TIRANE-Ambasada ruse në Shqipëri ka zbardhur telefonatën e ministrit të Jashtëm Sergei Lavrov me kryeministrin Edi Rama, në cilësinë e kreut të OSBE-së që po tenton ndërmjetësimin e krizës në Bjellorusi. Ambasada thotë se Lavrov i ka bërë të qartë Ramës se nuk duhet të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Bjellorusisë.

"Më 20 gusht, me iniciativën e palës shqiptare, u zhvillua një bisedë telefonike midis Ministrit të Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergej Lavrov dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Kryetarit të OSBE-së, Edi Rama. Palët diskutuan mbi situatën në Bjellorusi në kontekstin e propozimeve të Kryesisë Shqiptare të OSBE-së për të kontribuuar në zhvillimin e dialogut midis autoriteteve dhe opozitës.

Ministri Lavrov vuri në dukje se është e nevojshme që bjellorusët të lejohen të zgjidhin vetë punët e tyre, të mos ketë ndërhyrje në dialogun midis autoriteteve dhe shoqërisë dhe t`u mos u imponohet shtetasve bjellorusë asgjë nga jashtë, në mënyrë që të shmanget përvoja e trishtë e "ndërmjetësimit evropian" në Ukrainë në shkurt 2014.

Bashkëbiseduesit rikonfirmuan rolin e rëndësishëm të Misionit Special të Monitorimit të OSBE-së në përpjekjet për të zgjidhur konfliktin e brendshëm ukrainas, duke përfshirë nevojën për të përgatitur raporte objektive për atë që po ndodh në të dyja anët e linjës së kontaktit në Donbas" shkruan ambasada ruse në Tiranë.

Ndërkohë që sipas burimeve nga qeveria shqiptare, Putin mbështet ndërhyrjen e OSBE në Bjellorusi për të ndërmjetësuar zgjidhjen e krizës pas zgjedhjeve. Po ashtu, presidenti francez Emmanuel Macron u shpreh sot se 'kemi pasur disa biseda me Putinin, kemi sugjeruar ndërmjetësimin e OSBE-së, Putin është në favor, por Lukashenko nguron'.