Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka paralajmëruar se grupe të lidhura me Iranin mund të kenë në shenjestër opozitën iraniane në Shqipëri apo edhe subjekte të lidhura me SHBA.

Përmes një reagimi zyrtar ambasada u bën thirrje shtetasve amerikanë që jetojnë në në vendin tonë të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin vende të mbipupulluara apo turistike.

“Grupet e lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri. Ata gjithashtu mund të synojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante. Ne i inkurajojmë qytetarët amerikanë të ushtrojnë vigjilencë të shtuar”, shkruhet në njoftimin e Ambasadës amerikane në Tiranë.

Por qeveria e mohon rrezikun e sulmeve të tilla, duke i cilësuar paralajmërimet e Ambasadës Amerikane hamendësime.

“Agjencitë ligjzbatuese të Republikës së Shqipërisë nuk kanë asnjë informacion shqetësues lidhur me këtë hamendësim të ambasadës amerikane. Kështu që ne i ftojmë qytetarët amerikanë të mos humbasin asnjë nga mundësitë e mrekullueshme që ofron Shqipëria, me vendet e saj të panumërta turistike”, ka njoftuar Agjencia për Media dhe Informim për Report Tv.

Agjencia për Media dhe Informim pranë qeverisë thotë ndër të tjera se Ambasada Amerikane jep vazhdimisht alarme të tilla edhe kur në Tiranë organizohen protesta me molotovë nga Sali Berisha dhe PD.

Ky paralajmërim i Ambasadës Amerikane vjen disa javë pasi Irani kreu sulme kibernetike ndaj sistemeve elektronike dhe faqes zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë dhe pasi parlamenti shqiptar e shpalli Iranin shtet sponsor të terrorizmit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:09
Paralajmërimi i Ambasadës së SHBA-së për Shqipërinë, Gjunkshi: Presidenti Begaj të mbledhë urgjent Këshillin e Sigurisë Kombëtare

1775077947_srtssioo.jpg

Këshilltari për sigurinë në PD, Xhemal Gjunkshi ka reaguar pas paralajmërimit të dhënë nga Ambasada e SHBA për rreziqe që mund të vijnë në Shqipëri nga grupe të caktuara Iraniane.

Në reagimin e tij Gjunkshi e ka cilësuar paralajmërimin si një sinjal serioz për sigurinë Kombëtare.

Po ashtu ai ka kërkuar që Presidenti Bejram Begaj të mbledhë sa më parë Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Ai shton se qytetarët shqiptarë meritojnë transparencë, masa konkrete dhe garanci për sigurinë e tyre.

Reagimi i Xhemal Gjunkshit:

Të nderuar qytetarë,

Ky paralajmërim i Ambasadës Amerikane nuk është një postim rutinë. Është një sinjal serioz për sigurinë kombëtare.

Kur një aleat strategjik si SHBA paralajmëron për rrezik të mundshëm në territorin tonë, shteti shqiptar nuk duhet të heshtë.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka detyrimin kushtetues të mbledhë menjëherë Këshilli i Sigurisë Kombëtare.

Mosveprimi në një situatë të tillë nuk është thjesht neglizhencë, por është papërgjegjshmëri.

A jemi një shtet serioz, apo një vend që reagon vetëm pasi ndodh e keqja?

Qytetarët shqiptarë meritojnë transparencë, masa konkrete dhe garanci për sigurinë e tyre.

Heshtja e institucioneve sot është alarm më i madh se vetë paralajmërimi.

Ora 21:42
Paralajmërimi i Ambasadës së SHBA për sulme nga grupet e lidhura me Iranin, qeveria shqiptare për Report Tv: Hamendësim! Nuk kemi informacione shqetësuese

1775072641_ycfoddsoos.jpg

Agjencia për Media dhe Informim pranë Qeverisë shqiptare ka reaguar për Report Tv pas paralajmërimit të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, për sulme të mundshme nga grupet e lidhura me Iranin në vendin tonë.

Në reagimin e qeverisë thuhet se paralajmërimi i Ambasadës së SHBA-së është një hamendësim. Po ashtu në njoftim thuhet se Ambasada Amerikane lëshon paralajmërime të tilla edhe për protestat me molotovë që organizon PD dhe Sali Berisha në Tiranë.

“Ambasada e SHBA jep rregullisht alarme të tilla, madje edhe kur dalin në protestë grupe opozitare që djegin kazanët e mbeturinave apo gjuajnë me molotov për të dalë në fotografi në gazetat e huaja, por agjencitë ligjzbatuese të Republikës së Shqipërisë nuk kanë asnjë informacion shqetësues lidhur me këtë hamendësim të ambasadës amerikane. Kështu që ne i ftojmë qytetarët amerikanë të mos humbasin asnjë nga mundësitë e mrekullueshme që ofron Shqipëria, me vendet e saj të panumërta turistike, mikpritjen e saj të pakonkurueshme dhe ushqimin e saj të paqortueshëm”, thuhet në reagimin e Agjencisë për Media dhe Informim.