Në përballje me vendet e tjera, Shqipëria përbënte për shumë arsye një “sui generis”, megjithëse e vlerësuar në veçanti, ajo “konsumon” edhe seksionin e vet të trajtimit të CIA-s në këtë raport, i deklasifikuar në vitin 1999 dhe i pabotuar kurrë më parë në shqip. Raporti i cili në fakt trajtohet si një memorandum, është një punë e përbashkët e disa agjensive e departamenteve shtetërore të sigurisë e inteligjencës në SHBA, ku renditen: Agjensia Qendrore e Inteligjencës (CIA), Agjensia e Inteligjencës së Mbrojtjes (DIA), Agjensia Kombëtare e Sigurisë ( NSA), Byroja e Inteligjencës dhe e Kërkimkit (BIR), Departamenti i Shtetit (DS) dhe duhet parë në kontekstin e kohës si një prognozë shumë realiste, duke pasur parasysh se si rrodhëën më pas ngjarjet në një vit të vrullshëm e plot ngjarje, siç ishte viti 1990. Ajo na bën të mendojmë se cila ishte në të vërtetë masa e perceptimit real amerikan mbi atë që po ndodhte e do të ndodhte në ish-Lindjen komuniste e ca më shumë, edhe në Shqipëri, duke na sjellë më pranë pikëpamjen amerikane mbi të ardhmene Shqipërisë e na bërë të krahasojmë tashmë se sa përputhej prognoza e tyre në lidhje me atë çka ndodhi më pas realisht në Shqipëri.
1990 do të jetë viti i Rilindjes së Shqipërisë
Domethënëse është në raport, shprehja se: 1990 do të jetë viti i Rilindjes së Shqipërisë, apo se: Për më shumë, ka shenja të mjaftueshme mbi çështjen e reformave brenda Partisë Komuniste, ku thekson ndarjen e ravijëzuar së fundmi – asokohe - mes përfaqësuesve të linjës së ashpër, të udhëhequr nga vejusha Hoxha ( siç e cilëson raporti i CIA-s) dhe shokët e mbledhur rreth Presidentit Ramiz Alia, i cili duket se njeh nevojën për reforma politike e ekonomike. Po aq interesant në seksionin kushtuar Shqipërisë, ngjan të jetë fakti ku theksohet se: Media e tyre e kontrolluar tërësisht nga shteti, raportoi me kujdes rrëzimin e regjimit të Çausheskut në Rumani. Një ekspozim i tillë ndaj revoltave të suksesshme popullore në një vend tjetër, do të inkurajonte me siguri revolta të brendshme.
Skeda e Shqipërisë: Nuk ka ndërmarrë asnjë reformë madhore
Interesant paraqitet përcaktimi që ata bëjnë në skedën e Shqipërisë, e renditur në fund të raportit, në faqen 35, ku ndër të tjera thuhet se sistemi që aplikohet në këtë vend, është: Shteti i fundit stalinist në Europë, apo ndër figurat udhëheqëse në vend përmenden vetëm kreu i shtetit, Ramiz Alia, me statusin e Presidentit të Kuvendit Popullor dhe Sekretarit të Parë të PPSH, kreu i qeverisë, Adil Çarçani dhe në një formë jozyrtare, me cilësimin: “të tjerë”, përmendet vetëm Zonja Hoxha, e veja e ish-kreut të shtetit dhe partisë (sipas raportit në origjinal). Në po të njejtën skedë, statusi i Partisë Komuniste cilësohet: Në mënyrë evidente akoma zotëron kontroll të fortë, por me shumë gjasa, e ndarë në fraksione mes mbështetësve të Alisë dhe atyre të Hoxhës, kurse për ekonominë, skeda në fjalë thekson se: Shteti zotëron mjetet e prodhimit. Thuajse i gjithë aktiviteti ekonomik është i centralizuar. Reforma të limituara dhe të paefektshme janë implementuar gjatë viteve të fundit. Zhvillimi ekonomik është dëmtuar rëndë nga një politikë e mbështetjes në forcat e veta dhe refuzimit të ndihmave të huaja. Reforma madhore: ( nuk është ndërmarrë asnjë dhe as premtuar deri më tani).
Raporti: 1990, vendimtar, por jo me efekte të barabarta
Në terma të përgjithshëm, prognoza e CIA-s për zhvillimet në Europën Lindore përgjatë vitit historik 1990, qysh në krye përcakton se: Viti në vazhdim do të jetë vendimtar, por jo me efekte e shtrirje të barabartë për dekomunistizimin e Europës Lindore. Zgjedhjet do të largojnë nga pushteti komunistët, programet e reformave do të shkrijnë privilegjet e regjimeve të vjetra dhe anëtarësia e partive komuniste do të avullojë nëpërmjet konfiskimit të pronave të partisë, heqjes së detyrimeve dhe kooptimit të personelit në burokracitë e reja civile e sipërmarrjet e reja private. Megjithatë, komunistët do të mund të mbajnë akoma pushtet – sidomos në Rumani e Bullgari – dhe do të mund të krijojnë pengesa serioze për implementimin e reformave afatgjata. Diku raporti parashikon se: Shanset janë më të mira se kudo tjetër në Europën Lindore, janë në Çekosllovaki, ku vendi ka arritur progres drejt formimit të një shoqërie demokratike të stabilizuar, çka do të vazhdojë edhe gjatë 1990. Ndërsa, diku tjetër sjell shembullin e eksperiencës hungareze, ku parashikon se:
Opozita në Hungari do të dominojë Asamblenë Kombëtare që do të zgjidhet në mars: Socialistët (ish-komunistët) do të bëhen në rastin më tëmirë, partnerët më të rinj të koalicionit.
Ndërkohë, në një pasazh hyrës mbi arsyet që e bëjnë të pashmangshmë haritmin e këtij raporti, shkruhet: Komunizmi ka rënë në Europën Lindore dhe në zgjimin e saj ndërtesa ekonomike e politike e rajonit është në shthurje. Një gjeneratë e re e liderëve reformatorë po hasen për të skicuar një panoramë rajonale që po mbulohet me rrënimin e ekonomive të planifikuara. Në një plan më të ngushtë, lojalitetet e vjetra janë tashmë të pakuptimta; supozimet e mëparshme mbi të ardhmen tashmë janë të dyshimta. Ligjet dhe traditat e hershme të bindjes paparitur bëhen të pavlefshme. Relike të mbijetuara nga regjimet komuniste janë të mbuluara nga simptoma keqkuptuese të sistemit në kolaps. Mbështetësit e tyre janë të frikësuar nga ndryshimi i papërmbajtshëm. Fakti që ka ngritur krye..ëështë se asgjë fondamentale nuk ka ndryshuar nga dominimi i gjatë sovjetik, dhe se çdo aspekt i të ardhmes së këtij rajoni, mbetet i hapur.
1990, viti i tranzicionit nga revoltat në reforma
Po ashtu, prognoza e CIA-s parashikonte se: Viti 1990 do të jetë viti i tranzicionit nga revoltat në reforma në Europën Lindore, por për pjesën më të madhe të tij, ai nuk do të jetë viti në të cilin do të ndërmerren këto reforma. Mes të tjerave, diku theksohet se: Një proverb i vjetër europianolindor thotë: Është më e lehtë të bësh demokraci, se sa bukë”. 12 muajt e ardhshëm do të jenë një periudhë konsolidimi politik dhe e ndërtimit të demokracisë – i përzgjedhjes, i manovrave, i ndërtimit të koalicioneve, të intrigave, stabilizimit dhe i përmbushjes së disa objektivave primarë. Do të jetë gjithashtu një erë e përgatitjeve substanciale për implementimin eventual të programeve të reformave. Por, përveç Polonisë, shumë nga regjimet e tjera do të shtrëngohen të vonojnë ristrukturimin ekonomik e atë politik, deri në fund të vitit apo në vitin 1991.
Jugosllavia do të notojë rrezikshëm drejt disintegirmit
Një moment tjetër shumë me vlerë në këtë raport është edhe pikëpamja amerikane e shprehur nëpërmjet agjensive të saj të inteligjencës e sigurisë kombëtare, mbi të ardhmen e afërt të Jugosllavisë në atë kohë, e cila po përjetonnte grahmat e fundit të ekzistencës shtetërore, para se të zhytej në një vorbull dhune e disintegrimi nacional të pandalshëm, siç e përshkruan edhe vetë raporti i CIA-s në pasazhin në vijim: “Jugosllavia do të vazhdojë të notojë rrezikshëm drejt disintegirmit nacional, me tensione të mbartura prej kohësh dhe me probleme ekonomike që do të sjellin pasoja katastrofike”. Porse amerikanët në atë kohë duket se akoma kishin shpresë në hapat e ndërmarra nga Parlamenti dhe qeveria Federative Jugosllave, pasi në raport, në seksionin kushtuar Jugosllavisë, më tej thuhet: Gjithsesi, ka arsye për optimizëm.
Shumë shpresa janë vënë në implementimin e reformave ekonomike të vendosura së fundmi nga Parlamenti i sapozgjedhur, sidomos në vendimet e qeverisë në 1990 për të synuar një politikë më të mirë monetare, ku flitet edhe mbi emergjencën e domosdoshmërisë së një sistemi politik shumëpartiak, dhe në përpjekjet për të hartuar një kushtetutë të re që rregullon marrëdhëniet mes grupeve të ndryshme etnike në vend. Më tej, në raport, përsa i përkiste situatës aktuale në ish-Jugosllavi, thuhej se: Gjatë vitit të shkuar, përpjekjet e njeriut të fortë të Serbisë, Millosheviç, për të rritur pushtetin e tij personal, i kanë shtyrë partitë komuniste në republikat e tjera jugosllave drejt reformave, në një përpjekje për të vjelë mbështetje popullore për opozitat e tyre ndaj makinacioneve serbe. Lidhja Komuniste e Jugosllavisë ka bërë thirrje për implementimin e një sistemi multipartiak dhe eliminimin e rolit udhëheqës të LKJ në kongresin e janarit.
Ndërkohë Kroacia dhe Sllovenia kanë planifikuar zgjedhje të lira në pranverë. Gjithashtu, në një skedë shoqëruese mbi ish-Jugosllavinë, ku paraqiten grupimet e reja apo shoqatat politike që sapo kishin nisur tashmë aktvitetin e tyre në territorin e saj, listohej edhe “Lidhja Demokratike e Kosovës”, si një grupim politik i pavarur i shqiptarëve të Kosovës, me kryetar Dr. Ibrahim Rugovën, në cilësinë e tij edhe si Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Prognoza e CIA-s në 1990: Shqipëria: A mund të mbijetojë Stalinizmi?
Përpos dëshirës së dyshimtë të regjimit shqiptar për të përdorur masa brutale për të shtypur disidentët, shanset janë më të mira sesa thjesht të themi: 1990 do të jetë viti i Rilindjes së Shqipërisë. Grupet opozitare të përqëndruara në shkolla dhe universitete, janë përleshur ndërkohë me regjimin e Alisë.
Për më shumë, ka shenja të mjaftueshme mbi çështjen e reformave brenda Partisë Komuniste, së fundmi e ndarë mes përfaqësuesve të linjës së ashpër, të udhëhequr nga vejusha Hoxha dhe shokët e mbledhur rreth Presidentit Ramiz Alia, i cili duket se njeh nevojën për reforma politike e ekonomike.
Shqiptarët po mbërthehen nga emocione të forta kur dëgjojnë dhe shikojnë të vërtetat mbi ngjarjet në Europën Lindore dhe në BRSS nëpërmjet televizionit jugosllav dhe atij italian. Media e tyre e kontrolluar tërësisht nga shteti, raportoi me kujdes rrëzimin e regjimit të Çausheskut në Rumani. Një ekspozim i tillë ndaj revoltave të suksesshme popullore në një vend tjetër, do të inkurajonte me siguri revolta të brendshme.
Ushtria shqiptare dhe shërbimet e sigurisë, kanë treguar shpesh një lojalitet të pacënueshëm ndaj diktatit të partisë: ata do të shtypin disidentët në vitin 1990 me të njejtën forcë, sikurse edhe në të shkuarën. Kjo premton të bëjë, kur të vijë puna, të njejtën shfaqje që u pa gjatë revolucionit të përgjakshëm në Rumani.
Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 6 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)