TROPOJË- Kjo ditë e hënë ka qenë një ndalesë për ambasadoren e SHBA-së Yuri Kim në qytetin e Tropojës. Ky rikthim i saj në Tropojë erdhi si një premtim i mbajtur që vetë ambasadorja ua kishte dhënë fëmijëve të zonës që të konsumonin së bashku një drekë në Ditën e Falenderimeve.
“E lumtur që jam kthyer në Bajram Curri për të mbajtur premtimin ndaj fëmijëve që takova gjatë vizitës sime të parë në maj: se do të kthehesha për të ngrënë së bashku darkën e Falënderimeve. Për amerikanët, Dita e Falënderimeve është koha e vitit kur shkojmë në shtëpi për të ndarë një vakt të veçantë me miqtë dhe familjen. Si dikush me rrënjë në mal, është e natyrshme dhe e gëzueshme për mua të ‘kthehem në shtëpi’ në malësitë e Shqipërisë për Ditën e Falënderimeve.
Më la edhe një herë përshtypje inteligjenca dhe vendosmëria e treguar nga të rinjtë që takova këtu, veçanërisht studentët në “English Empowers All Tropojans” dhe “Girls Lead Our World. SHBA është krenare që sponsorizon programe që u mundësojnë të rinjve të zhvillojnë potencialin e tyre të plotë dhe të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për veten e tyre, për Tropojën dhe për Shqipërinë dhe SHBA. Le të vazhdojmë të zgjedhim të ardhmen në vend të së shkuarës. Faleminderit banorëve të Tropojës për pritjen dhe mikpritjen tuaj të ngrohtë – jam mirënjohës që jam me ju!”, shkruan Kim.
Kjo deklaratë e Yuri Kim mund të shihet edhe si një mesazh i ambasadores për ish-kryeministrin i cili e shpalli ‘non grata’ në zyrën e tij nëse do të vijë në krye të PD-së, por ajo e sfidoi duke i shkuar në qytetin e tij të lindjes, Tropojë, me të cilën identifikohet edhe vetë Sali Berisha.