TIRANË – ALUIZNI ka reaguar ndaj akuzave të Partisë Demokratike lidhur me një tender prej 1.5 milionë dollarë. Deputeti i PD-së, Gent Strazimiri tha se, tenderi është zhvilluar në kushtet e konfliktit të interesit dhe kur ALUIZNI nuk ka nevojë të paguajë për një punë që e ka kryer me punonjësit e tij.
 
Por, zëdhënësja e ALUIZNI-t tha se bëhet fjalë për “Tender i Hapur dhe Kërkesë për kuotim për shërbimin” organizuar nga disa drejtori rajonale të ALUIZNI-t (në Durrës; Tiranë, Shkodër, Fier, Elbasan, Lezhë, Vlorë, Berat, Lushnjë).
 
Duke sqaruar se kemi të bëjmë me  “tender për shërbime” (evidentim, matje në terren, plotësim i dosjes së subjektit), në reagimin e ALUZIN-t theksohet se kompania që ka fituar tenderin do të hartojë një dosje dokumentare tekniko-ligjore e cila merret në dorëzim nga punonjësit e ALUIZNI-t.
 
Zëdhënësja e ALUIZNI-t gjithashtu iu referua një vendimi qeverie të vitit 2014 lidhur me akuzën e PD se tarifat me të cilat po paguhet kompania private janë të majme. Po me vendim qeverie, ALUZNI justifikoi edhe kryerjen e këtij procesi përmes subjekteve prívate dhe jo nga vetë punonjësit e institucionit.
 
“Përmes prokurimeve të bëra këtë vit, do të realizohen vetëm në dy muaj rreth 15.000 përditësime në terren, apo ndryshe thënë 1/3 e numrit të përgjithshëm të evidentimeve të bëra në 8 vitet 2006-2013 të punës së ALUIZNI-t. Ndërkohë, për 8 vitet e Partisë së Strazimirit numri i përgjithshëm i punonjësve të ALUIZNI-t ka qenë rreth 5300 persona dhe janë bërë gjithë-gjithë 45.000 përditësime”, tha zëdhënësja e ALUZINI-t duke shtuar se DD bëri vetëm 22.000 legalizime në 8 vjet.


Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)