Në një analizë gati shterruese mbi problematikat që ka shfaqur Reforma në Drejtësi, avokati Dorian Matlia ngre një sërë shqetësimesh që meritojnë të analizohen me seriozitet. Pavarësisht gjuhës së fortë dhe kritikave të ashpra ndaj mënyrës sesi është zbatuar kjo reformë, 15 çështjet që ai ngre meritojnë një debat serioz.

Kjo nuk do të thotë se çdo argument i ngritur në analizë është i padiskutueshëm. Ka pika, si qasja ndaj Vetting-ut apo interpretime të caktuara të reformës, për të cilat mund të ketë këndvështrime të ndryshme. Megjithatë, mospajtimi me disa prej tyre nuk duhet të na pengojë të trajtojmë seriozisht problemet reale që evidentohen dhe që meritojnë një debat institucional.

Kam qenë që në fillim mbështetës i reformës në drejtësi dhe vazhdoj ta konsideroj atë si një nga proceset më të rëndësishme institucionale të këtyre dekadave. Ajo lindi nga një nevojë reale, ku sistemi i vjetër i drejtësisë kishte humbur besimin e qytetarëve, ishte zhytur në një krizë të thellë integriteti dhe kërkonte një ndërhyrje rrënjësore për t’u transformuar.

Për këtë arsye, nuk duhet të kemi frikë të flasim për problemet që ka shfaqur kjo reformë. Një reformë e rëndësishme forcohet vetëm kur ka aftësinë të pranojë dobësitë dhe të korrigjojë ato pika ku nuk ka prodhuar rezultatet e pritshme. Të injorosh këto shqetësime vetëm sepse vijnë nga zëra kritikë si Matlia, Manjani apo të tjerë, nuk i zgjidh problemet, por i shtyn ato edhe më tej.

Në analizën e tij, Matlia e vendos theksin te raporti mes qytetarit dhe drejtësisë. Sipas tij, drejtësia nuk mund të matet vetëm me numrin e hetimeve, me ngritjen e institucioneve të reja apo me goditjen e zyrtarëve të lartë, por mbi të gjitha me mënyrën se si i shërben qytetarit të zakonshëm dhe sa shpejt ai arrin të mbrojë një të drejtë të tijën.

Po në këtë linjë argumentimi, ai sjell në vëmendje faktin se një sistem drejtësie nuk ekziston vetëm për çështjet që zënë titujt e mediave. Ai duhet të ekzistojë edhe për qytetarin që ka një konflikt prone, për familjen që pret një vendim, për punonjësin që kërkon drejtësi ndaj administratës apo për çdo individ që përballet me shtetin. Shqetësimi themelor që përshkon analizën e Matlias është rreziku që drejtësia të vlerësohet vetëm për goditjet spektakolare, ndërsa hallet e përditshme të qytetarit të zakonshëm të mbeten në hije.

Sigurisht, lufta kundër korrupsionit dhe ngritja e institucioneve të reja kanë qenë objektiva të domosdoshëm. Por një reformë drejtësie nuk mund të konsiderohet e suksesshme vetëm sepse ka krijuar mekanizma të rinj apo ka prodhuar rezultate në disa fusha. Ajo duhet të matet edhe me funksionimin e përditshëm të sistemit.

Matlia argumenton se, nëse qytetari vazhdon të përballet me procese që zgjasin përtej çdo afati të arsyeshëm, me vonesa që shndërrohen në normalitet dhe me pasiguri për marrjen e drejtësisë, atëherë këto nuk janë më thjesht mangësi administrative. Sepse, siç thotë edhe një parim i njohur i së drejtës, "Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar."

Këtu lind edhe përgjegjësia e politikës dhe e Parlamentit. Është e drejtë që politika të mos ndërhyjë në vendimmarrjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve apo institucioneve që i qeverisin ato. Pavarësia e tyre është një nga shtyllat e shtetit të së drejtës. Por kjo nuk do të thotë se institucionet politike duhet të mbyllin sytë përballë problemeve që pengojnë funksionimin normal të sistemit.

Parlamenti nuk duhet të vendosë për çështje gjyqësore konkrete, por ka detyrimin të krijojë kushtet që drejtësia të funksionojë më mirë. Ka një dallim të madh mes ndërhyrjes në drejtësi dhe përgjegjësisë për të përmirësuar një sistem që prek jetën e mijëra qytetarëve.

Nëse problemet evidentohen dhe nuk trajtohen, atëherë rreziku nuk është vetëm për drejtësinë, por edhe për besimin e qytetarëve tek institucionet dhe tek vetë shteti. Sepse ata qytetarë që çdo ditë përballen me vonesat, pasiguritë dhe padrejtësitë e sistemit janë edhe zgjedhës. Besimi ose zhgënjimi i tyre ndaj drejtësisë, herët a vonë, përkthehet edhe në qëndrim politik me votë.

Partnerët ndërkombëtarë, SHBA e BE, kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ndërtimin e kësaj reforme. Prandaj edhe ata duhet ta shohin me realizëm ecurinë e saj dhe mos ta trajtojnë si tabu. Asnjë reformë nuk është e paprekshme. Edhe reformat më të rëndësishme kanë nevojë të analizohen, të korrigjohen dhe të përshtaten me realitetin ku zbatohen.

Të pranosh problemet e reformës nuk do të thotë të jesh kundër saj. Nuk ka pse të zgjedhim mes mbështetjes së reformës dhe kritikës ndaj dobësive të saj. Prandaj, shqetësimet që ngre avokati Matlia duhen trajtuar seriozisht nga çdo institucion përgjegjës. Ky debat nuk mund të shtyhet më, por të jetë pikënisja që të hapet sa më parë, me seriozitet dhe pa paragjykime që në sesionin e ri parlamentar në shtator. Çdo ditë vonesë e zbeh besimin e qytetarëve tek drejtësia.

Nëse këto problematika nuk adresohen me guxim dhe përgjegjësi, atëherë rrezikojmë të mashtrojmë veten se kemi ndërtuar një reformë historike, ndërkohë që në fund ajo mund të rezultojë thjesht një dështim spektakolar me kosto kapitale për vendin./ Tema