TIRANË, 11 Dhjetor/ATSH-Almarina Gegvataj/- "Puna e qeverisë ka krijuar shpresë të re në Shqipëri", vuri në dukje sot në mbrëmje Kreu i trupit diplomatik të Vatikanit, Arqipeshkvi Ramiro Moliner Inglés.
Në fjalën e tij, gjatë pritjes së fundvitit të organizuar në kryeministri për trupin diplomatik, Ambasadori i Vatikanit në vendin tonë vlerësoi se "paqja dhe stabiliteti në rajon, rritja e marrëveshjeve një palëshe dhe shumëpalëshe si dhe respekti dhe bashkëpunimi reciprok, kanë qënë një përpjekje konstante e qeverisë tuaj".
Në një kohë relativisht të shkurtër, në Shqipëri kanë ndodhur dy ngjarje të rëndësishme dhe të gëzueshme, tha më tej diplomati i Vatikanit duke veçuar marrjen e statusit të vendit kandidat dhe vizita e Papa Françeskut në Shqipëri më 21 shtator të këtij viti.
"Në qershor Shqipëria përmbushi aspiratën e saj të shumëpritur, duke u bërë një vend me statusin kandidat të BE. Edhe ne e ndajmë këtë gëzim të Shqipërisë, ishte rezultat i një pune të madhe e të vendosur të shumë aktorëve. Sot shqiptarët janë krenare, pasi e shohin këtë si një njohje të shndërrimeve thelbësore që kanë ndodhur në vend, në një periudhë të shkurtër kohe", deklaroi Arqipeshkvi Ramiro Moliner Inglés.
Por shtoi ai, mbetet ende sfida që të sigurohet një demokraci më e mirë, e qëndrueshme dhe funksionale, për të cilën nevojitet konsensusi i nevojshëm, nga aktorë politikë dhe shoqëria shqiptare për të ndërtuar Shqipërinë e re e cila është e gatshme për t'u integruar plotësisht në Evropë.
Një tjetër ngjarje e rëndësishme që solli gëzim në Shqipëri, tha më tej Ambasadori i Vatikanëit në vendin tonë,  ishte vizita njëditore e Shenjtërisë së tij Papa Françesku, në 21 shtator në Tiranë, me ftesë të kryeministrit Rama, vizita e parë e Papës në një vend evropian. "Papa erdhi në Shqipëri për të vizituar vendin që kishte vuajtur kaq shumë gjatë komunizmit si dhe për të dëshmuar dialogun konstruktiv që ekziston mes komuniteve të ndryshme fetare në këkë vend që kanë mësuar të jetojnë së bashku pa dallim duke respektuar identitetin e veçantë", tha ai.
Në përfundim, Kreu i trupit diplomatik të Vatikanit tha se "unë kam detyrën që t'u them edhe të tjerëve të ndjekin këtë shembull"./a.g/