Gjatë muajit tetor pritet të fillojë sezoni i dytë i spektaklit të talenteve të reja “X Factor Albania”. Edhe këtë sezon televiziv prezantimi i është besuar moderatores së suksesshme Alketa Vejsiu. Bukuroshja vjen në një intervistë për suplementin THASH&THEM, duke treguar sesi po shkojnë përgatitjet e fundit për fillim e spektaklit. Vejsiu është shprehur se këtë vit kanë ardhur mjaft talente të rinj, të cilët kanë spikatur me vokalin dhe perfromancat e tyre. Gjithashtu prezantuesja nuk ka lënë pa përmendur edhe jetën e saj personale ku shprehet e lumtur me gjërat që ka arrituri në fushën profesionale ashtu edhe private. Me çiltërsinë dhe aftësinë e komunikimit që e karakterizon Alketa na njeh me të rejat e fundit nga spektakli ku kërkohet faktori X.

Si pritet të vij ky sezon i ri i X Factor. Çfarë risish do të kemi?

Do të kemi të tjerë zëra të rinj që më pas do të ngjisin skenat e eventeve më të rëndësishme muzikore në vend. Këngëtare të të gjitha moshave përfshirë 60 vjeçare pasionante apo shtetas të huaj që jetojnë në Shqipëri.

Si kanë ecur audicionet deri tani?

Këtë vit kemi shëtitur në më shumë qytete të Shqipërisë e Kosovës dhe do të kemi edhe konkurrente shumë të mirë nga Maqedonia e Diaspora.

Do të jetë e njëjta juri pasi kemi dëgjuar që do të ketë ndryshime?

Juria do të ketë ndryshime këtë vit. Ka pasur shumë kandidatura por juria përfundimtare do të zbulohet në netët live. Mund t’ju them që do të kemi dy hyrje të reja.

Kur pritet të startojë sezoni i ri?

Transmetimi nis në mes të muajit tetor.

Po Alketa si do të vij këtë radhë?

Energjike, entuziaste, me një dashuri të madhe për punën që bëj, e cila është e lexueshme edhe në kamera besoj. Për veshjet këtë vit është bërë një tjetër investim i rëndësishëm në Itali. Shpresoj të dukem mirë.(qesh)

Duke parë karrierën tuaj të suksesshme në prezantim, cilin format televiziv do të veçonit si më realizuarin nga ana juaj, e rrjedhimisht më të dashurin?

Programet janë si gishtat e dorës, të gjithë të duhen njësoj pavarësisht nëse njeri gisht është më i vogël se tjetri. “Gjeniu i vogël” ka qenë i mrekullueshëm dhe të punosh me fëmijët është shumë frymëzuese. “Këngët e Shekullit”, një shërbim i jashtëzakonshëm për muzikën shqiptare, “Më Shumë Dashuri” një program për dashurinë njerëzore, “X Factor” një super sukses botëror si dhe një program i përmasave të mëdha, “12 ëndrrat e një natë vere” fillesa ime. Sa e pasur është jeta ime profesionale kur e kujtoj. Çdo vit ka pasur ngjyrën e një spektakli.

Sa e realizuar ndiheni si bashkëshorte dhe si nënë?

E përmbushur pafund dhe me fat, me shumë fat.

Vitin që kaloi djali juaj ishte le të themi pjesë e audicioneve të spektaklit, ju shoqëron edhe këtë vit?

Këtë vit e pi qumështin me biberon ndaj nuk ka nevojë për mua. (qesh) Jam e qetë sepse fëmijët rriten me shumë kujdes e dashuri nga njerëz që i duan e ju përkushtohen edhe në mungesën time, duke ma bërë më të lehtë jetën, në një punë me ngarkesa jo të pakta dhe orare shpeshherë të zgjatura. Në të njëjtën kohë ky profesion më jep privilegjin që t’i jetoj në sezon pushimesh me kohë të plotë kënaqësitë e jetës që lidhen me fëmijët e familjen.

Bashkëpunimi me regjisoren Vera Grabocka ka dhënë gjithnjë frutet e duhura, mendoni ta vazhdoni gjatë këtë kooperim?

Është një raport që është i destinuar të jetë përgjithmonë sepse nuk udhëhiqet thjesht nga interesa pune. Ajo që shkëmbejmë me Verën është energji pozitive, dije, mirënjohje, respekt, vlerësim i ndërsjellët, profesionalizëm absolut, përpikëri, përsosmëri, dashuri për të bukurën, dashuri njerëzore, tolerancë dhe energji pozitive që mbyll këtë cikël shkëmbimi.

Sa ju mungon kënga dhe a keni menduar t’i riktheheni asaj?

Nuk më mungon sepse këndoj çdo ditë, madje një nga kënaqësitë më të mëdha është rruga që bëj në mëngjes për të shkuar në punë. Duke dëgjuar disqet e mia të preferuara këndoj me zërin në kupë të qiellit, aq sa në semafor dikujt që ka ndaluar i duket sikur flas me veten. (qesh) Në fakt këndoj dhe i gëzohem ditës së re dhe them sa mirë që gëzoj këto që gëzoj dhe gjërat më shkojnë mbarë. Gjithashtu edhe në X Factor jam kënaqur vitin e kaluar duke kënduar herë pas here. Ky format ma jep këtë mundësi që është një pasion që jeton së bashku me mua.

Sa kujdeseni për pamjen tuaj sepse edhe pas lindjes së fëmijëve vazhdoni të ruani linjat e mëparshme?
Bëj pjesë ndër ata njerëz që informohem në mënyrë të vazhdueshme mbi ushqyerjen e mirë dhe të drejtë. Nuk ndjek dieta por kam stabilizuar një regjim ushqimor të rregullt me orare të përpikta dhe disa vakte të vogla gjatë ditës. Jam natyrë sportive dhe alternoj të gjitha sportet e mundshme sipas stinëve në mënyrë të rregullt.

Gjetët ndopak kohë për të pushuar këtë vit dhe ku i kaluat pushimet?
Ishte një pushim i plotë dhe i gjatë në det dhe në mal me familjen time dhe miq që i shtojnë shijen jetës.

Su/ Shqiptarja.com