Ambasadori shqiptar në Athinë, Dashnor Dervishi ka shprehur qendrimin e tij, lidhur me ngjarjet e fundit në Beograd, gjatë ndeshjes mes ekipeve kombëtare Shqipëri-Serbi.
"Kam ndjekur me vëmendje të madhe atmosferën në Greqi, me të cilën u përcoll incidenti që ndodhi në stadiumin e Beogradit gjatë ndeshjes së futbollit midis ekipit kombëtar të Serbisë dhe Shqipërisë. Në mënyrë të natyrshme, si një vend fqinj në rajonin tonë, opinioni grek do të tregonte një interesim të veçantë për këtë ngjarje aspak të pëlqyeshme për të gjithë neve", shprehet Dervishi në një postim në faqen zyrtare në "Facebook", të ambasadës së Shqipërisë në Greqi.

"Gjej rastin", vijon ambasadori Dervishi, "të shpreh edhe një herë keqardhjen time, por edhe të qeverisë dhe opinionit të vendit tim që kjo ndeshje futbolli,në vend që të jepte mesazhet e paqes, të solidaritetit dhe frymën e garës, u kthye në një arenë përleshjesh, sharjesh dhe ofendimesh, të cilat nga tapeti i fushës jeshile, mbërthyen edhe politikën në nivelet më të larta. Nën presionin e emocioneve të ndeshjes, por edhe të qarqeve ekstremiste të brendëshme e të jashtme, kjo ngjarje e shëmtuar i kaloi caqet e një tifozërie të sëmurë dhe huliganesh, duke I u kthyer historisë së ngarkuar ballkanike me konflikte, e përcjellë me deklarata që i kapërcyen kufinjtë e etikës dhe civilizimit europian, duke thënë që në fillim atë që duhet të thonin në fund, me maturi dhe qetësi".

Për fat të keq, shton ambasadori, "kjo gjë ndodhi edhe me një pjesë të komenteve dhe shtypit grek, të cilët duke harruar dhe mos përmendur fare atë se cfarë ndodhi në Beograd, nxituan të mbushin faqet me rrezikun e destabilizimit të Ballkanit nga rreziku i nacionalizmit të Shqipërisë së Madhe. E gjitha kjo, sepse një flamur hartë u ngrit mbi fushën e stadiumit ( akoma nuk dihet se kush e lëshoi), në një stadium ku në 50 shqiptarë të pranishëm, dëgjoheshin vetëm klithmat e 30 mijë tifozave serbë që fishkëllenin hymnin kombëtar shqiptar, valvisnin flamujt e tyre, duke djegur flamurin shqiptarë dhe ato të NATO-s. Dhe për fat të keq, kjo është bërë një gjë e zakonëshme në çdo ndeshje që luhet në Serbi dhe jashtë saj edhe kur sportistët dhe tifozët shqiptarë nuk janë të pranishëm. Po të mos ishin pamjet e filmuara nga kanalet televizive mbi thirjet histerike në korr "vdekje shqiptarëve", dalja ne fushë e huliganëve dhe dhunimi i 11 sportistëve, shumë vështirë do të ishte që opinioni përparimtar grek që dëshëron të njihet me të vërtetën, do ta mernin vesh se cfarë ndodhi në Beograd".

"Gjej rastin të shpreh vlerësimet dhe konsideratat e mia për autoritetet më të larta greke dhe në mënyrë të veçantë qëndrimin e matur dhe të kujdeshëm të MPJ dhe Presidentit për trajtimin me konstruktivitet të kësaj ngjarje, duke tërhequr vëmendjen për më shumë vëmendje dhe reflektim në një realitet, ku e ardhmja e rajonit tonë nuk i përket së kaluarës por perspektivës europiane me të gjithë parametrat e saj", thekson ambasadori Dervishi.

Kjo ngjarje e shëmtuar në Beograd, vijon ambasadori, "nxorri në pah si pa dashje pozicionim e palëve. Por në të njëjtën kohë ajo evidentoi edhe rrezikun që i kanoset rajonit tonë po të mos reflektojmë dhe të mbetemi peng i së kaluarës dhe viktimë e ngjarjeve sporadike. Historia botërore na ka mësuar se ngjarje të tilla i bëjnë palët të thellohen në shkaqet dhe pasojat që mund të sjellin incidente të tilla. Ato të japin kurajon për të ndërmarrë veprime që në kushte të zakonshme do të duheshin vite për t'u ndërmarrë drejt normalizimit të bashkëjetesës ballkanike".

"Vendosmëria e qeverisë shqiptare për të realizuar vizitën e planifikuar në Beograd të Kryeministrit Rama, është shprehje e vullnetit që gjërat të ndryshojnë në marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve. Nga kjo, të jeni të sigurtë se do përfitojnë të gjitha vendet e Rajonit tonë dhe Europës së Bashkuar", përfundon ambasadori shqiptar në Athinë, Dashnor Dervishi.

ATSH