TIRANË-Ambasada amerikane merr në dorë udhëheqjen e palëve për të gjetur konsensusin për reformën zgjedhore. 9 orë diskutime u zhvilluan sot, jo në pallatin e kongreseve si gjithmonë, por tashmë në rezidencën e ambasadores amerikane.  

9 orë takim i vështirë, i gjatë por konstruktiv. Kështu është cilësuar takimi i ditës së sotme nga ambasadorët e SHBA, Yuri Kim, ai i BE, Luigi Soreca dhe ambasadori i Britanisë, Duncan Norman me 4 anëtarët e Këshillit Politik.

Edhe pse nga takimi i zhvilluar në rezidencën e ambasadores Yuri Kim nuk pati një marrëveshje përfundimtare, ambasadorët dolën me një thirrje të qartë se 'Reforma duhet të mbyllet patjetër në takimin e nesërm', ndërsa Yuri Kim dha një mesazh të qartë edhe për PD, se nëse nuk ka dakordësi mes palëve përtej rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it 'atëherë duhet të heqin dorë nga këto kërkesa'.

Reforma zgjedhore ka rëndësi për integrimin e Shqipërisë, tha Soreca dhe BE dëshiron të shoh përmbylljen e saj si një sinjal të qartë pozitiv kur të prezantojë kornizën e hapjes së negociatave.

Edhe për ambasadorin e  Britanisë, Duncan Norman reforma duhet të mbyllet nesër dhe Këshilli Politik të bëjë pikërisht atë punë për të cilën u krijua, përfundimi i reformës zgjedhore.

Palët do të mblidhen sërish nesër në orën 11:00 në rezidencën e Yuri Kim dhe këtë herë ambasadorët ishin të prerë kur deklaruan se presin të ketë 'tym të bardhë'.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:58
Ambasadori britanik: Konsensusi duhet të arrihet nesër për të ardhmen e vendit

Ambasadori britanik Duncan Norman tha se palët duhet ta arrijnë konsensusin nesër dhe kjo është thelbësore jo vetë për vendin por dhe për të ardhmen e  tij në BE.

"Këshilli politik u krijua për të përfunduar reformën zgjedhore dhe sot është bërë një përparim i mirë, por ka ende punë për të bërë. Është thelbësore që këtë ta përfundojnë nesër, jo vetëm që Shqipëria të vazhdojë rrugën e saj drejt BE por edhe votuesit shqiptar  të kenë zgjedhje të lira herës tjetër. Le të përfundojmë punën", tha Norman.

Ora 20:51
​​​​​​​'Zgjedhorja', Soreca: Kufijtë janë vendosur nga OSBE/ODIHR-i! Takimi konstruktiv, të vazhdojë kështu dhe nesër

Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca tha se takimi me palët e Këshillit Politik  ka qenë konstruktiv dhe se kjo duhet të vazhdojë ditën e nesërme. Soreca tha se kufijtë për reformën zgjedhore janë vendosur nga OSBE/ODIHR dhe se përfundimi i kësaj reforme do të ndihmonte shumë vendin për të ardhmen e tij drejt BE por dhe shqiptarët.

"Patëm një ditë shumë të mirë pune së bashku ku bashkëshoqëruam punën e anëtarëve të këshillit politik. Për BE është e rëndësishme që të mund të përmbushen kushtet dhe të nis procesi i anëtarësimit të vendit sa më shpëjtë. Kufijtë janë vendosur nga OSBE/ODIHR-in dhe këtë po kërkon dhe BE nga Shqipëria. Shumë shpejt Komisioni Europian do të prezantojë kornizën negociuese dhe një arritje për reformën zgjedhore do ta bëjë më lehtë këtë punë. Falenderoj palët për qasjen e tyre konstruktive dhe i ftoj që të vazhdojnë më të njëjtën qasje konstruktive dhe nesër. Të mos e shpërdorojmë vrulli që arritëm, sepse para së gjithash është në interes të shqiptarëve dhe të ardhmes së Shqipërisë në BE", tha Soreca.

Ora 20:47
Ambasadorja Yuri Kim: Kërkesat përtej ODIHR vëtem me konsensus, ndryshe tërhiquni

Ambasadorja e ShBA-së, Yuri Kim ka deklaruar pas takimit me përfaqësuesit e këshillit politik të reformës zgjedhore, që palët politike duhet të zbatojnë rekomandimet e ODIHR. Sipas saj nëse nuk arrijnë konsensusin për çështje përtej rekomandimeve të ODIHR, atëherë palët politike duhet të heqin dorë nga këto kërkesa. Në një dalje për mediat, pas takimit, diplomatja amerikane u shpreh se orët e diskutimit kanë qenë të  vështira, por me përparime.

"Që të tre ne ambasadorët kemi shpenzuar 9 orë me anëtarë e këshillit politik. Ka qenë ditë e gjatë dhe e vështirë, por është bërë përparim. Kjo ka qenë e vështirë për të gjitha palët e përfshira. Të gjithëve i është kërkuar që të japin që Shqipëria të fitojë. Shqipëria, aleati dhe miku ynë është në një fazë kritike të historisë së saj. 25 marsi ishte një pikë kthese. Është një votë për të ardhmen e Shqipërisë ne Evropë.  Sikurse jeni në dijeni BE ka vendosur një sërë kushtesh që Shqipëria të nisë negociatat për në BE, mes tyre është reforma zgjedhore që është në përputhje me rekomandimet e ODIHR. Qëllimi ynë sot dhe nesër, sepse do të ritakohemi përsëri nesër është që Shqipëria të përmbushë rekomandimet e ODIHR në mënyrë që Shqiperia të jetë anëtarë ne BE. Nëse partitë do të arrijnë në konsensus për masa që shkojnë përtej rekomandimeve të ODHIR ne do të jemi dakord. Por nëse konsensusi për këto pika nuk arrihet atëherë palët nuk duhet t'i vazhdojnë më këto kërkesa", tha ambasadorja Yuri Kim.  

Ora 15:46
Pas konsultave të PD-LSI në selinë blu, anëtarët e Këshillit Politik sërish takim me Yuri Kim

1579004397_hajdari7.jpg

Të katër anëtarët e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore, Rudina Hajdari, Damian Gjiknuri, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili janë mbledhur sërish në rezidencën e ambasadores Yuri Kim.

Pas konsultave për rreth 1 orë të Oerd Bylykbashit dhe Petrit Vasilit në selinë blu ata janë zhvendosur sërish në rezidencën e Yuri Kim për të vijuar diskutimet para nisjes së mbledhjes së Këshillit Politik për Zgjedhoren që pritet të nis pasditen e sotme.

Në takim janë edhe përfaqësues të OSBE-së, ambasadori i BE, Luigi Soreca dhe ambasadori i Britanisë, Duncan Norman.

Ora 14:41
Pas takimit me ndërkombëtarët, Bylykbashi dhe Vasili 'zbarkojnë' në selinë blu! Mbledhje me Bashën

1591101961_OerdBylykbashidhePetritVasili.jpg

Dy përfaqësuesit e opozitës në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili kanë "zbarkuar" në selinë blu për të takuar kryedemokratin Lulzim Basha. Në takim ishte edhe kreu i PDIU, Idrizi. Në fokus të takimit është Reforma Zgjedhore, në një kohë palët nuk arritën një marrëveshje brenda 31 majit. Takimi vjen vetëm pak minuta pasi Bylykbashi dhe Vasili takuan ambasadorët e SHBA-së, BE-së dhe Gjermanisë. Ndërkohë pasditen e sotme, pritet që Këshilli Politik të zhvillojë mbledhjen e radhës.