Ambasadorja amerikanë Yuri Kim ka zhvilluar paraditen e sotme një takim për më shumë se 60 minuta me ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit, ku është takuar me kreun e SPAK Altin Dumani dhe prokurorë të tjerë. Kjo vizitë e Kim është e para pas zgjedhjes së kreut të ri të SPAK Dumani.

Në reagimin zyrtar të ambasadës amerikane në lidhje me takimin, thuhet se ambasadorja Kim ka uruar kreun e ri të SPAK, Altin Dumanin për postin e ri dhe ka theksuar që Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin fort zbatimin e reformës në drejtësi. Po ashtu Kim ka nënvizuar se SHBA mbështet prokurorët dhe hetuesit e SPAK të intensifikojnë ndjekjen penale të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, në përputhje me ligjin, pa frikë apo favore.

Kujtojmë se Kim luajti një rol aktiv në zgjedhjen e kreut të ri të SPAK, ku monitoroi vetë nga afër procesin e mbajtur në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Gjatë kohës kur kandidati Edvin Kondili po raportonte në KLP, në sallë mbërriti edhe ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim. Diplomatja nuk la vend për spekulime dhe sqaroi se ardhja e saj nuk kishte qëllimin që të ndikonte në procesin e votimit, por për të treguar rëndësinë e procesit, duke e cilësuar si një moment kyç për reformën në drejtësi. Në sallë ishin edhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare dhe përfaqësues të ambasadës Amerikane. 

Altin Dumani u zgjodh në krye të SPAK të premten e datës 16 dhjetor duke marrë 5 vota nga 10 anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë që morën pjesë në zgjedhjen e kryeprokurorit të Prokurorisë së Posaçme. Ndërsa Edvin Kondili u rendit i dyti me 4 vota dhe Adnan Xholi mori vetëm një votë. Dumani është drejtuesi i dytë i SPAK që prej krijimit të këtij institucioni kyç që pas reformës në drejtësi. Mandati i Dumanit është 3-vjeçar, pa të drejtë rikandidimi.  Kjo ishte hera e dytë që Dumani kandidoi për të marrë drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, pasi herën e parë nuk fitoi përballë Arben Krajës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:23
Kim zbardh takimin me kreun e ri të SPAK: Të çohet para lufta kundër korrupsionit në nivel të lartë! Askush nuk është mbi ligjin

Ambasada amerikane ka zbardhur takimin e diplomates amerikane Yuri Kim me kreun e ri të SPAK mesditën e sotme. Në fjalën e saj Kim ka theksuar sërish mbështetjen që SHBA do të vazhdojë që të japë për Reformën në Drejtësi, ndërsa nënvizoi faktin se duhet çuar para lufta kundër korrupsionit si interes thelbësor i sigurisë kombëtare të SHBA-së.

‘Ambasadorja Yuri Kim u takua sot me Kreun e ri të SPAK, Altin Dumani, për ta uruar atë për postin e tij të ri drejtues. Ajo ritheksoi që Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin fort zbatimin e reformës në drejtësi, një kërkesë për aspiratat e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Në këtë drejtim dhe për të çuar përpara jetësimin e faktit që Presidenti Biden e ka identifikuar luftën kundër korrupsionit si interes thelbësor të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, ne do të mbëstesim plotësisht prokurorët dhe hetuesit e SPAK teksa ndërtojnë mbi sukseset e deritanishme dhe intensifikojnë ndjekjen penale të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, në përputhje me ligjin, pa frikë apo favore. Askush nuk është mbi ligjin.’- njofton ambasada e SHBA.