TIRANË-Deputeti i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Alqi Bllako ka garantuar se do të jetë zëri i qytetarëve në Parlamentin e Shqipërisë. Në 25 prill Shqipëria mbajti zgjedhjet parlamentar, ku PS arriti të rikonfirmohej sërish shumicë, duke marrë plot 74 ulëse në Kuvendin e Shqipërisë. Njëri prej deputetëve të saj është zoti Alqi Bllako, i cili është zgjedhur deputet në Njësinë numër 1 në Tiranë, ndërsa në një intervistë për gazetën “SOT”, ai sjell detaje rreth angazhimit të tij në politikë dhe objektivat që ai ka si ligjvënës. Prerë dhe qartë zoti Bllako theksoi se qeveria “Rama 3” ofron garanci për sukses, ndërsa shtoi se mundësitë për përmirësimin ekonomisë dhe nevoja e bashkëpunimit me opozitën, janë disa nga sfidat për të cilat duhet punuar që të kalojnë në një tjetër stad.
Zoti Bllako, të premten e 10 shtatorit nisi sesioni i ri parlamentar, ku ju për herë të parë jeni deputet. Si u ndjetë në sallë?
Është deri diku e vështirë të kuptosh realisht peshën e përgjegjësisë që ai përfaqësim mbart deri në momentin që ulesh në atë sallë. Ka qenë mbase një nga momentet më emocionuese për mua, moment i cili më rikujtoi fort se sa i përkushtuar dhe rigoroz duhet të jem në ushtrimin e atij funksioni.
Cilat do të jenë disa prej prioriteteve tuaja në këtë sesion parlamentar?
Prioriteti i prioriteteve të çdo qeverie në çdo vend e kohë është padiskutim ekonomia. Në kontekstin e ekonomisë tonë të goditur fillimisht nga tërmeti dhe më pas pandemia ky prioritet bëhet shumë më i rëndësishëm dhe sfidues. Pavarësisht reformave të shumta të ndërmarra në sektorë të ndryshëm strategjikë apo hartimi i një pakete fiskale që mbron zhvillimin sidomos në planin e të ardhurave, ku padiskutim ka ende vend për përmirësim të mëtejshëm, kemi ende shumë sfida të tjera me të cilat na duhet të përballemi. Fokusi ynë sot duhet të jetë jo më vetëm rritja ekonomike, por garantimi i një rritje ekonomike gjithëpërfshirëse duke bërë të mundur që hendeku midis kategorive sa i përket nivelit të të ardhurave të ngushtohet dhe jo zgjerohet. Unë do të bëj ç’është e mundur që duke nxitur një debat konstruktiv dhe gjithëpërfshirës në Kuvend të mund ta përmirësojmë legjislacionin në fuqi sa i përket lehtësimit të mëtejshëm të të gjitha barrierave administrative të të bërit biznes, të korrigjojmë çdo efekt shtrembërues që sistemi fiskal krijon si dhe të garantojmë një shpërndarje më të shumtë drejt atyre sektorëve që garantojnë rritje ekonomike afatgjatë dhe gjithëpërfshirëse. Thënë këtë, padiskutim që ne të gjithë sëbashku duhet gjithashtu të përdorim çdo mekanizëm të monitorimit parlamentar për të garantuar një nivel gjithmonë e më të lartë të zbatimit të legjislacionit të miratuar. Pa dashur të zgjatem pasi janë të shumta tezat që kanë nevojë për shtjellim të mëtejshëm mendoj se ka ardhur koha gjithashtu për të diskutuar bashkërisht me kolegët e opozitës për një vazhdim të reformës së pensioneve nisur edhe nga presioni i shtuar mbi skemën aktuale si rezultat i rritjes së vazhdueshme të moshës mesatare të popullsisë, diskutim i cili duhet të fillojë sa më parë pasi do të kërkojë kohë dhe ekspertizë të thelluar. Njëkohësisht ne si ligjvënës duhet të bëjmë ç’është e mundur të garantojmë një kuadër të plotë ligjor sa i përket zhvillimit të tregjeve të kapitalit pasi çdo vonesë në zhvillimin e tyre sjell kosto të shtuara sa i përket financimit për bizneset si dhe redukton potencialin e zhvillimit ekonomik. Në fund të ditës ajo ç’ka nevojitet dhe duhet të mundësojmë është që çdo qytetar të ketë në xhepin e tij më shumë të ardhura të disponueshme për konsum.
Çfarë prisni në përgjithësi nga Parlamenti i ri?
Mund të tingëllojë pak më shumë optimiste se duhet nisur edhe nga mënyra se si seanca e betimit u zhvillua në Kuvend, por unë vazhdoj të mbetem besimplotë se mbas 30 vitesh debati dhe sulmesh personale ka ardhur momenti që tashmë të diskutojmë dhe debatojmë mbi ide zhvillimi. Kjo nuk u heq aspak të drejtën kolegëve të opozitës të bëjnë publik çdo rast që ata e konsiderojnë abuziv, por duke respektuar në çdo rast etikën parlamentare dhe mbi të gjitha atë njerëzore. Gjykoj se praktika e derisotme ka treguar që efekti elektoral i sjelljeve jo etike ka qenë gjithmonë negativ. Opozita ka shumë kolegë që i njoh dhe i vlerësoj për formimin e tyre profesional ndaj mbetem besimplotë se do të mund të krijojmë shumë më shumë hapësirë për të diskutuar mbi ide dhe jo mbi emra të përveçëm.
Si e shihni kabinetin e ri qeveritar të prezantuar nga kryeministri Edi Rama?
Më shumë prej kolegëve që janë pjesë e kabinetit qeveritar kam patur fatin dhe mundësinë të bashkëpunoj ndaj e njoh mirë përkushtimin dhe energjinë e tyre për t’i çuar punët përpara. Mandati i 3-të është shumëfish i vështirë kryesisht në raport me pritshmëritë si dhe mosrealizimet e të shkuarës pavarësisht arsyeve objektive, por jam absolutisht i bindur që ky ekip nën drejtimin e kryeministrit Rama ka të gjithë dëshirën, përkushtimin dhe njohuritë e nevojshme për të garantuar sukses. Në çdo rast, ekipi parlamentar i Partisë Socialiste do të bëjë më të mirën për të përmirësuar cilësisht kuadrin legjislativ duke qenë një ndihmë e shtuar për kryeministrin Rama dhe kabinetin e tij.
Ju keni mbajtur një sërë detyrash të larta shtetërore. Opozita ju përmend për koncesionet e inceneratorëve, duke qenë se keni qenë Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit. Si qëndron e vërteta e koncesioneve? A është zbatuar gjithçka sipas ligjit?
Më vjen mirë që e adresuat këtë pyetje pasi realisht kam mundësinë të sqaroj për herë të parë publikisht një flluskë të krijuar rreth emrit tim, prej disa muajsh tashmë, pa kuptuar realisht se kush është përfitimi i sajesave të tilla. Është e vërtetë që kam shërbyer për pothuajse 4 vite si Sekretar i Përgjithshëm pranë Ministrisë së Mjedisit ku më është dashur të përballem me sfida të shumta kryesisht sa i përket aspektit ligjbërës dhe mendoj se ia kemi dalë të përafrojmë legjislacionin mjedisor në vend në masë të konsiderueshme me atë të BE-së. Sa u përket koncesioneve që ju përmendët, duke shprehur bindjen se kolegët e të gjitha institucioneve të përfshira në proces kanë zbatuar rigorozisht ligjin, deklaroj me përgjegjësi të plotë që unë nuk kam qenë, për asnjë moment, pjesë e asnjë komisioni apo çdo procesi tjetër vendimmarrës referuar këtyre 3 koncesioneve. Jo vetëm nuk kam qenë pjesë e asnjë komisioni por asnjëherë në asnjë moment të vetëm nuk kam marrë pjesë as si vëzhgues në asnjë prej dhjetëra mbledhjeve të këtyre komisioneve të dokumentuara në po kaq procesverbale. Për më tepër, në rastin e impiantit të Tiranës për të cilat akuzat kanë qenë edhe me të shumta, sa i përket konfliktit të interesit, jo vetëm që skam qenë pjesë e asnjë komisioni apo procesi vendimmarrës, por gjithashtu në kohën kur është bërë vlerësimi i ofertave, shpallja e fituesit, negocimi i kontratës dhe lidhja e kontratës unë isha larguar nga Ministria e Mjedisit për të ushtruar detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm në një tjetër institucion. Deklaroj gjithashtu me përgjegjësi të plotë, së nëse kolegët e opozitës gjejnë qoftë dhe një akt të vetëm ku unë kam patur rol edhe minimal vendimmarrës si Sekretar i Përgjithshëm në këto procedura edhe sikur këto vendimmarrje të jenë 100% ligjore, unë jam i gatshëm të përballem me cilindo. Roli im edhe në ato pak raste kur ka ndodhur, ka qenë vetëm në aspektin e përcjellës së shkresave, rol i cili lidhet ngushtësisht me detyrat funksionale të pozicionit. Mandati i deputetit që unë kam privilegjin të përfaqësoj është jo i imi, por vetëm i Partisë Socialiste, e cila me dha besimin e jashtëzakonshëm për të qenë zëri i mijëra shqiptarëve në Kuvend ndaj do bëj çdo gjë kam në dorë që ky mandat të përkthehet vetëm në vlerë të shtuar cilësore për Partinë Socialiste./ Gazeta Sot