TIRANE- Dega e ALUIZNI-t për Qarkun e Durrësit ka bërë dje publike emrat e 1,691 qytetarëve të cilëve u është përgatitur leja e legalizimit dhe mund të paraqiten për të kryer procedurat për pronësinë e truallit. Përmes një njoftimi, Drejtoria theksonte se qytetarët në fjalë duhet të paraqiten pranë zyrave të ALUIZNI-t në DURRES për të tërhequr faturat e parcelës ndërtimore dhe për të lidhur kontratat e fitimit të pronësisë së truallit.

“Siç është bërë e ditur, në bazë të ligjit nr. 50, dt. 27.06.2014. të gjithë qytetarët do të përfitojnë një zbritje në masën 20% të vlerës së parcelës ndërtimore, në rast pagese të menjëhershme brenda 45 ditëve nga data e njoftimit. Mbas 45 ditësh, nga data e njoftimit, vlera e parcelës ndërtimore do të paguhet e plotë” theksonte në deklaratën për shtyp Drejtoria e ALUIZNI-t Durrës.