TIRANË- Asnjë fjalë për protesta nuk u fol në një orë takim të presidentit Ilir Meta me opozitën e Bashkuar në Pallatin e Brigadave. Zgjedhje të lira dhe të ndershme ishte kryefjala që bëri njësh kreun e shtetit dhe opozitën joparlamentare. Ajo që në dukje e ndan nga opozita, është koha se kur do të mbahen këto zgjedhje!

Me kërkesë të tij, presidenti priti mëngjesin e të enjtes në pallatin e Brigadave, kryetarët e partive të Opozitës së Bashkuar. Të pranishëm ishin Lulzim Basha, Fatmir Mediu i republikanes, Dashamir Shehi i LZHK-së dhe Nard Ndoka i Partisë Demokristiane. Nga Lëvizja Socialiste për Integrim, vendin e kryetares, Monika Kryemadhi, bashkëshortes së Presidentit, e zuri Petrit Vasili.

Gjithçka me dyer të mbyllura. U mësuan detaje vetëm nga dy komunikime zyrtare të zyrës së shtypit të Presidencës dhe një Twitteri të liderit demokrat Lulzim Basha.

Për Metën është e rëndësishmë që opozita të kthehet në Këshillin Politike për reformën zgjedhore “për të treguar vullnetin për rikthimin e legjitimitetit të të gjithë institucioneve përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme”.

Shqetësimin e shprehur vetëm me postime në rrjetet sociale për shembjen e Teatrit Kombëtar, presidenti ua tha edhe në sy krerëve të opozitës jashtë parlamentit. Shembje e paligjshme që Meta, siç thuhet në njoftim e cilëson “si provokim për demokracinë, shtetin ligjor, por edhe për Opozitën e Bashkuar dhe natyrisht ndaj vlerave europiane”.

Ndryshe e pati reagimin opozita pa shembjes, që menjëherë iu bashkua 3 protestave të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, madje dhe duke organizuar strukturat nëpër rrethe për të sjellë militantë. Por teksa Aleanca tashmë po ia lë gjithçka në dorë drejtësisë për të nxjerrë në pah paligjshmërinë sipas tyre të shembjes së Teatrit, Basha i ka kthyer sytë nga kërkesa e tij e kahershme: Zgjedhjet e parakohshme. Basha tha se në takim të koalicionit opozitar me Presidentin është diskutuar se rrugëdalja është vetëm përmes drejtimit të shqiptarëve në kutitë e votimit.

Shembja e Teatrit është prova e fundit e një hajduti ordiner që i vjedh, i varfëron, dhe i dhunon shqiptarët. Me çdo ditë që kalon, RAMAVIRUSI i bën dhe më keq njerëzve dhe vendit. Ai është sot armiku i mirëqenies së shqiptarëve. Gjatë takimit të koalicionit opozitar me Presidentin Meta diskutuam për krizën dhe rrugëdaljen prej saj: shqiptarët do të shpëtojnë kur, të bashkuar kundër së keqes, do t’u drejtohen kutive të votimit me te gjitha garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, shkruan Basha.

Shembja pa paralajmërim e godinës së Teatrit Kombëtar nxiti thelloi edhe më shumë krizën politike në vend që goditjen më të madhe ia dha reformës zgjedhore për të cilën dakordësia është thyer. Meta ka kërkuar një hetim ndërkombëtar për shembjen e Teatrit, për të cilin ka marrë mbështetje nga Basha, edhe pse ky i fundit është shprehur skeptik se sa mund të arrihet. Takimi vjen vetëm pak orë pas protestës së Aleancës ku morën pjesë edhe përfaqësues të opozitës me në krye kryedemokratin Lulzim Basha dhe kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:50
Mbledhja me ambasadorët e BE-së/ Meta: Shembja e Teatrit, dëm i pamerituar ndaj procesit të integrimit europian të vendit

Presidenti Ilir Meta ka zbardhur takimin që pati me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian si dhe të Delegacionit të BE-së, Luigi Soreca. Siç njofton zyra e shtypit të Presidencës, në fokus të bisedimeve ka qenë platforma me 11 pika që Meta ka propzuar për integrimin e vendit në BE, shembja e Teatrit dhe Reforma Zgjedhore.

"Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta organizoi sot një takim pune me Ambasadorët e të gjithave vendeve të Bashkimit Europian, të akredituar në Tiranë, si dhe me Ambasadorin e Delegacionit të BE-së, z.Luigi Soreca. Presidenti Meta falenderoi për asistencën që BE dhe vendet anëtare kanë dhënë për Shqipërinë për të përballuar situatën e krijuar nga pandemia COVID-19. Kreu i Shtetit ripërsëriti mirënjohjen për vendimin e Këshillit Europian të 25 marsit për çeljen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Presidenti Meta i njohu Ambasadorët me platformën e tij të datës 8 prill 2020, të propozuar të dyja palëve, me qëllim arritjen e një emëruesi të përbashkët në dobi të përshpejtimit të nisjes së negociatave të anëtarësimit me BE-në. Presidenti Meta shprehu keqardhjen për reagimin destruktiv të qeverisë me provokimin e panevojshëme të tensionit shoqëror dhe politik në vend.

Kreu i Shtetit shprehu gjithashtu shqetësimin se shkatërrimi i dhunshëm dhe i paligjshëm i ndërtesës së Teatrit Kombëtar dhe sjellja shproporcionale e policisë ndaj qytetarëve, që tronditën jo vetëm opinionin publik vendas por nxitën dhe një zinxhir reagimesh të miqve ndërkombëtarë të Shqipërisë, kanë shkaktuar një dëm të pamerituar ndaj procesit të integrimit europian të vendit. Presidenti Meta vuri në dukje rëndësinë që ka përfundimi sa më parë i reformës zgjedhore në Këshillin Politik dhe miratimi i saj në Parlament, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR, edhe pse në kushtet e thyerjes së mëtejshme të besimit ndërmjet palëve. Kreu i Shtetit përsëriti thirrjen për çdo aktor institucional për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në detyrimet që ka për zbatimin e secilit prej 15 prioriteteve të BE që kushtëzojnë procesin e negociatave të anëtarësimit", njofton presidenca.

Ora 12:27
Bojkoti dhe protestat! Meta i tregon opozitës dhe ambasadorëve planin me 11 pika (VIDEO)

Presidenti Ilir Meta i tha sot opozitës se ka bërë gati një platformë për daljen nga kriza politike, por që palët duhet të bien dakord dhe kjo duket ende larg për momentin. Report Tv mëson se kjo platformë përmban 11 pika për kapërcimin e krizës dhe vijimin e rrugës europiane. Kreu i shtetit nuk i ka bërë ende publike 11 pikat e planit. "Presidenti Meta i informoi për përpjekjet dhe propozimin prej Tij të një platforme konkrete gjithëpërfshirëse për integrimin europian. Presidenti Meta theksoi rëndësinë që Opozita e Bashkuar të japë kontributin e saj në Këshillin Politik për të treguar vullnetin për rikthimin e legjitimitetit të të gjithë institucioneve përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme" thuhet në njoftimin e Presidencës. Padyshim në që këtë platformë një nga pikat kryesore është reforma zgjedhore.

Meta me ambasadorët
Ora 10:53
Plani me 11 pika! Ambasadorët e SHBA-së e Gjermanisë takojnë këshilltarët, Meta pret Sorecën

Ambasadorët e SHBA-së dhe Gjermanisë në Shqipëri Yuri Kim dhe Peter Zingraf vijojnë që të jenë mjaft aktive në ditët e fundit për të bërë të mundur gjetjen e konsensusit politik dhe rikthimin e palëve në tryezën e Reformës Zgjedhore.

Paraditen e sotme, teksa kreu i shtetit ishte në takim me opozitën te Pallati i Brigadave, dy ambasadorët kanë zbarkuar në Presidencë duke zhvilluar një takim me këshilltarët e Ilir Metës. Pasditen e djeshme Kim dhe Zingraf ishin në Kryeministri ku diskutuan rreth krizës politike. 

Ndërkohë që pasi kreu i shtetit u rikthye në Presidencë pas takimit me opozitën, në zyrë i shkuan ambasadori i BE-së Soreca dhe të disa prej vendeve të tjera të unionit, mes tyre i Italisë. 

Presidenti u ka treguar ambasadorëve planin e tij me 11 pika për daljen nga kriza.

 

Ora 10:40
Meta- opozitës: Rikthehuni në tryezën e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore (VIDEO)

Presidenti Ilir Meta i ka bërë thirrje opozitës jashtëparlamentare për t'u rikthyer në tryezën eKëshillit Politik.

"Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta priti sot me kërkesën e Tij në Pallatin e Brigadave, kryetarët e partive të Opozitës së Bashkuar. Presidenti Meta i falenderoi për angazhimin dhe propozimet e tyre për tejkalimin sa më parë të situatës së vështirë të krijuar nga COVID-19. Kreu i Shtetit shprehu shqetësimin e thellë për ngjarjen e fundit të shembjes së paligjshme të Teatrit Kombëtar dhe e cilësoi atë si provokim për demokracinë, shtetin ligjor, por edhe për Opozitën e Bashkuar dhe natyrisht ndaj vlerave europiane.

Presidenti Meta i informoi për përpjekjet dhe propozimin prej Tij të një platforme konkrete gjithëpërfshirëse për integrimin europian. Presidenti Meta theksoi rëndësinë që Opozita e Bashkuar të japë kontributin e saj në Këshillin Politik për të treguar vullnetin për rikthimin e legjitimitetit të të gjithë institucioneve përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme", njofton presidenca.

Ora 10:32
Basha reagon pas takimit me Metën: Zgjidhja e krizës vetëm nëpërmjet zgjedhjeve

Atë se çfarë është diskutuar në takimin me dyer të mbyllura të Presidentit Ilir Meta me opozitën e bashkuar këtë të enjte në rezidencën e kreut të shtetit, lideri demokrat Lulzim Basha e bëri të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale. Shembja pa paralajmërim e godinës së Teatrit Kombëtar nxiti thelloi edhe më shumë krizën politike në vend që goditjen më të madhe ia dha reformës zgjedhore për të cilën dakordësia është thyer. 

Kryedemokrati Lulzim Basha tha se në takim të koalicionit opozitar me Presidentin është diskutuar se rrugëdalja është vetëm përmes drejtimit të shqiptarëve në kutitë e votimit.
"Gjatë takimit të koalicionit opozitar me Presidentin Meta diskutuam për krizën dhe rrugëdaljen prej saj: shqiptarët do shpëtojnë kur të bashkuar kundër së keqes do t'ju drejtohen kutive të votimit me te gjitha garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme", shkruan Basha.

Ora 10:21
Përfundon takimi i Metës me opozitën

Përfundon takimi i presidentit Ilr Meta me opozitën. Takimi ka zgjatur rreth 1 orë!