Ambasada e Republikës së Kazakistanit në Shqipëri organizoi më 18 gusht 2026, në Tiranë, një takim informues për përfaqësuesit e medias dhe ekspertët shqiptarë me temë “Kuadri i ri kushtetues i Kazakistanit dhe zgjedhjet e para për Kurultain”.

Takimi paraqiti në mënyrë të përmbledhur dhe faktike ndryshimet kryesore institucionale që pasuan referendumin kushtetues të 15 marsit 2026, si edhe kuadrin e zgjedhjeve të para për anëtarët e Kurultait, të caktuara për më 23 gusht 2026.

Sipas rezultateve zyrtare, më shumë se nëntë milionë qytetarë morën pjesë në referendum dhe 87,15 për qind e votuesve mbështetën Kushtetutën e re. Ajo hyri në fuqi më 1 korrik 2026. Në të njëjtën datë përfundoi mandati i Parlamentit të mëparshëm dydhomësh, të përbërë nga Senati dhe Mazhilisi.

Kuadri i ri kushtetues parashikon një organ legjislativ njëdhomësh të quajtur Kurultai. Ai do të përbëhet nga 145 deputetë, të zgjedhur për një mandat pesëvjeçar nëpërmjet përfaqësimit proporcional me lista partiake në një zonë të vetme zgjedhore kombëtare. Pragu zgjedhor është pesë për qind. Në listat e partive zbatohet gjithashtu një kuotë e përbashkët prej të paktën 30 për qind për gratë, të rinjtë dhe personat me aftësi të kufizuara. Shtatë parti politike kanë paraqitur gjithsej 545 kandidatë për 145 mandate.

Kurultai do të miratojë ligjet dhe buxhetin kombëtar, do të mbikëqyrë zbatimin e buxhetit dhe do të dëgjojë raportet e Qeverisë dhe të Dhomës së Lartë të Auditimit. Ai do të japë gjithashtu pëlqimin për emërimin e Zëvendëspresidentit dhe Kryeministrit.

Takimi u hap me një përshëndetje të shkurtër nga Sh.T. z. Iskander Aisariyev, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Kazakistanit në Republikën e Shqipërisë. Pas kësaj, z. Baurzhan Alzhanov, Këshilltar i Ambasadës, paraqiti një përmbledhje zyrtare të ndryshimeve kushtetuese dhe institucionale. Dr. Redion Luli, ekspert shqiptar i së drejtës ndërkombëtare dhe komentues i çështjeve ndërkombëtare, ofroi një vlerësim në gjuhën shqipe.

“Zgjedhjet e 23 gushtit përfaqësojnë hapin e parë praktik në zbatimin e modelit të ri kushtetues. Synimi ynë është t’u ofrojmë mediave dhe ekspertëve shqiptarë informacion të qartë dhe të verifikueshëm, si dhe të nxisim një diskutim profesional mbi domethënien institucionale të këtyre zhvillimeve”, tha z. Alzhanov.

Dr. Luli theksoi se “për publikun shqiptar, përvoja e Kazakistanit paraqet interes sepse tregon mënyrën se si vendimet kushtetuese kalojnë nga referendumi në praktikën institucionale. Vlerësimi im do të përqendrohet te aspektet juridike dhe institucionale të këtij procesi”.

Gjatë takimit u bë e ditur gjithashtu se po zhvillohen tratativa për vendosjen e një linje ajrore direkte mes Shqipërisë dhe Kazakistanit, me synimin për të lehtësuar lidhjet mes dy vendeve.

Takimi përfshiu pyetje dhe përgjigje, diskutim me pjesëmarrësit dhe komunikim joformal me përfaqësuesit e medias dhe ekspertët e ftuar