Kjo video amatore e filmuar nga alpinisti shqiptar i Kosovës Kristian Gashi, pjesë e klubit alpin “Prishtina”, shfaq një ortek që shkëputet nga majat e Briasit 2 mijë e 570 metra mbi nivelin e detit, në luginën e Valbonës.
Pamjet janë sa mbresëlënëse, aq edhe të rrezikshme.
Grupi prej 40 alpinistësh nga Kosova, të cilët prej tre ditësh eksploruan Alpet Shqiptare dhe luginën e Valbonës, u përballën me rrezikun potencial të ortekut që bie poshtë luginës. Përtej pamjes që rrallë mund të kapet në kamera, rreziku ishte i lartë. Për këtë, Kristiani apelon për kujdes të shtuar për të apasionuarit pas alpeve që frekuentojnë këtë periudhë zonat alpine.
“Duhet të keni kujdes këto ditë për shkak të orteqeve në të gjithë Kosovën dhe Shqipërinë, sidomos në anën veriore, siç janë këto bjeshkët këtu. Nuk duhet të bëni ngjitje pa guida, pa udhëheqës dhe t’i limitoni sa më shumë ngjitjet nëpër lloje të tilla të bjeshkëve”, thotë alpinisti Kristian Gashi.
Sipas alpinistëve, kushtet në terren mbeten të bukura për ecje, por njëkohësisht shumë të rrezikshme për shkak të paqëndrueshmërisë së shtresave të dëborës.
Visar Ponosheci, alpinist: Kemi bërë një ecje goxha të fortë, vazhdojmë akoma të ecim.
Fitim Morina, alpinist: Po kalojmë shumë mirë, koha është e mirë, kolegët janë të mirë.
Ilirijada Fejza, alpiniste: Sot jemi këtu në Valbonë, po kalojmë shumë mirë. Koha është shumë e mirë, kemi bërë një ecje prej 9 kilometrash tani.
Në zonën ku u shkëput orteku nuk ka banesa dhe nuk raportohet për të lënduar apo dëme materiale. Ngjarja vjen në një periudhë kur fluksi i vizitorëve në Alpet Shqiptare mbetet i lartë, duke rikthyer edhe një herë vëmendjen tek rreziku real që sjellin kushtet e paqëndrueshme te motit në zonat alpine.
Komente







