TIRANE- Ambasadori i Rus Leonid Abramov deklaron se nacionalizmi është i rrezikshëm dhe kategorikisht i papranueshëm. Në një konferencë për shtyp në ambasadën ruse, sot paradite ambasadori Abramov tha se në këtë cështje mbështet deklaratat e ambasadorit Arvizu dh se edhe Moska është kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan.

“Që në dhjetor (2012) kam mbështetur kolegun tim Arvizu dhe kam përmendur që një shqetësim i tillë ekziston.  Duhet të saktësoj ekziston patriotizmi shqiptar, si ai rus, por dhe nacionalizmi, dhe diferenca është se patriotët janë të prirur t'i zgjidhin problemet për llogari të vet dhe jo shteteve të tjera. Nacionalizmi është i rrezikshmë se mund të kalojë në çështjen e ndryshimit të kufijve. Kjo është kategorikisht e papranueshme duke marrë parasysh termin e sallatës ballkanase dhe ekzistencës së një terreni jo shumë stabël. Ministri im i punëve të Jashtëm Lavrov gjatë një konference më 29 janar 2012 në Moskë iu përgjigj pyetjes së gazetarit dhe përgjigjja ishte se nacionalizmi është i papraueshëm jo vetëm për interesat e Rusisë por interesat thelbësore të cfarëdo shteti tjetër “- tha Abramov.

RUSIA PRET QENDRIM KONSTRUKTIV NDAJ GAZPROM
Gjatë konferencës për shtyp Abramov tha se Rusia është e interesuar të zgjerojë bashkëpunimin me Shqipërinë në një sërë fushash ekonomike e tregtare. "Rusia është e interesuar të investojë në Shqipëri" tha

Abramov dhe përmendi  kompaninë “Gazprom", pjesëmarrëse në tenderin e privatizimit të "Albpetrol-it". Abramov tha se "qeveria e re shqiptare, e cila pritet të dalë pas zgjedhjeve të qershorit duhet të mbajë një qëndrim konstruktiv ndaj kompanive ruse". Abramov shprehu interesin për forcimin e bashkëpunimit dypalësh si dhe rritjen e marrëdhënieve tregtare jo më pak se 30 për qind, ku sipas tij, potenciali është shumë herë më i madh, ndërsa shtoi se "Rusia është e interesuar të investojë në Shqipëri".  "Përpos "Gazprom", tri vitet e fundit janë interesuar edhe kompani të mëdha ruse të investojnë në Shqipëri, si "Lukoil" dhe “RusHyrdo" në sistemin energjetik shqiptar, ku edhe ka ardhur këtu vetë presidenti i kësaj  kompanie", tha ambasadori Abramov.

Një fushë tjetër, ku bashkëpunimi mund të forcohet, sipas ambasadorit rus, është ajo e turizmit, ndërsa shtoi se kjo bëhet nëpërmjet paketave turistike, pa harruar të theksojë mirënjohjen ruse duke qenë se Shqipëria ka nënshkruar një marrëveshje të njëanëshme për hyrjen pa viza të shtetasve rusë përgjatë sezonit veror. "Vjet (përgjatë 2012) kanë hyrë në territorin shqiptar për turizëm 12 mijë qytetarë rusë", tha Abramov.

"Jemi të gatshëm të nënshkruajmë një protokoll për lehtësimin e lëvizjes pa viza për disa kategori si turistët, të rinjtë, akademikët e përfaqësues të fushave të tjera. Shpresojmë që ky protokoll të nënshkruhet së shpejti, pas konsultimeve me Ministrinë e Jashtme", tha ambasadori rus.

I pyetur nga ATSH në lidhje me rifillimin e fluturimeve Tiranë-Moskë dhe anasjellas, ambasadori Abramov tha se "tre kompani ruse janë në përpjekje për nënshkrimin e marrëveshjes për këtë kurs fluturimi", por sipas tij, "kjo varet nga kompanitë në bazë të fluksit të pasagjerëve që do të jenë të interesuar"

AMBRAMOV: MOS NJOHJA E KOSOVES, VENDIMI YNE

Ambasadori rus  tha se Rusia mbështet dialogun Beograd-Prishtinë, për rritjen e përfaqësimit politik në këto bisedime. Sa i takon mosnjohjes së Kosovës si shtet  Abramov tha se  "ky është një vendim sovran i çdo shteti të pavarur”.  Abramov shtoi se përparimi në negociata në radhë të parë për bashkëjetesën e komuniteteve të ndryshme, është i arritshëm falë bisedimeve.

(sg/shqiptarja.com)