Altin Stafa, mjeku i suksesshëm
në Itali, konferencë për etikën në Tiranë

Altin Stafa, mjeku i suksesshëm <br />në Itali, konferencë për etikën në Tiranë
Altin Stafa është një nga ata të rinj që pas viteve 90’ vendosën të ndërtonin të ardhmen e tyre jashtë Shqipërisë. Pas një përiudhe dy vjeçare në Fakultetin e Mjekësisë, në Tiranë, Altini vendos të rifillojë studimet për mjekësi në Universitetin e Bolonjës në vitin 1996. Ai shprehet se dëshira për të ndërtuar një të ardhme profesionale në një kontekst universitar të një niveli të lartë ndërkombëtar si dhe në të njëjtën kohë nevojshmëria për t’i shpëtuar pasojave të një sistemi social në ekuilibër të brishtë (pak muaj më vonë erdhi ’97 shqiptare), përforcuan idenë për t’u larguar nga vendlindja e tij.

‘’I lindur në mes të viteve ’70, e konsideroj veten me fat : si pothuajse gjithë brezi im, kalova fëmijëri të qetë e të mbrojtur. Në fillim të adoleshencës, në fillim të viteve ‘90, rebelimi fiziologjik personal i përkoi rebelimit historik të një populli të tërë… Arratisja nga kaosi brenda dhe jashtë vetes, nuk ishte vetëm një dëshirë fiziologjike dhe psikologjike adoleshenciale, ishte edhe dimensioni dominant i shoqërisë shqiptare të atëhershme.
Bota e re universitare në “Alma mater” të Bolonjës u shartua natyrshëm mbi trungun e vjetër, trung i bazuar mbi një arsimim të rregullt.
Ishte i natyrshëm përballimi me arketipin “albanese” të ndërtuar me aq ngulm nga mediat bazuar mbi eksperiencën e bashkatdhetarëve, të cilët jetonin (apo pësonin) ndryshe over-dozën e lirisë së dhunshme shqiptare…
Antidoti (kundërhelmi) i ksenofobisë, gjeneruar nga shembujt e kriminalitetit shqiptar, ishte natyrisht ambienti kulturor. Universiteti më i vjetër i botës perëndimore, si çdo universitet tjetër më pas, kishte gjeneruar që në vitin 1088 atë që më pas u pagëzua me termin shik « melting pot », ambienti ku elementi etnikisht i ndryshëm është pjesë e normës. Dhe nuk ishim as të parët : përpara studentëve « të arratisur » nga Shqipëria në vitet ’90, atje kishin qenë të tjerë studentë shqiptarë në vitet ‘30. E akoma më parë, në mesjeten e hershme të Bolonjës kishte lënë gjurmë edhe “Collegium Illyricum Almae Matris”

Dr. Stafa, pas kaq vitesh ktheheni në Shqipëri tashmë jo si student. Pse?
Ndodhem në Shqipëri për të ndihmuar në organizimin e një konference ndërkombëtare mbi Etikën mjekësore, aktivitet i Institutit Ndërkombëtar Alb-Shkenca dhe i Seksionit të tij të Shkencave Mjekësore. Kjo konferencë, e para e këtij niveli e organizuar ndonjëherë në Shqipëri, sjell në Tiranë personalitete të nivelit të lartë ndërkombëtar nga fusha e mjekësisë dhe jurisprudencës mjekësore, nga 7 vende të botës, të cilët do të diskutojnë në Shqipëri disa argumente delikate të mjekësisë lidhur ngushtë me etikën mjekësore.

Pse pikërisht ‘’Ethics in Medicine’’?
E vërteta etike e mjekësisë botërore (jo vetem asaj shqipëtare) është zbuluar që para 2400 vjetësh, atëherë kur për herë të parë dhe para çdo profesioni tjetër, mjeku ndjeu nevojën e një kodi auto-disipline: betimi i Hipokratit. Njeriu i sëmurë si epiqendër e mendimit dhe veprimit profesional, përpjekja e mjekut per t’a ndihmuar pacientin pa e dëmtuar atë, respekti i ndërsjelltë mes kolegësh dhe nevoja për të ruajtur dinjitetin profesional. Janë këto “sekretet” që i mësohen studentit të mjekësisë në çdo universitet te botës. I veshur me bluzën e bardhë, ai duhet të jetë në gjendje të kurojë me profesionalizëm dhimbjen e pacientit dhe mbi të gjitha, kur të ndihet i pafuqishëm para vuajtjes së pacientit, të dijë ta respektojë dhe t’i japë asaj dinjitetin njerëzor që i takon. Në këtë këndvështrim, kjo konferencë nuk ka gjë të re për të zbuluar. Dëshiron të përsërisë kumtin e lashtë. Por gjithashtu kjo konferencë dëshiron edhe të diskutojë, me specialistë të nivelit të lartë botëror, situatat e reja me të cilat po përballet mjekësia bashkëkohore të cilat gjenerojnë pyetje të reja etike: transplanti i organeve, përdorimi i energjisë rrezatuese në mjekësi (radiologji, radioterapi etj), përdorimi masiv i teknologjisë në raportin mjek-pacient, limiti etik i eksperimenteve dhe kërkimeve shkencore, dilemat etike në psikiatri dhe në hospitalizimin e forcuar e të sëmurëve mendor etj.

Kjo konferencë organizohet me inisiativën e Institutit Ndërkombëtar Alb-Shkenca, pjesëtar i të cilës jeni edhe ju. Diçka më shumë rreth këtij institucioni.
Instituti Ndërkombëtar Alb-Shkenca ka nisur aktivitetin e tij si një organizim vullnetar kryesisht online i disa studiuesve shkencorë shqiptarë kudo nëpër botë.
Ai është Institucion ndërkombëtar dhe mbarëkombëtar, aktualisht nga të paktët shembuj të tillë në arenën e shoqërisë civile shqip-folëse e që vazhdon të mbështetet mbi baza vullnetare dhe interdisiplinore.
Me 9 seksionet dhe 3 degët e saj gjeografike (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni), instituti dëshiron jo vetëm të ndihmojë në forcimin e lidhjeve profesionale mes komunitetit shkencor shqip-folës, por edhe të sjellë në shoqërinë shqiptare kontributin e vet bazuar në përvojën e pasur të anëtarëve të saj në institucionet shkencore ndërkombëtare.

Ju i përkisni një brezi të ri të suksesshëm që zgjodhët të ndërtonit karrierën tuaj profesionale në një vend të huaj, padyshim me një zhvillim të kahershëm të shkencave mjekësore. Sipas jush, çfarë i mungon mjekësisë shqiptare ? Po sistemin shëndetësor shqiptar si e vlerësoni ?
Mjekësia shqiptare ka nevojë të jetë e hapur dhe në komunikim të vazhdueshëm me kozmosin mjekësor botëror. Asnjë shkencë tjetër e aplikuar nuk e ka kaq të nevojshme sa mjekësia nevojën e komunimimit dhe shkëmbimit të përvojës. Prej vitesh, mjekësia nuk është më një “one man show”. Mjekësia monopoliste është në dëm të pacientit. Sot, fryma e mjekësisë drejtohet në një multi-dimensionalitet drejt shkëmbimit të informacionit ndërdisiplinor, teknologjisë diagnostikuese në rritje dhe shkëmbimit të aftësive kliniko-operative. Në këtë kontekst, përditësimi i njohurive nuk është më një luks apo detaj profesional i sofistikuar.
Përditësimi është baza e profesionit mjekësor. Kanali i komunikimit të vazhdueshëm me kozmosin botëror mjekësor është e vetmja mënyrë për të ushtruar në mënyrë dinjitoze këtë profesion fisnik.
Do të më pëlqente që Shqipëria të kishte sa më shpejt një sistem shëndetësor të qartë; i çfarëdo forme, por i qartë. Vetëm në këtë mënyrë besoj se do të shmangeshin zonat gri që mund të krijohen në mardhëniet mjek-pacient. Tre altrenativat organizative janë tashmë të njohura prej kohësh: sistemi publik, (në formatin e sistemit shëndetësor kombëtar italian apo edhe në modelin britanik Beveridge), sistemi privat (fee for service, i aplikuar në SHBA) dhe forma e ndërmjetme e modelit gjerman Bismarck.
Ushtroj profesionin në kuadrin e sistemit shëndetësor kombëtar italian dhe jam i bindur në efikasitetin e tij, ashtu si në atë të të gjitha formave universale publike, ku shëndeti konsiderohet një e drejtë themelore e qytetarit dhe bazohet mbi rolin dominant të shtetit që ndihmohet nga taksat e qytetarëve.
Besoj gjithashtu që një formë organizimi sipas modelit Bismark mund të merrej në konsideratë në kontekstin aktual shqiptar.
Ndërsa jam plotësisht i bindur që një sistem dominant privat në Shqipëri do të thellonte në mënyrë tragjike hendekun në rritje mes shtresave të popullsisë, aq më tepër kur bëhet fjalë për në një dimension jetësor siç është ai shëndetësor.

Çfarë do të sjellë ndryshe kjo konferencë?
Çdo aktivitet shkencor i shërben rritjes së nivelit profesional, ndërgjegjësimit personal të çdo profesionisti dhe përmirësimit të rezultatit të punës, që në rastin e mjekëve, lidhen drejtëpërdrejtë me shëndetin e çdo qytetari. Qëllimi i aktivitetit është theksimi i rëndësisë së Etikës Mjekësore në aktivitetin e përditshëm të të gjithë profesionistëve të mjekësisë si dimension themelor i raportit mjek-pacient. Në të do të diskutohen çështje të shumta që kanë të bëjnë me zhvillimet më të fundit mjekësore dhe dilemat etike që lindin prej tyre si për shembull Etika e transplanteve, Etika e Psikiatrisë, Etika e përdorimit të energjive rrezatuese në Shqipëri, Etika në përdorimin e teknologjisë mjekësore apo në kërkim shkencor. Nje theks i veçantë do t’i jepet pa dyshim betimit të Hipokratit, i cili vazhdon të mbetet baza e etikës mjekësore edhe për mjekët e mijëvjeçarit të tretë.
Personalitete shumë të njohura të arenës ndërkombëtare në shkencat mjekësore do të sjellin perspektiva të reja mbi këtë çështje duke i aktualizuar me kërkesat që përball zhvillimi i tejskajshëm i mjekësisë në ditët e sotme. Relatorët e ftuar vijnë nga Austria, Franca, Italia, Belgjika, Izraeli, etj. Cilat janë çështjet e nxehta etike të cilave i ënënshtrohet mjekësia shqiptare sot? Si ndryshon etika mjekësore nën veprimin e faktorit social, kulturor, ekonomik e politik e vëzhguar nën lupën e kontekstit shqiptar? Të gjitha këto do të jenë tematika të cilat trajtohen përgjatë gjithë relacioneve të kësaj Konference, e cila do të zhvillohet me datë 31 Mars, në Hotel Tirana Internacional!
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza