Pesë ditë më parë ambasadorja e ShBA, Yuri Kim shkoi në Presidencë ku nuk u prit nga Presidenti Ilir Meta, por këshilltarët e tij. Këtë fakt e ka pranuar edhe vetë Kreu i Shtetit, i cili është shprehur se nuk ka pasur kërkesë për një takim zyrtar nga ana e ambasadores.

“Ore unë nuk jam njeri papunë që do pres pa orë këdo”, tha Meta, ndërsa shtoi se po të kishte kërkuar takim zyrtar ambasadorja Kim, do ishte pritur si e tillë.

“Këto janë mashtrime që shpërndan Fuga me ata që ka Rama në Ambasada. Nuk është e vërtetë që ka kërkuar takim zyrtar me presidentin. Kur ajo të kërkoj takim zyrtar dhe do pritet në mënyrë zyrtare. Takimin e kanë kërkuar këshilltarët dhe është takuar me ta”, tha Meta për emisionin "Opinion" një ditë më parë.

I pyetur nëse mesazhi i ambasadores së SHBA i drejtohej atij, Meta tha se mesazhi ishte për Ramën.

“Zotëri, nuk ka si ta ketë për mua ambasadorja. Unë jam kryetar i shtetit dhe nuk kam si të jem aktor politik. Për opozitën nuk e ka se ajo s’ka ndikim në Reformë. Kështu në Shqipëri ka vetëm një aktor politik dhe ai është Edi Rama. Ka dhe një tjetër, që janë këto dy ambasada që duhet të përgjigjeshin për këto paanësi”, u shpreh kreu i Shtetit, Ilir Meta.