TIRANË - Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) kritikon mediat për shkelje të etikës në dy lajmet e fundit të bujshme: vrasja e katërfishtë në fshatin Gjonomadh të Korçës dy ditë më parë, si dhe dhunimi tri  ditë më parë i një nëne në Durrës prej bashkëshortit dhe të birit.

Pas heshtjes së vazhdueshme, AMA reagon së fundi të kritikojë, duke dërguar një deklaratë për shtyp "pas vizionimit dhe disa ankesave nga publiku për pasqyrimin në media" të dy lajmeve të mësipërme. 

Dhe kritikat janë mbi pasqyrimin e lajmit të vrasjes së katërfishtë si shkelje e rëndë e rregullave të etikës dhe të profesionalizmit. Kjo sipas AMA-s në disa media, të cilat, "duke bërë të njohur publikut detaje të tepruara rreth ngjarjes "cenojnë rëndë dinjitetin e gruas, familjes, fëmijëve dhe privatësinë e tyre".
 
"Në intervistën rreth ngjarjes së ndodhur në Durrës media, veç shkeljeve të etikës sipas konstatimit dhe në rastin e mësipërm, transmetoi me zë dhe figurë një fëmijë, duke shkelur Ligjin “Për Median Audiovizive” dhe Konventën e të Drejtave të Fëmijëve", thuhet në deklaratë.
 
Për këto arsye AMA tërheq vëmendjen e medias audiovizive për respektimin e vazhdueshëm të normave etike e morale, si dhe për rritjen e shkallës së profesionalizmit, veçanërisht, në pasqyrimin e ngjarjeve tronditëse për publikun.
 
AMA vëren se, pavarësisht reagimeve të njëpasnjëshme të saj ndaj shkeljeve të etikës, situata mbetet ende shqetësuese.  
 
Në kuadër të mbrojtjes së të dhënave personale, AMA gjithashtu ka vënë në dijeni me shkresë zyrtare Komisionerin për mbrojtjen e të dhënave personale që mbikëqyr dhe monitoron, në përputhje me ligjin, mbrojtjen e të dhënave personale, për marrjen e masave përkatëse.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)