Pas Ardian Dvoranit, i shpallur nga Departamenti Amerikan i Shtetit si “kampion në luftën kundër korrupsionit” në vendin tonë, një personazh misterioz me inicialet A. H., po kthehet në zyrtarin e dytë që po lakohet nga Ilir Meta, i cili po e shpall gradualisht armik. Ditët e fundit Ilir Meta ka pretenduar se A. H., ka udhëhequr operacionin për manipulimin e dosjes së tij, duke e implikuar si spiun të ish Sigurimit të Shtetit. Sipas Metës, A. H., ka dërguar e-mailin anonim dhe e ka pritur këtë e-mail, i cili vuri në lëvizje Autoritetin e Dosjes, duke gjetur një dosjes të spiunit I. M., që Autoriteti pretendon se është Ilir Meta. 

“Është personi që ka qenë në zyrën e këtij dhe ka ndërmarrë operacionin e manipulimit të dosjes së një të përndjekuri nga sigurimi, në tentativë për arratisje. Ka çuar këtë e-mail dhe e ka pritur, dhe njëkohësisht ka treguar se ku ishte kjo dosja ku Ilir Meta gjasme përgjonte shokun e tij. A.H është një person që i ishte premtuar se do bëhej kryetar i Autoritetit. Nëse s’do bëhej drejtor i Autoritetit, do bëhej kreu i SHISH.E dinë të gjithë të gjithë te Autoriteti. Atje brenda është, te Autoriteti është”, ka pohuar Meta. 

Po kush është zyrtari A. H., të cilit i referohet Ilir Meta, që është kthyer në makth për kryetarin e Partisë së Lirisë? Pse Ilir Meta i referohet vetëm me iniciale dhe jo me emër? 

Shqiptarja.com mëson se inicialet e A. H., përkojnë vetëm me një emër në Autoritetin e Dosjeve. Bëhet fjalë për Altin Hoxhën, aktualisht anëtar i Autoritetit të Dosjeve. Theksojmë se bëhet fjalë vetëm për pretendime të Metës, pasi nuk ka asnjë provë që Hoxha të jetë implikuar në një proces manipulimi, aq më të tepër që prokuroria ka rrëzuar kallëzimin penal të Metës si të pabazë.  Altin Hoxha ka përvojë të gjatë në fushën e shërbimeve inteligjente, ndërsa ka qenë inspektor në aparatin qendror të SHISH. Hoxha ka mbajtur pozicione si Drejtor i Drejtorisë së Tiranës në SHISH dhe Drejtor i Drejtorisë së Sigurisë në SHISH.