Alimehmeti:Vllaznia nuk kishte marrë
masa, kërkojmë fitoren në tavolinë

Alimehmeti:Vllaznia nuk kishte marrë<br />masa, kërkojmë fitoren në tavolinë
Drejtuesit e  klubit të Tiranës kanë akuzuar drejtpërdrejt tifozët shkodranë për plagosjen e Presidentit Refik Halili.

Në një konferencë për shtyp administratori i përgjithshëm i klubit të Tiranës  tha se  Halili u godit nga tifozët e Vllaznisë.
 
Krenar Alimehmeti tha se Vllaznia dështoi në përmbushjen e përgjegjësive, e sipas tij nuk ishin marrë masa për mbarvajtjen normale të kësaj përballjeje.
 
Ai ka kërkuar nga Federata që Tirana të marrë në tavolinë fitoren ndaj Vllaznisë.
 
Ndëkohë ai theksoi  gjithashtu se tifozët e Tiranës janë dhunuar barbarisht nga tifozët shkodranë.


Deklarata e plotë

"Nuk ka asgjë të vërtetë përsa i përket akuzës që Vllaznia bën në drejtim të KF Tiranës, pasi stafi teknik për asnjë moment nuk ka kërkuar të lërë fushën e lojës apo ndërprerjen përfundimtare të saj, ku gjithçka ka qenë korrekte mes dy skuadrave. Ne si klub kemi bërë një reklamim në FSHF për të kërkuar tre pikët në tavolinë, për shkak të dështimit në përmbushjen e detyrimeve për organizimin e ndeshjes dhe garantimin e sigurisë, rendit dhe rregullit. Klubi i Futbollit Tirana dënon ashpër dhunën e paprecendete në ndeshjen Vllaznia – Tirana, ngjarjet e së cilës erdhën si pasojë e një keqorganizimi nga klubi vendas që ka si detyrimin të marrë masat përkatëse. KF Tirana nuk ka qenë asnjëherë iniciatore e incidenteve të tilla. Duke u njohur paraprakisht me situatën e tensionuar para ndeshjes në Shkodër, kemi njoftuar Drejtorinë e Policisë për të kërkuar marrjen e masave të nevojshme. Për të shmangur konfliktet mes tifozerive, kërkuam gjithashtu që tifozët tanë të pajiseshin me bileta që në Tiranë. Për këtë, kemi gjetur bashkëpunimin e klubit të Vllaznise për të cilën i falenderojmë. KF Tirana nuk pranon akuzat e drejtuesve të Vllaznisë që, paaftësinë e tyre për të organizuar një ndeshje futbolli e justifikojnë me fjalë jo të vërteta. Sponsori i Tiranës, Z.Refik Halili është goditur nga tifozët e Vllaznisë në momentin kur kishte mbërritur në sektorin e tifozëve miq në stadiumin “Loro Boriçi”. Nuk ka asgjë të vërtetë për akuzat se Sponsori i Tiranës është goditur nga tifozët e klubit të tij. Nuk ka asgjë të vërtetë për ndarjen dhe distancën që KF Vllaznia pretendon se është vendosur mes tifozerive të të dy klubeve, ashtu sikundër është lehtësisht e konfirmueshme se mes dy tifozerive nuk ka patur asnjë fëmijë apo lojtarë nga akademia e klubit shkodran. Masat kanë qenë të pamjaftueshme, forcat e rendit të pakta dhe distanca shumë e vogël. Kjo është arsyeja pse tifozeritë u konfliktuan dhe pse situata degjeneroi. Nëse masat do të ishin marrë ashtu si Vllaznia pretendon, asgje nuk do të kishte ndodhur. Tifozët e Tiranës janë dhunuar barbarisht nga forcat e rendit dhe janë goditur me sende të forta nga tifozët shkodran. Më tepër se 50 tifozë jane plagosur, 37 janë shoqëruar në komisariat dhe 4 prej tyre vijojnë të mbeten të ndaluar në Shkodër. KF Tirana, si një klub mik në ndeshjen me Vllazninë nuk është mirëpritur por keqtrajtuar. KF Tirana distancohet nga gjithçka ka ndodhur dhe i kërkon ndjesë opinionit publik dhe qytetarisë shkodrane. Miqësia mes dy klubeve dhe dy qyteteve do të vazhdoj dhe ne shpresojmë shumë qe kjo ngjarje e izoluar të mbetet pas" tha Alimehmeti.

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria çel negociatat për kapitullin e parë, integrohemi brenda 2030?



×

Lajmi i fundit

Sulmi bën Sylvinhon me 'dhimbje koke', skualifikohet Mirlind Daku

Sulmi bën Sylvinhon me 'dhimbje koke', skualifikohet Mirlind Daku