Beteja për të futur një alternativë të caktuar të librit shkollor ka penalizuar me mijëra nxënës të arsimit parauniversitar në të gjithë vendin. Bëhet fjalë për ata shkolla që kishin zgjedhur në katalogun e teksteve të miratuara nga Ministria e Arsimit, librat në gjuhë të huaj (frëngjisht,italisht, anglisht) të sjella në vendin tonë nga WFL, përfaqësia zyrtare në Shqipëri dhe Kosovë e Express Publishing, Macmillan, Edilingua, Cle International dhe Eli Edizioni, metoda këto të njohura ndërkombëtarisht. Alket Veliu, administrator i ËFL, denoncon se këshilltari i ministrit të arsimit, Jovan Kristiqi, po shkel rregullat e lojës së altertekstit, jo vetëm duke pezulluar porositë që kanë bërë vetë drejtuesit e shkollave, por duke u kërkuar atyre që të zgjedhin një metodë tjetër që as ka garuar njësoj si ta, dhe as bën pjesë as në katalogun e altertekstit 2012 që vetë ministria e Arsimit dhe Shkencës ka miratuar. "Unë kam të gjitha porositë që më kanë ardhur nga drejtorët e shkollave, për sasinë e librave që ata do të marrin. MASH pretendon se unë kam vonuar sjelljen e këtyre librave, por kjo nuk është e vërtetë, pasi porositë për tekstet shkollore nga drejtorët e shkollave mua më kanë ardhur shumë vonë dhe këtë mund ta dëshmoj edhe me zarfet që kam ruajtur. Megjithëkëtë, këshilltari i ministrit, Jovan Kristiqi, u ka dërguar një sëri e-mailesh dhe letrash drejtorive të shkollave, ku i njofton ata të pezullojnë porositë që kanë bërë tek ne dhe të zgjedhin një tjetër alternativë, që është "Tell me more on-line". Unë nuk kam asgjë me këtë metodë, por mua më shqetëson fakti se nuk po luhet me rregulla të njëjtë. Kjo pasi kjo metodë nuk ka konkurruar me të gjithë tekstet e tjera dhe nuk ka kaluar në filtrat e komisioneve të posaçme siç kanë kaluar të gjithë tekstet e tjera që janë pjesë e altertekstit", - na shpjegon Veliu.

ISH MINISTRI
Siç duket qartë edhe nga e-mailet që këshilltari i ministrit të Arsimit u dërgon drejtorive arsimore, ai i sqaron ata se është pezulluar porosia që kanë bëre tek WFl dhe tashmë mund të zgjedhin alternativën që ofron "Koral-INC". Sipas ekstraktit të kësaj kompanie të depozituar në QKR, rezulton se pronari i saj, me 100 për qind të aksioneve është Leand Lakrori, djali i ish- ministrit të Arsimit, Maqo Lakrori. Veliu në të vërtetë, këmbëngul që nuk do që debatin ta përqendrojë tek ky emër konkret, por tek rregullat jo të njëjta të lojës që po ndiqen për të dy kompanitë. Sipas Veliut, atij i kanë mbetur stok aktualisht rreth 10 mijë tekste të gjuhëve të huaja të porositura, por që drejtorët e shkollave refuzojnë ti marrin pas 'urdhrit" për pezullim të porosive. "Ne kemi rreth 10 mijë tekste shkollore, që nuk janë tërhequr, pasi drejtorët e shkollave na tregojnë urdhrin e ri që u ka mbërritur nga MASH. Kjo situatë është në të gjitha shkollat e rretheve, ndërsa sa i përket Tiranës, drejtoria Arsimore e kryeqytetit, ka refuzuar që të marrë metodën "Tell me more on-line". Dhe kjo është një situatë absurde", - na shpjegon më tej Veliu.

ON - LINE
Më tej Alket Veliu na shpjegon se kjo alternativë e re që po tentohet të futet nëpër shkolla si projekt pilot, por që u është dhënë një pjese të mirë të tyre, ka edhe një tjetër problem. Ajo është një alternativë që mësohet on-line. Sipas tij, gjatë kontakteve që ka pasur me mësues të rretheve ku edhe kjo alternativë ka mbërritur, ajo thuajse e ka të pamundur të aplikohet pasi mësohet me kompjuter, on-line, gjë që shumë shkolla nuk i kanë. Plus që mësuesit ankohen, se duke qenë më tepër një metodë që mësohet on-line, ai nuk është një tekst shkollor që mbështetet në kurrikulat e programeve që ata zhvillojnë, por një metodë autodidakte e të mësuarit të gjuhës së huaj. Sipas këshilltarit të MASH-it, kompania do të marrë përsipër trajtimin e mësuesve për zhvillimin e kësaj metode dhe informatizimin e shkollave, por nuk shpjegohet se kur do të ndodhë ky proces, ndërkohë që viti shkollor ka më shumë se një muaj që ka nisur.