Ambasadori francez për balerinin 
shqiptar: I rëndësishëm si Balzaku

Ambasadori francez për balerinin <br />shqiptar: I rëndësishëm si Balzaku
Angjelin Preljocaj ka ardhur nga Franca në Shqipëri. Ishte ulur përballë gazetarëve dhe artistëve të premierës së baletit “Dasma” dhe sytë i shkëlqenin nga dashuria e ciltërsia me të cilën nis të komunikojë. Duket vërtetë si “kushëriri i engjëjve”, siç e ka cilësuar Ismail Kadare në një libër dedikuar këtij balerini të famshëm francez me origjinë shqiptare.

Preljocaj ishte i shoqëruar nga z. Bernard Fitoussi, ambasador i Francës në Shqipëri, nga drejtori i TKOB, Ilir Kerni, drejtoresha artistike Abiguela Voshtina, etj.

“Duke qenë ambasador kam takuar shumë artistë, por takimi me Preljocaj është një rast i veçantë, sepse ai është një mjeshtër i madh i baletit bashkëkohor. Nëse do t’ua shprehja me një përfytyrim rëndësinë e tij në baletin bashkëkohor francez, do t’ju thosha se ka të njëjtën rëndësi si Balzaku dhe Shopeni në kulturën franceze”, tha ambasadori Bernard Fitoussi.

Natyrshëm, edhe pse është e disata herë që kthehet, mjeshtri i baletit e ndjen origjinën e tij, shqiptarin që ka brenda vetes. Dhe premiera “Dasma” është një mënyrë për ta shprehur këtë ndjenjë.

“Unë besoj tek forca e vallëzimit për të interpretuar atë që unë ndjej. Por janë balerinët që i japin pjesës sime gjithë konfiguracionin tim, veshjen artistike”, tha Preljocaj. Ai kujton mënyrën sesi e realizuan balerinët La stravagansa-n dhe ka shpresë se premiera me trupën e baletit të TKOB “do të shkëlqejë”.

“Dasma”, një histori shqiptare

Për “Dasmën” Angjelin Preljocaj tha se është i frymëzuar nga historia e familjes së tij, që është një histori shqiptare. Ai iku në barkun e nënës drejt Francës, po edhe atje do të ndiqte ritualet e traditat shqiptare në bashkësitë shqiptare që ishin në Francë, në dasmat e kushërinjve dhe të afërme të mërguar. Ai e ndjente se në muzikat e dasmës kishte një tragjizëm dhe shumë lot.

E mori me vete këtë mbresë dhe e ruajti gjatë në kujtesë. “Shihja se gratë qanin, -tregon Preljocaj, kur martohej një nuse. Plakat qanin se kujtonin të kaluarën e tyre. Gratë qanin se e dinin se ç’i priste pas ikjes nga dera e vajzërisë dhe vajzat qanin gjithashtu për fatin e tyre. Kishte lot kur përcillej nusja.” Përsa i përket premierës së baletit, Preljocaj thotë se nuk ka një fabul të mirëfilltë, por motivacioni shqiptar ndihet.

“Është një tematikë e kompozicionit të dasmës. Ideja lindi kur unë në dasmat franceze kam dëgjuar Stravinskin. Më tronditi, -rrëfen Preljocaj, -dhe mendoja se dhe Stravinski kishte diçka tragjike në dasma. Baleti do të jepet përmes një rituali të ndarë në tri pjesë. Dasma ka lënë gjurmë në psikologjinë e Angjelin Preljocaj, në shtëpinë e tij ende vazhdonte tradita e martesave me këshillim (mblesëri).

Kështu u martua motra e tij si shqiptarët dikur, edhe pse jetonte në Francën e civilizuar, ndërsa ai vetë u dashurua me një franceze dhe u martua me të. Tradita e hershme shqiptare, kur vinin të merrnin nuse disa burra të armatosur, Preljocajt i ngjante si rrëmbim.

“Nusja deri ditën e dasmës nuk e njihte fare bashkëshortin, vinte një çast që ajo hipte në kalë dhe vinin e merrnin nga shtëpia krushqit, burra të armatosur dhe kjo më ngjante vërtetë si një rrëmbim”, rrëfen Preljocaj. Këtu elementi muzikor gjen hapësira për të dhënë elementë tragjikë të dasmës. Dhe atij i jepet rasti që ta tregoj historinë e tij shpirtërore me anë të kërcimit.

Preljocaj: Shqipëria për mua është diçka e jashtëzakonshme

Për Angjelin Preljocaj që nuk kishte si ta shihte me sytë e vet Shqipërinë, sepse kur familja e tij u arratis para 50 vitesh ai ishte në barkun e nënës, Shqipëria mbetet një surprizë. Surpriza më e madhe ka qenë kthimi, “kur mundi të sillte nënën në atdhe”, siç rrëfen ai. “Ishte një emocion i madh, dhe një gjë që s’e kisha menduar kurrë. Po ktheja prindërit e mi për herë të parë në vendin e tyre që për vite me radhë ishin konsideruar armiq.

Ata nuk kishin shpresa në komunizëm se do ta shihnin ndonjëherë me sy atdheun e tyre. Ishte diçka e jashtëzakoshme. Unë nuk mendoja se do të vija më këtu.” Dhe emocionet e Angjelin Preljocaj kur vjen në Shqipëri janë një rrahje zemre e sinqertë. Tërë jetën prindërit i kanë folur me mall për vendin e origjinës. Rëfen se kur shkoi për herë të parë në Vermosh e takoi kushërinjtë që kurrë s’i kishte parë, po i dukej se i njihte prej kohës. Më dritën e nostalgjisë shqiptare në sy, Angjelin Preljocaj duket vërtetë si “kushëriri i engjëjve”.
prejlocaj
prejlocaj
Redaksia Online
(m.p/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Kukës/ Emigrantët kthehen për pushime, gjallërojnë Shishtavecin

Kukës/ Emigrantët kthehen për pushime, gjallërojnë Shishtavecin