Sot ambasadori Donald Lu bëri një deklaratë shumë të fortë, me të cilën akuzon Lulzim Bashën se ka gënjyer zëvendëssekretaren e Shtetit Nuland, por, në një farë mënyre, hedh poshtë edhe provokimin e Edi Ramës: “Sot, Z. Rama - deklaron Lu - njoftoi se ai u ka dhënë fund negociatave me opozitën dhe se do të pranonte çdo kërkesë të opozitës që miratohet nga BE dhe SHBA. Unë e refuzoj edhe këtë rol. Përgjegjësia për zgjidhjen e problemeve politike të Shqipërisë është e udhëheqësve shqiptarë”.
Pak më parë, Donald Lu kishte nënvizuar propozimin e tij të ri: "Propozoj një zgjidhje të thjeshtë. E sfidoj kryeministrin dhe kreun e opozitës që të takohen ballë për ballë të hënën dhe të premtojnë publikisht se nuk do të largohen nga salla e takimit deri sa të kenë një zgjidhje për çështjen e fundit të kësaj reforme".
Kështu, Ambasada e Shteteve të Bashkuara, në mënyrë të qartë dhe përfundimtare, dërgon topin dhe përgjegjësitë për vendimet në fushën e shqiptarëve. "Përgjegjësia për zgjidhjen e problemeve politike të Shqipërisë është e udhëheqësve shqiptarë”. Si të thuash që janë të lirë të gjejnë një kompromis. Dhe, duke qenë se Lu e di shumë mirë që nyja e konfliktit mes Bashës dhe Ramës është pikërisht roli i ndërkombëtarëve në procedurat e vetingut, deklarata e tij a mund të lexohet si një heqje dorë e ndërkombëtarëve nga ky kusht, që deri dje cilësohej si i padiskutueshëm?(c.b.)










