‘Alo Dedë a më dëgjon?’, historia e filmit të famshëm! Djali i Dedës së vërtetë rrëfehet në ‘Esencë’ në Report Tv: Se mendonim kurrë që një ditë nuk do të kthehej

Të gjithëve na jehon në vesh dhe madje e kemi kthyer në batutë frazën e famshme të filmit “Rrugë të bardha” ‘Alo  Dedë a më dëgjon’? Mbase pak e dinë që kjo histori është e vërtetë, një fillrojtës në malet e fshatin Domgjon në  Mirditë mbeti vërtet në shtyllë dhe nuk u kthye dot në shtëpi në mbrëmjen e 31 dhjetorit të viti 1966. Ai  çast e rrëmbeu përgjithnjë  asokohe 46-vjeçarin Pjetër  Llesh Doda. I biri, Zefi erdhi në “Esencë” për të na rrëfyer më shumë, për kujtimet e të atit dhe jetën pa të, më familjen me 5 fëmijë ku gjërat nuk qenë edhe aq të thjeshta.

“Ne nuk e mendonim që babai nuk do të kthehej një ditë në shtëpi prej asaj pune. Edhe mamaja ime që ia njihte vështirësitë nuk e imagjinonte”-rrëfen ai.

Zefi na tregon se kanë qenë vite të vështira por ai dhe familja kanë pasur ndihmën e vazhdueshme të xhaxhallarëve dhe njerëzve të tjerë të afërt. Ai thotë se kanë pasur po ashtu ndihmën e shtetit, ndërsa kujton se ish-diktatori iu ka dërguar personalisht dy  letra urimi për Vitin e Ri.

Kanë pak kujtime dhe foto nga babai por figurën e tij e kanë të gjallë në kujtesë dhe në përjetimet e tyre.

“Kur i dhanë babait titullin Hero i Punës Socialiste, mu duk sikur ma ringjallën”-thotë ai ndërsa kujton se ky vlerësim për të atin e ka lumturuar shumë.

Filmi dedikuar figurës së të atit është një moment që ai e ruan si një prej gjërave të  çmuara, madje na tregon se ka ruajtur miqësi ndër vite me aktorin Rikard Ljarja i cili ishte nën petkun e Dedës në film. Madje ai ka qenë krushk i parë në dasmën e vëllait të Zefit, një prej kujtimeve më të bukura që ata ruajnë si familje. Një gjest i rrallë dhe i paçmueshëm nga ana e aktorit.

Një surprizë e veçantë për Zefin erdhi me anë të një video mesazhi nga piktori Mark Paci, autori i një skice pikturë të Pjetër Dodës që u përdor si imazh i pullave postare në vend, pas vdekjes së tij.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?