecilin prej tyre t’i shohim t’i analizojmë. Nuk qëndron forca tek bashkëkryetari, qëndron tek fakti që ky është një komision që ka raporte të barabarta mazhorancë opozitë”- u shpreh Alibeaj.

Ora 10:38
Nga listat e hapura te vota e diasporës, Alibeaj prezanton 4 propozimet e PD-së për Reformën Zgjedhore

 

Pak para nisjes së mbledhjes së Komisionit për Reformën Zgjedhore, bashkëkryetari Enkelejd Alibeaj nga radhët e Partisë Demokratike ka parashtruar edhe një herë propozimet e PD-së në lidhje me ndryshimet në Reformën Zgjedhore. Në një deklaratë për mediat. Alibaej tha se PD kërkon, lista të hapura, sistem proporcional kombëtar, numërim dhe votim elektronik si dhe votën e diasporës.

‘Do të parashtroj pikat kryesore që PD ka depozituar tashmë pranë komisionit për Reformën Zgjedhore. Janë 4 çështje kryesore. Që në identifikimin e këtyre çështjeve jemi nisur nga interesi më i madh i shqiptarëve.

E para është ajo që ka të bëjë me listat e hapura. Propozimi ynë e parashikon më mënyrë të qartë se sistemi ynë në RSH do të duhet të jetë me lista të hapura. Do të jenë shqiptarët ata që do të përzgjedhin se kë shqiptarët duan të votojnë.

Së dyti propozimi ynë ka të bëjë me atë që duhet proporcional kombëtar që bazohet të barazia e votës. Vota e shqiptarëve do të duhet të jetë e barabartë dhe të ketë të njëjtën peshës. Shqipëria një zonë është sistemi më i thjeshtë që e optimizon dhe garanton këtë barazi të votës.

Çështje e tretë ka të bëjë me votimin dhe numërimin e elektronik. Shqipëria 2025 ka nevojë për votimin dhe numërimin e elektronik.

Çështja e katërt, është ajo që ka të bëjë me votën e diasporës. Është detyrim kushtetues. Kemi propozuar që çdo shqiptar që ndodhet jashtë territorit të republikës ka nevojë të votojë.’- tha Alibeaj

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

 'Më mirë Gjini se Pjerini'! Rithemelimi, këngë për Gjin Gjonin

'Më mirë Gjini se Pjerini'! Rithemelimi, këngë për Gjin Gjonin