Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në një sqarim zyrtar në formën e një interviste për “Monitor”, sqaroi se projektligji i ri për sigurimin ndaj katastrofave natyrore është gati dhe aktualisht është dërguar pranë shoqërive të sigurimit për të marrë opinionet dhe komentet e tyre lidhur me draftin e hartuar. Projektligji përcakton se cilat janë objektet që sigurohen dhe ato që nuk sigurohen.

Sipas projektit, rreziqet e mbuluara në këtë sigurim lidhen me dëmet nga tërmetet dhe pas tërmetet, zjarret e shkaktuara nga tërmetet, shpërthime të shkaktuara nga tërmetet, rrëshqitje të tokës të shkaktuara nga tërmetet, përmbytje, rrëshqitje të tokës apo fundosje të shkaktuar nga përmbytja. Sipas AMF, modeli më i mirë për t’u ndjekur në këtë drejtim është Turqia.
 
Ka një përpjekje shumëvjeçare edhe nga Banka Botërore për të zgjeruar sigurimin e detyrueshëm edhe në sektorë të tjerë (fatkeqësitë natyrore). A po bëhen përpjekje në aspektin ligjor dhe si mund të funksionojë?
Sigurimi ndaj përmbytjeve klasifikohet, së bashku me sigurimin ndaj zjarrit dhe rreziqeve të tjera shtesë, si sigurim i pasurisë. Sipas të dhënave të depozituara nga shoqëritë e sigurimit pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, në periudhën 2013 deri në shtator të vitit 2015, në nivel mesatar për tregun, sigurimi i pronës nga përmbytjet zinte rreth 3% të vlerës totale të rreziqeve në kontratat e sigurimit të pasurisë.

Gjatë vitit 2014, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është ftuar si pjesë e grupit të punës me Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave në “Projektin pilot për krijimin dhe eksperimentimin e një sistemi sigurimesh të lehtësuara për mbulimin e rreziqeve në bujqësi”, i cili është në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Italisë.

Ekspertë të Bankës Botërore, në kuadër të projektit “Shqipëria: Reforma e tregut të sigurimeve”, i financuar nga Nisma për Forcimin dhe Reformën në Sektorin Financiar (FIRST) kanë përgatitur projektligjin për sigurimin nga katastrofat natyrore. Prej muajit tetor 2015, projektligji është shqyrtuar nga AMF dhe komentet në lidhje me të u janë dërguar sërish zyrës së Bankës Botërore. Njëkohësisht, projektligji është dërguar edhe pranë shoqërive të sigurimit për të marrë opinionet dhe komentet e tyre lidhur me draftin e hartuar.
 
Si mund të zgjidhet funksioni i skemës financiare për kompensimin nëpërmjet kompanive të sigurimit?
Në projektligjin e hartuar ka disa çështje kryesore që lidhen me rregullimin e sigurimit në rast përmbytjesh dhe tërmetesh. Projektligji përcakton se cilat janë objektet që sigurohen dhe ato që nuk sigurohen. Sipas projektligjit, rreziqet e mbuluara në këtë sigurim lidhen me dëmet nga:
  • Tërmetet dhe pas tërmetet
  • Zjarret e shkaktuara nga tërmetet
  • Shpërthime të shkaktuara nga tërmetet
  • Rrëshqitje të tokës të shkaktuara nga tërmetet
  • Përmbytje
  • Rrëshqitje të tokës apo fundosje të shkaktuar nga përmbytja.
Në bashkëpunim me Bankën Botërore, AMF është duke studiuar disa mundësi për struktura organizative apo skema financiare për sigurimin nga katastrofat. Kjo do të kërkojë një bashkëpunim midis disa institucioneve dhe përvojën e mëtejshme të ekspertëve në rajon dhe më gjerë.
 
Cila do të ishte praktika më e mirë rajonale apo botërore për sigurimin e fatkeqësive natyrore?
Përvojat botërore ndryshojnë në varësi të kushteve të vendit dhe katastrofave me të cilat përballen këto vende. Një shembull është Turqia, lidhur me sigurimin ndaj tërmeteve. Tërmetet e vitit 1999 në rajonin e Marmaras, shkaktuan humbjen e mijëra jetëve. Dëmet materiale arritën shifra mjaft të larta, deri në afro 17 miliardë dollarë (sipas informacionit në http://www.businessinsurance.com). Si reagim ndaj këtyre katastrofave natyrore, në vitin 1999, sigurimi nga tërmetet u vendos si sigurim i detyrueshëm dhe njëkohësisht pranë Ministrisë së Shtetit në Turqi u krijua një entitet publik jofitimprurës, i quajtur Grupimi i Shoqërive të Sigurimit nga Katastrofat (Turkish Catastrophe insurance Pool, TCIP). Burimet e financimit të këtij grupimi ishin primet e sigurimit, mbulimet e risigurimit dhe financimet e tjera mbështetëse të siguruara nga jashtë skemës. Sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata e Sigurimeve të Turqisë, për vitin 2014, penetrimi i kësaj skeme të detyrueshme në Turqi arriti në 37% me rreth 6.6 milionë polica.

Në gusht të vitit 2012, në Turqi hyri në fuqi Ligji i Sigurimeve nga Katastrofat, (Disaster insurances Law No. 6305 as of 17 August 2012) që lidhet me sigurimin e detyrueshëm nga tërmetet. Ky ligj përcaktoi detyrimin për të pasur një policë sigurimi aktive, në momentin e lidhjes së kontratave të shërbimit për një banesë. Si rezultat, numri i policave të shitura është rritur me 65%. Ekspertët vendas dhe të huaj konsiderojnë si çështjen më të rëndësishme dhe të vështirë ruajtjen e ritmit të rritjes së penetrimit për këtë sigurim.

Me asistencën e Bankës Botërore, edhe Serbia ka një program kombëtar të menaxhimit të rreziqeve ndaj fatkeqësive natyrore, i cili siguron një hapësirë të hapur dhe neutrale të aktorëve të përfshirë në program /MONITOR/

Redaksia Online
Shqiptarja.com