Altin Mici, stilisti nga Shijaku
që veshi Kombëtaren në Francë

Altin Mici, stilisti nga Shijaku<br />që veshi Kombëtaren në Francë
Altin Mici, një stilist që vjen nga qyteti i vogël i Shijakut arrin të befasojë, jo vetëm me historinë e tij të suksesit, por edhe me veçoritë e karakterit. Siç do ta zbulojmë në këtë intervistë, ai prezantohet i qetë, me këmbë në tokë e një barrë mend në kokë. Ka një thjeshtësi të admirueshme, paqe në sy, ku duket sikur ende nuk është zhdukur ai ëndërrimi entuziast i 12-vjeçarit të vogël shijakas të para viteve ‘90, adoleshentit që kërkonte të çante kufijtë e mbyllur të Shqipërisë Komuniste e të varfër.
Jeta në rininë e Altin Micit, nuk është treguar aq bujare me të, por Zoti i kishte dhënë dhuntitë që ai i njohu shpejt brenda vetes së tij.

Pas vdekjes së babait që e la të vogël e në vështirësi ekonomike së bashku me nënën, Altin Micit i duhej të ndihmonte ekonominë e shtëpisë, duke përdorur makinën qepëse që e kishin në shtëpinë e tyre. Nuk ishte më shumë se 12 vjeç kur së bashku me një punë që iu ofrua në një rrobaqepësi nisi të realizonte në makinën qepëse veshjet e para për shokët e shoqet e klasës. Konfirmimi i parë i talenti ishte kur realizoi për vete një palë rroba plazhi dhe të gjithë shokët e pyesnin nëse “i kishin ardhur nga jashtë”.

Në Shqipëri në atë kohë censurohej moda, por ëndrrën e Altin Micit as koha, as hallet nuk arritën ta censuronin. Ai tashmë ka krijuar një standard të lartë me firmën e tij, duke mos i mbajtur sytë nga emigracioni. Kjo është një histori e bukur suksesi, që së fundi Altin Mici e kurorëzoi me veshjet fantastike e dinjitoze të kostumeve të Kombëtares së futbollit kur u prezantua në Francë. Kjo arritje e fundit qe shtysa që ta takonim Alin Micin në studion e tij. Këtë herë klientët e tij kishin ardhur nga Kosova, ishte dhëndri që sapo kishte përfunduar kostumin dhe natyrisht edhe vëllai i dhëndrit duke bërë provat me kostumin e pjesëmarrjes në dasmën e të vëllait. Nuk mund të mos përfshiheshim edhe ne në atmosferën e gëzuar të klientëve të tij.  
 
 
Interesante është kjo karriera juaj, rrugëtimi juaj në fushën e stilit, në një fushë që nuk rrihet shumë këtu, por sidoqoftë edhe duke u përfaqësuar nga një stilist mashkull, jo se nuk ka, por nuk ka një stilist që mendon për veshjen e meshkujve. Kjo është e rëndësishme, dikush duhet të mendojë sesi të vishen bukur. Si ka nisur kjo histori pasioni?
Kjo është një histori, d.m.th. që ka lindur bashkë me mua. Është një histori që ka lindur qysh herët, në moshë shumë të vogël. Kam qenë ndoshta 12 vjeç kur jam përballur për herë të parë me këtë profesion, i shtyrë pak ndoshta nga familja edhe nga fakti që un vet kam qenë shumë kureshtar. Kam pasur një makinë qepëse në shtëpi dhe pasditeve, kur s’kisha ç’të bëja, filloja të merresha me makinën. Aty pastaj m’u ngjall interesi për të ndjekur profesionin. Kam ndjekur, le të themi, mini-kurse te profesionistë të fushës dhe pastaj fillimisht fillova të qep pantallona për shokët e shoqet e klasës.
 
E bukur kjo histori. Ju kishit dikë që kishte talent për të qepur në shtëpi, apo e përdornit makinën qepëse vetëm për nevojat vetjake?
-Kam pasur mamanë, e cila nuk ka punuar, por që ka qenë një shtëpiake si të gjitha mamatë e shqiptarëve. Merrej me gjërat tona, me rregullimet e veshjeve tona, me gjithçka që mund të kishim, qoftë edhe njerëzit e afërt që kishin nevojë për të bërë rregullime, ose qoftë edhe për të qepur diçka të thjeshtë, sepse mamaja punonte për qejf, nuk punonte që ta kishte si profesion.
 
Pra sa vjeç ishit ju kur filluat të bënit ato veshjet e para të shokëve tuaj? Ma përshkruani këtë emocion.
-Me thënë të drejtën, ndoshta është edhe pak çështje fati, sepse koincidoi një periudhë që mua më vdiq babai, më la në një moshë shumë të vogël. Para se të më ndodhte kjo histori, unë shkoja dhe e ndihmoja atë sepse ai punonte në një lokal. E ndihmoja babanë atje. Pastaj në momentin kur më ndodhi kjo histori familjare, koincidoi që unë isha mësuar të angazhohesha, nuk rrija dot, kështu që kisha edhe makinën që ishte si një opsion i dytë i kohës sime të lirë dhe aty fillova të afrohesha edhe më shumë me të. Ndërkohë pastaj, xhaxhai im më dërgoi të bëja një kurs. Mbarova klasën e 7-të dhe gjatë pushimeve të verës, ndërsa fëmijët e tjerë shkonin në plazh, unë shkova, le të themi, në një ambient ku punohej me porosi, që të shikoja dhe të futesha në fushën e rrobaqepësisë. Aty ka qenë takimi im i parë, nga ana profesionale, me fushën e veshjes. Sado që isha i vogël gjithsesi isha shumë i vëmendshëm për të mësuar sa më shumë.
 
Të shkonte mendja që ca gjëra duheshin bërë ndryshe, se zakonisht në këto punë ka punë me normë, punë jo cilësore që përcillet dhe në treg?
Unë kam pasur një veçori timen që kam qenë shumë i ngadaltë në gjërat që bëja. Por kjo përkonte jo thjesht me shpejtësinë, por përkonte me atë që unë kërkoja, një standard. Ka qenë një gjë që e kam pasur gjithmonë, standardi ka qenë shumë i rëndësishëm për mua. Kështu që i bëja gjërat ngadalë, por sipas mënyrës sime, në perfeksion. Kjo ka qenë ajo që më ka udhëhequr gjithmonë, si parim.
 
Mendoj se në karrierën tënde qepja e parë e një veshjeje do të mbetet gjithmonë një histori e bukur e adoleshencës. Çfarë u ke prerë konkretisht shokëve të klasës?
Me thënë të drejtën, ato që unë kam bërë më shumë kanë qenë pantallonat, që i bëja për shokët dhe shoqet, në varësi të tendencave të modës që kishte në atë kohë. Edhe për materiale ka qenë goxha e vështirë. Me shumë vështirësi gjendeshin materialet, por si fillim, kam filluar me rrobat e banjës, sepse atje ku shkova për të mësuar për veshjet, ishte një zonjë që ishte shumë e specializuar për femra, por ndërkohë bënte edhe rrobat e banjës. Aty unë mësova një mini-formulë të vogël se si ajo i përgatiste rrobat e banjës dhe fillova të merrja të gjitha materialet e mia, bluzat e vjetra që ishin, i prisja, bëja eksperimente me to. Kështu fillova të bëja rrobat e mia të para të banjës. Kur më shikonin shokët në plazh të gjithë mahniteshin, se ku i kisha gjetur sepse po flasim për një periudhë të vështirë për Shqipërinë. Të gjithë mahniteshin dhe kujtonin se më kishin ardhur nga jashtë Shqipërisë. U thashë se i bëja vetë dhe fillova pastaj të bëja edhe për shokët derisa mbaroi sezoni i verës. Kur filloi shkolla fillova të bëja pantallona për shokët dhe shoqet.
 
Për cilat vite bëhet fjalë?
Bëhet fjalë për vitet 90, d.m.th. vitet 1989-1990. Pastaj pak më vonë, pas një viti, koincidoi që u hap edhe porti, emigracioni, shqiptarët lëvizën. Unë pastaj kam qenë shumë i fiksuar për të prekur ëndrrën për emigracionin.
 
Ka qenë ajo shprehja e gjithë shqiptarëve: “Nga jashtë të kanë ardhur?”. Si e ke konceptuar këtë pritshmëri të popullit shqiptar për t’u veshur bukur dhe në mënyrë speciale?
Historia është pak e çuditshme, sepse në këtë periudhë që po diskutojmë, unë e ndërpreva profesionin sepse ika në emigracion dhe nuk m’u dha mundësia që ta vazhdoja profesionin andej. Jam marrë me gjëra të tjera, por që brenda meje ishte një pasion që flinte. Pastaj, gjatë viteve 1997-1998, kur Shqipëria kaloi një tranzicion goxha të vështirë, unë vendosa që ishte më mirë të kthehesha në Shqipëri. Duke jetuar në Itali fillova të kuptoj gjëra të tjera se si mund të ndërtohej jeta dhe e shova atë kureshtjen që kisha për të parë vendet e huaja sepse kjo ka qenë kureshtja jonë më e madhe. Ajo që arrita të mësoj në atë vend, ishte që mjafton të kesh vizionin e duhur sepse gjërat arrihen edhe aty ku je, sado që mund të kesh vështirësi.

Po të kërkosh, po të kesh ambicie, po të përkushtohesh, gjërat e rëndësishme bëhen edhe në një vend të varfër si Shqipëria. U riktheva, por përsëri nuk është se kisha në plan që të bëja diçka te profesioni. Hapa një butik fillimisht, kuptohet me lidhjet që kisha në Itali, materialet, veshjet e ndryshme i merrja prej andej dhe për disa vite vazhdova këtë lloj aktiviteti. Mirëpo, gjatë kohës që merresha me këtë punë, ndjeva pastaj që, ajo ëndrra që flinte, po fillonte të zgjohej, sepse kisha nevojë ose ndjeja për detyrë që të isha më i plotësuar nga ana profesionale, sepse nuk më shkonte përshtat thjesht ajo pjesa e shitblerjes. Doja të bëja diçka më profesionale. Gjatë këtyre viteve, pastaj, ndoqa një shkollë 3-vjeçare mode, nga viti 2003-2006. Me thënë të drejtën, me shumë dyshim e fillova shkollën, sepse nuk isha shumë i sigurt nëse do të bëja më të mirën time, sepse doja që kur t’i futesha kësaj puna të bëja maksimumin. Edhe isha shumë i dyzuar që ta vazhdoja apo jo. Pastaj, kur e vazhdova, aty e kuptova që ishte ajo që më kishte munguar prej kohësh. Vazhdova profesionin. Nga dita në ditë pastaj, duke investuar në anën profesionale, sot jemi këtu.
 
Në ç’vit vendosët të hapnit një studio?
Unë e kam hapur në vitin 2008. Pasi kisha mbaruar edhe shkollën, bëja disa eksperimente vetë, me njerëzit e mi, njerëzit e afërt, shoqërinë edhe nuk është se kisha dëshirë që të bëja veshje dhe thjesht të thërrisja njerëz për t’u veshur ose të hapja një dyqan. Ishte koncepti që unë të ndërtoja një brand, këtë kam pasur si qëllim, që të bëj diçka me një standard të caktuar, që kur të bëj atelienë, ta kthej në një brand. Ky ka qenë gjithmonë i njëjti qëllim. Kështu që besoj se sot ia kam arritur.
 
Në moshën e adoleshencës ke qenë i mahnitur nga stilistët? Çfarë adhuroje tek ata, nëse ka pasur ndonjë model për ty?
Modele ka shumë sepse sidomos, ne për fatin tonë të mirë kemi pasur afër Italinë dhe Italia ka qenë gjithmonë pikë referimi për Shqipërinë për sa i përket modës. Ndoshta ajo ka qenë një pikë referimi edhe për mua. Stilistët italianë janë pa fund, po të fillosh nga Armani, Cavalli, Dolce&Gabana. Gjithsecili nga këta ka pasur referencat e veta. Unë, duke qenë në vitet e para kur kam filluar, duke qenë se merresha edhe me sektorin e dasmave, fillova të merresha me dhëndrin. Dhe një pikë referimi për mua ka qenë stilisti Carlo Pignatelli, stilist italian shumë i njohur në Itali në fushën e eventeve. Pra ky ishte pikë frymëzimi plus edhe karriera e tij për mua ka qenë pikë frymëzimi. Ndërkohë, pastaj erdhi një moment që fillova të kuptoj se doja të kisha atë gjurmën time, të kisha idetë e mia, të mos kisha një referencë tipike të caktuar. Unë kam disa vite që bëj koleksione dhe sot, kur bëj koleksionin, përpiqem gjithmonë që të dal me propozimet e mia, pa pasur referenca të stilistëve të tjerë.
 
Në fillimet e karrierës suaj, cilët nga personazhet e njohur të botës së politikës, të artit, kulturës, sportit mbani mend që të jenë ofruar për të kërkuar veshjet tuaja?
Ka qenë rastësi mbase, sepse unë kisha filluar të eksperimentoja dhe të bëja koleksion, por jo të publikohesha, duke qenë se merresha, siç e thashë dhe më përpara, edhe me ceremonitë, një mikesha ime që punonte në një televizion privat, më telefonon dhe interesohet për një veshje smoking për z. Adi Krasta, i cili drejtonte një program shumë të njohur. Më telefonon dhe më thotë: “Meqë merresh me dasma, ne kemi nevojë për një smoking për Adin”. Unë i them që “Unë kam diçka gati, megjithatë ju ejani dhe shikojeni sepse mund t’ia bëjmë me masat e veta”.

Ata erdhën, shikuan dhe u pëlqeu puna. Kështu që pastaj u takova edhe me Adin dhe kështu, ai ishte personi i parë për të cilin unë kam punuar për televizionin. Me këtë rast edhe e përshëndes, sepse më ka sjellë fat. Ka qenë nga ata persona që e ka mirëpritur punën time. Ishte nga ata persona që kur e pa punën më entuziazmoi, d.m.th. edhe më inkurajoi që të vazhdoja më përpara sepse u habit shumë nga cilësia, nga stili dhe nga të gjitha sepse pa diçka ndryshe nga ajo që imagjinohej për meshkujt deri në atë kohë. Kështu që kjo ishte puna e parë me Adin. Pastaj vazhdova që t’i bëj edhe veshje të tjera, ndërkohë që pak nga pak filluan të vinin edhe personazhe të tjerë të televizionit. Më vonë pastaj filluan edhe personazhet e politikës, tashmë edhe të sportit.
 

Të vemi te kjo pika e bukur e mbërritjes së suksesit të sportit, që ta quajmë si një sukses të dyfishtë: sukses i Kombëtares dhe sukses i juaji, që arritët të ideonit veshjen më të duhur, veshjen më të përshtatshme për Kombëtaren tonë. Na e tregoni me hollësi këtë emocion. Si erdhi propozimi, si u ndjetë juve, kur i filluat dhe kur arritët t’i ndiqnit pastaj në fushën e lojës Kombëtaren, me shijen tuaj?
Puna e Kombëtares ka disa kohë që më ka tërhequr, më ka bërë që ta mendoj vazhdimisht sepse, në fund të fundit, duke qenë se unë kam arritur një standard në punën time dhe më pëlqen që ky standard të përqafohet edhe te të gjithë meshkujt që vishen me kostume. Mendoja gjithmonë që finalizimi më i mirë i karrierës sime ishte që të bashkëpunoja me Kombëtaren, sepse kisha vënë re që, duke parë edhe fotot e Kombëtares ndër vite, shikoja që kishte goxha mangësi për sa i përket veshjes serioze. Ndërkohë, para 2 vjetësh, nisa një bisedë me Federatën Shqiptare të Futbollit, ku u ofrova ose i propozova që të realizoja një veshje për Kombëtaren, duke mos ditur në mënyrë absolute mundësitë dhe financat që ishin në dispozicion nga ana e Federatës. Gjatë bisedave që pata atëherë, më thanë që Federata kërkon një angazhim shumë të madh sepse krahas Kombëtares A është edhe Kombëtarja B, janë Shpresat, janë Kombëtaret e Fëmijëve, kështu që Federata ishte e interesuar për veshjet por donte diçka ekonomike dhe kërkonte një sasi të madhe që të kompletonte të gjitha ekipet e moshave.

Në këtë moment, unë duke qenë se gjithmonë kam punuar me porosi dhe edhe sot e kësaj dite punoj me porosi, kam një kapacitet prodhimi jashtëzakonisht të vogël për t’u marrë me projekte kaq të mëdha, në momentin e parë imagjinoja gjithmonë Kombëtaren kryesore me një numër deri në 20 veta pak a shumë, prandaj e kisha dhe këtë propozim. Kur më thanë pastaj këtë pjesën tjetër, atëherë erdhi një moment që projekti mbeti sepse ishte e pamundur nga ana ime qoftë për të nxjerrë edhe një çmim favorizues qoftë për të arritur bërjen në një kohë të caktuar të gjithë këtyre veshjeve. Ishte një propozim që mbeti në heshtje dhe vazhdoi në heshtje. Ndërkohë, gjatë kohës që Shqipëria kishte shanset për kualifikim, filloi të rizgjohej tek unë ajo dëshira për të bërë veshjet e Kombëtares. Ndërkohë, pastaj, në ndeshjen e fundit që e përjetuam me shumë emocion, kur Shqipëria fitoi në Armeni me rezultatin 3:0, aty nga emocioni, nga dëshira, nga gjithçka, d.m.th. nga ndjenja kombëtare, i bëra një mesazh urimi Presidentit të Federatës, ku dhe i propozoja që unë t’u ofroja një veshje djemve që do të marrin pjesë në Francë për arritjen që ata bënë për vendin tim. Kështu që nuk mora asgjë parasysh nga ana financiare, thjesht mendova që atë ëndërr që kisha ta realizoja me djemtë e Kombëtares.
 
Pra ju, pothuajse i keni bërë falas veshjen për në Francë?
Kjo ishte një dhuratë që unë i bëra Kombëtares dhe më vjen mirë që u pëlqye nga të gjithë. Më vjen mirë që u vendos një standard dhe Shqipëria tashmë duhet të ecë mbi këtë standard. Kështu që këto janë disa pika referimi që shërbejnë. Është një pikënisje qoftë për mua, qoftë edhe për Ekipin Kombëtar, që të kërkojmë gjithnjë standarde sa më të larta.
 
Zakonisht, për një stilist të rafinuar, veshja ka edhe një mesazh, që përputhet me karakterin, që përputhet me shpirtin e njerëzve. Çfarë mesazhi i dhe veshjes tënde për Kombëtaren në Francë?
Të them të drejtën, veshja e Kombëtares, në këndvështrimin tim është shumëdimensionale. Në atë veshje unë doja të përfaqësoja të gjithë anën time profesionale, doja që të kishte një stil jo italian, as francez, por të kishte një stil totalisht shqiptar. Doja që në sytë e Evropës dhe të botës të kuptohej që shqiptarët janë njerëz që kanë gusto, janë njerëz që kanë stil, nuk janë njerëz që nuk e duan të bukurën, nuk janë njerëz që nuk kanë shije. Dhe besoj që kjo u vërtetua edhe nga djemtë Kombëtares, sepse të gjithë në momentin që u veshën me kostumet, filluan të ndjeheshin jashtëzakonisht mirë dhe filluan të bënin foto. Kjo veshje i ka shoqëruar gjatë të gjithë periudhës që ishin në Francë dhe i kam parë që e kanë veshur gjithmonë.
 
Çfarë mendimi ke për atë butaforizëm shumë e kuqe shumë e zezë, që është pak a shumë një keqpërdorim i simbolit të flamurit në veshjet e Kombëtares ndër vite? D.m.th. çfarë kujdesi duhet pasur këtu?
Dua të them që nga konstatimi që unë pata më përpara, d.m.th. ndoshta kjo varej edhe nga ana financiare, kuptohet që një shtet i vogël e i varfër si Shqipëria, ndoshta me një futboll jo të zhvilluar, nuk ka pasur mundësi që të vishet në mënyrën më të mirë të mundshme, por vija re d.m.th. që këta djem që luajnë në skuadra të rëndësishme të Evropës, kur vinte puna, ndoshta e vishnin “pa shumë dashuri” atë veshje që duhej ta vishnin, sepse nuk ishte në lartësinë e duhur. Kjo ishte dhe njëra nga pikat që gjithmonë më brente nga brenda, që doja të bëja diçka që këta djem të arrinin ta vishnin me shumë dashuri. Dhe këtë e kuptova në momentin që djemtë e veshën, sepse për asnjë moment nuk dëshironin që ta hiqnin kostumin, ndjeheshin shumë mirë.
 
Shikoj që bluja dhe e kaltra janë ngjyrat e tua të preferuara, së paku kështu duket. Çfarë të lidh me këto ngjyra?
Le të themi që bluja është ngjyra ime e preferuar, është një ngjyrë që unë, qysh fëmijë, kam qenë i lidhur shumë me të. Mbase kjo ka të bëjë dhe me karakterin tim. Është ngjyra që të sjell qetësi, unë jam goxha i qetë si natyrë dhe aty e gjej veten mirë. Plus që edhe nga ana emocionale është një ngjyrë që jep emocion, ndryshe nga e zeza që është e rëndësishme për vente, por që nga ana emocionale është pak e ftohtë, është e ngurtë. Kështu që unë kryesisht te bluja rrotullohem. Edhe koleksionet e mia aty rrotullohen, në përgjithësi.
 
Le t’i kthehemi edhe një herë në retrospektivë kohës së vjetër, para 90-ës, kur banorët e një qyteti të vogël dëshironin të visheshin bukur. Mban mend, a kishit atëherë “ikona” të veshjes, të stilit, modës që publiku i ndiqte apo preferonte t’i imitonte?
Ne në Shqipëri nuk kemi pasur preferenca për sa i përket modës. Me thënë të drejtën, për fatin tonë të mirë, gjatë muajve të verës, në mënyrë pirate ne shikonin televizionet e Italisë. Dhe gjithçka na vinte prej andej si frymëzimi, tendencat e modës ne i shikonim atje. Ndoshta dhe me revista të sjella nga persona që dilnin jashtë, që ishin revista mode. Aty kishim pikat e referencës. Ndoshta shpeshherë edhe modë pak e vonuar, sepse një modë që mund të ishte në Itali në vitet 88, në Shqipëri ishte në vitin 90 sepse ne ishim një vend i izoluar dhe kishim mundësi shumë të pakta për të marrë informacion. Kështu që gjithmonë na ndihmonte televizioni që aty të kishim ato referencat për modën.
 
Vihet re në përgjithësi në vendin tonë, ende, edhe pse moda ka evoluar, një shkujdesje e meshkujve për t’u veshur, që ndryshojnë thellësisht edhe nga partneret e tyre që kanë në krah, por edhe në raport të përgjithshëm femra-meshkuj. Çfarë mesazhi do t’u jepje në fundin e kësaj interviste djemve, burrave shqiptarë për veshjen e tyre?
Unë do të shtoja edhe diçka tjetër në lidhje me këtë. Kam vënë re që nga momenti kur unë kam filluar punën, ndoshta ata që nuk më njihnin, me skepticizëm edhe kur vinin për të bërë diçka tek unë kishin referenca të huaja, ose thjesht kërkonin një kostum të zi, pa shumë pretendime, mjafton që t’i rrinte mirë. Tani vë re, që krahas koleksioneve që bëj çdo vit, që kjo ka ndikuar edhe në shijet e meshkujve sepse nga viti në vit shikoj që, pothuajse të gjithë, vijnë me idenë për të parë propozimet e mia. Nuk vijnë më me referenca të vjetra, por vijnë që të gjithë me idenë që të shohin propozimet që unë kam bërë.
 
Pra me idenë për të pasur një origjinalitet.
Po. Me idenë për të pasur diçka origjinale, me idenë për të pasur diçka shqiptare, në fund të fundit, edhe për të qenë sa më mirë. Tani vë re që besimi është rritur maksimalisht. Unë mundohem gjithmonë që përpara se të propozoj diçka, të filloj të njoh personazhin, i cili do vishet. Mundohem të kuptoj diçka më shumë nga bota e tij, që stili im të harmonizohet shumë mirë me karakterin e personit, sepse në fund të fundit, sidomos kur bëhet fjalë për veshjet e ceremonisë, e cila është një ngjarje shumë e shënuar në jetën e çdo njeriu, gjithsecili pretendon që të nxjerrë më të mirën e vet. Kështu që në këtë pikë unë përpiqem fort që të kuptoj sa më mirë personin që kam përballë, që ai të nxjerrë në pah të gjithë natyrën që ai ka dhe stilin që ai ka, që ndoshta mund të jetë edhe stil i fshehur, të cilin mund ta shfaqë qoftë edhe me një veshje.
 
Faleminderit! Një histori e bukur suksesi, një histori e bukur sfidash, aq më tepër që ti ke zgjedhur vendin tënd për ta arritur këtë sukses. Ju uroj suksese të mëtejshme dhe sa më shumë fitime në këtë punë që është edhe e lodhshme, apo jo?
Faleminderit! Kjo është një punë shumë e lodhshme, por pasioni bën që lodhja dhe sakrificat të dalin në plan të dytë. Kur ke pasionin, të gjitha kalohen.
 
Faleminderit!
 


Redaksia online
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Bilanci’ politik i 2024, Valteri: Berisha ka monopolizuar PD! Kulluri: Ndiqet nga militantët! Hoxha: Viti i SPAK

‘Bilanci’ politik i 2024, Valteri: Berisha ka monopolizuar PD! Kulluri: Ndiqet nga militantët! Hoxha: Viti i SPAK