Nga Pogradeci, ambasadorja franceze në Tiranë, Christine Vasac u shpreh qartë se hapja e listave dhe çështja e koalicioneve zgjedhore është një cështje që u takon ta zgjidhnin vetë shqiptarët dhe jo ndërkombëtarët. Vasac ishte pjesë e tryezës që kreu i shtetit Ilir Meta organizoi dje në Presidencë me ambasadorët e BE-së dhe të Britanisë për të ngritur shqetësimin mbi lëvizjet e Edi Ramës për të hapur listat pa konsensus.

Por përgjigja e diplomates është tepër e qartë. "Mos prisni një përgjigje prej meje mbi themelin e organizimit, sepse kjo është çështje shqiptare" tha ajo. "Ka një projekt të rieditimit të të gjithë Kushtetutës shqiptare. Kryeministri është shprehur në mënyrë publike dhe në Parlament në lidhje me këtë.

Ka edhe një qëndrim të presidentit të vendit, i cili na mblodhi ne të gjithë ambasadorëve të BE dhe të Mbretërisë së Bashkuar dje. Ju përket shqiptarëve dhe vetëm atyre që ta trajtojnë këtë cështje. Ka një kalendar i cili është vendosur dhe nëse do të respektohet ose jo kalendari këtë do ta tregojë koha. Por do të duhet një bashkëpunim i pozitës dhe opozitës në mënyrë që ne të marrim një rezultat" tha ajo.

Ambasadorja kishte një kritikë edhe për qëndrimet e Presidentit dhe opozitës, që janë shprehur në vazhdimësi se kushtet për Shqipërinë për hapjen e negociatave janë shtuar. "Ashtu si ju e dini në 25 mars janë hapur negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Duhet të fokusohemi tek konkluzionet dhe kjo nuk është dicka e re. Qëllimi kryesor është që të konkretizohet situata, në mënyrë që të kemi konferencën e parë ndërqeveritare.

Është gabim të themi papushim që po shtohen kushtet për Shqipërinë. Unë ju sugjeroj që të lexoni konkluzionet e 25 marsit dhe konkluzionet e mëparshme. Interesi i Shqipërisë është që të mbahet sa më parë konferenca ndërqeveritare dhe për këtë është duke punuar ambasadori Zef Mazi i emëruar nga kryeministri" tha ajo.

Sakaq ambasadorja e Francës ka dhuruar 300 maska për bashkinë e Pogradecit.